
Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Bashkinë, Forcat e Armatosura, po punojnë pa ndërprerje për të mbyllur çarjen e krijuar në argjinaturën e lumit Devoll, e shkaktuar nga prurjet e shumta të ditëve të fundit.
Për të mundësuar mbërritjen e mjeteve dhe materialeve inerte deri në pikën e dëmtuar, po ndërtohet një rrugë e përkohshme me gjatësi 3,2 kilometra.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Prefektin, Nertil Jole, Kryetarin e Bashkisë, Gëzim Topçiu, zv.ministrin, Arian Jaupllari dhe Drejtorin e DUK Korçë, Gentian Aliçkolli, inspektuam zonën e Sheqerasit, ku ekipet e DUK Korçë po punojnë për rehabilitimin e çarjes në argjinaturën e lumit Devoll.
Ministri Salla bëri të ditur se ngritja e pritës provizore ka ndalur depërtimin e ujit në fushën e Maliqit dhe ka krijuar kushtet që, gjatë këtyre ditëve pa reshje, uji të tërhiqet nëpërmjet rrjetit kullues, ndërsa vijohet me mbylljen përfundimtare të argjinaturës.
“Prioritet absolut mbetet mbyllja e çarjes për të shmangur çdo përmbytje të mundshme. Ekipet janë në gatishmëri të plotë dhe puna po zhvillohet me intensitet maksimal, 24 orë në 24. Çdo orë që fitojmë është e rëndësishme për sigurinë e zonës përpara reshjeve të radhës”, deklaroi Salla gjatë inspektimit.
Në zonën e prekur janë shtuar mjetet e rënda dhe kapacitetet logjistike, ndërsa po vendosen masivisht gurë dhe materiale të tjera mbushëse për të garantuar stabilizimin e argjinaturës.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë të informojë publikun mbi ecurinë e ndërhyrjeve dhe situatën në terren.
Lajmi kryesor:
Shembja e argjinaturës/ Barbulloja e Rrila e Lezhës 6 ditë nën ujë, shpërndahen ndihma për banorët! Aksi Qukës- Qafë Plloçë ende i bllokuar












