Ministri i Mbrojtjes Piro Vengu, ka vizituar bazën e grup batalionit të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, ku shërben edhe një togë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu u shpreh krenar për vlerësimin e dhënë nga komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, i cili theksoi se toga shqiptare luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, ky vlerësim është një dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo mision ku shërbejnë nën flamurin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
'Në Bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari. Krenar të dëgjoja nga Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.
Kjo është një dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve tanë në çdo mision ku shërbejnë nën flamurin e Aleancës.
Jemi të gatshëm të rrisim më tej prezencën dhe kontributin e Shqipërisë aty ku nevoja e kërkon, për të dëshmuar përkushtimin tonë ndaj sigurisë kolektive dhe për të forcuar përgatitjen tonë operacionale, krah për krah me aleatët tanë', shkruan ai.
Komente










