Ministria e Arsimit prezanton iniciativën e re për "Pastrimin e Bregdetit Shqiptar", që do të mobilizojë nxënësit në aksionin vullnetar të pastrimit të bregdetit dhe dy liqeneve në vend, Pogradec dhe Kukës.
 
Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Lëvizjen “Ta pastrojmë shqipërinë” do të organizohet "Green Tour 4”, një fushatë sensibilizuese në terren, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të mjedisit.
 
Një grup prej 20 vullnetarësh do të udhëtojnë për dy javë në qytetet kryesore të Shqipërisë nga data 11  Maj – 21 Maj.
 
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, tha se rëndësia e kësaj nisme të re, pas asaj të pastrimit të mjedisit, lidhet jo vetëm me edukimin dhe sensibilizimin e të rinjve për mbrojtjen e bregdetit, por edhe në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.
 
“Edukimi nëpërmjet aksionit është koncepti i ri që synohet të transmetohet, sidomos tek grup-moshat e reja duke nxitur tek ata frymën e vullnetarizmit si dhe duke bërë lidhjen e teorisë me praktikën në terren”, tha Malaj.
 
“Green Tour” do të shoqërohet me një seri aktivitetesh gjithëpërfshirëse si takime në shkolla, gjimnaze dhe universitete për të diskutuar me të rinjtë dhe mësuesit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, organizimi i Tryezave të Rrumbullakëta Rajonale dhe aktivitete argëtuese dhe informuese në qendrat e qyteteve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe aksionin e pastrimit, anëtarësimin e vullnetarëve të rinj.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)