Ministrja e Jashtme: Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE, moment kulmor për Shqipërinë! Programi mbështetje në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991€

Ministria e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend tha se ratifikimi i marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE është një moment moment kulmor për Shqipërinë. Ministrja Xhaçka theksoi se programi ofron mbështetje në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991€, nga të cilat kontributi i BE 103 milionë €. Sipas Xhaçkës, IPA 2020 do të ofrojë kontribut në përballimin e pasojave të COVID-19 si dhe u jep akses bashkive për forcimin e kapaciteteve.

'Projektligji që po diskutojmë sot ka si qëllim ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit IPA II. Bëhet fjalë pra, për momentin kulmor të një procesi që ka nisur që në vitin 2018 kur filloi edhe procesi i programimit për programin në fjalë i cili përbëhet nga 7 veprime, që prekin sektorë prioritarë të zhvillimit të vendit, duke filluar sigurisht që nga demokracia e qeverisja, shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore, konkurrueshmëria dhe inovacioni apo bujqësia dhe zhvillimi rural.

Programi ofron një mbështetje domethënëse për këta sektorë, në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991 Eurove nga të cilat, kontributi maksimal i Bashkimit Europian arrin në 103 milionë Euro. Janë fonde, që vijnë në formën e granteve në mbështetje të një sërë prioritetesh të identifikuara në Dokumentin Strategjik Kombëtar 2014 – 2020. 

Është pra një mbështetje e rëndësishme  që na vjen nga Bashkimi Europian në një shumë të konsiderueshme dhe që besoj që ashtu si ka ndodhur edhe në të shkuarën me programe të mëparshme apo me programet ndërkufitare, do të luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të modernizimit dhe europianizimit të vendit.

Paketa IPA 2020 parashikon një numër veprimesh që japin një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Duke filluar që me mbështetjen për reformat e rëndësishme në funksion të rritjes së performacës së sektorit publik. Mbështetje për rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e BE duke dhënë një kontribut të posaçëm në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe trajnimin, bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillimin teknologjik. Mbështetje për forcimin e kapaciteteve dhe llogaridhënies së administratës publike si pjesë e Instrumentit të Integrimit në BE, përmes ekspertizës në ndërtimin e institucioneve, zbatimin e reformave apo edhe për të gjithë hallkat që parashikon procesi i IPA-ve duke filluar nga programimi e deri tek monitorimi e vlerësimi.

Paketa jep një mbështetje veçanërisht të vyer në mbështetje të forcimit të shtetit të së drejtës qoftë përmes rritjes së kapaciteteve të organeve ligjzbatuese, hetuese apo të institucioneve të pavarura të drejtësisë, por edhe duke adresuar disa nga çështjet më të mprehta, siç janë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, ku do të mbështesë reformën në sektorin e tokës.

Por pa dashur të zbeh aspak rëndësinë e asnjë prej veprimeve të mësipërme, unë dua të nënvizoj tri elementë që në gjykimin tim e bëjnë këtë paketë, pra IPA 2020 veçanërisht të rëndësishme. Së pari, kjo paketë përmes ndihmës së konsiderueshme dhe të vazhduar që parashikon për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit jep një mbështetje shumë të rëndësishme për reformën në drejtësi. Një mbështetje që shkon përtej aspektit thjesht financiar, duke qenë edhe një shprehje e hapur e mbështetjes politike që BE i jep kësaj reforme kyç për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë. Konkretisht, ky veprim i IPA2020 do t’i lejojë OMN të përmbushë mandatin e tij kushtetues për të monitoruar procesin e vetingut në përputhje me Aneksin e Kushtetutës së Shqipërisë të rishikuar të vitit 2016. 

Së dyti, kjo paketë jep një kontribut të rëndësishëm në përballimin e pasojave të krizës së shkaktuar nga COVID-19 duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të kësaj krize, duke reduktuar efektet makroekonomike dhe duke garantuar që bizneset vulnerabil dhe shtresat në nevojë të  përfitojnë nga  mbështetja ekonomike. Për këtë mbështetje që vjen në formën e mbështetjes buxhetore sektoriale, unë dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen tonë për Delegacionin e BE në Tiranë padyshim, për Komisionin Europian, por edhe për vendet anëtare që me shumë mirëkuptim dhe bujari e pranuan këtë devijim nga plani për të ndihmuar vendin tonë në një moment vërtet të paprecedentë e shumë të vështirë.

Pika e tretë, lidhet me fakti që për të dytin vit programues rradhazi Komisioni Evropian ka zbritur në nivelin e pushtetit vendor, pra në nivelin e bashkive duke ju dhënë atyre akses tek kjo paketë çka do të thotë jo vetëm më shumë projekte e më shumë punë për qytetarët, por edhe forcim të kapaciteteve dhe mundësi që paprecedenta për njësitë tona të qeverisjes vendore.

Për sa më sipër, do t’i ftoja kolegët që ta mbështesin me votën e tyre këtë marrëveshje që jep një mbështetje shumë të vyer e të nevojshme financiare, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin e integrimin mes vendit tonë dhe BE.'- tha Xhaçka.


Lajmi kryesor:

Berisha rikthehet në Kuvend! PD: PS pengoi punën hetimore për inceneratorët! Basha-Ramës: Ke shpenzuar 150 mijë € naftë për udhëtim me charter! I përgjigjet Spiropali: Vërtetove që je kryetari me vulë


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Gjykata Kushtetuese shqyrton më 27 dhjetor 'arrestin e shtëpisë' të Berishës, thërret dhe Kuvendin e SPAK në seancë

Gjykata Kushtetuese shqyrton më 27 dhjetor 'arrestin e shtëpisë' të Berishës, thërret dhe Kuvendin e SPAK në seancë