Rreth 80 produkte të shportës ushqimore po mbahen në monitorim nga institucionet për të mos lejuar abuzimet me çmime spekulative. Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se nga monitorimi nuk ka rezultuar të ketë abuzime dhe se janë shtrenjtuar vetëm perimet.

“Që nga fillimi i krizës, kemi monitoruar në bazë ditore të gjitha produktet e shportës. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen çdo ditë. Rritja ka ndodhur te kategoritë e perimeve”, tha Ibrahimaj.

Inflacioni në muajin mars rezultoi 2.6%, që sipas ministres është i kontrollueshëm, por nëse do të ketë shtrenjtim të produkteve ushqimore masivisht, siç ndodhi në 2022-shin prej luftës në Ukrainë, qeveria do të ndërhyjë me paketa mbështetëse.

“Do të vijojmë monitorimin dhe, nëse do të shohim që çmimet do të rriten edhe në të gjitha produktet e tjera të shportës, padyshim që do të ndërhyjmë me një akt që do të subvencionojë rritjen e çmimeve për shtresat në nevojë”, tha Ibrahimaj.

Sa i takon çmimit të karburantit, Ibrahimaj tha se bordi ka reflektuar deri më tani çdo lëvizje që ka ndodhur në bursë. Sa i takon taksave, veç reduktimit të akcizës me 20%, nuk parashikohen ndërhyrje të tjera.

“Qëllimi i bordit është që të mos lejojë që çmimet e karburanteve të mos rriten në mënyrë abuzive. Ne nuk mendojmë se ka nevojë për të ndërhyrë tek taksa e qarkullimit, sepse ai që konsumon më shumë karburant paguan më shumë. Ajo që kemi vendosur është ulja e akcizës 20% kur nafta shkon mbi 220 lekë ose 200 lekë për benzinës”, tha Ibrahimaj.

Së shpejti Ministria e Financave përmes shoqërisë AlbTrace do të fillojë markimin dhe gjurmimin e flukseve të karburantit për të mos lejuar kontrabandën. Më herët ministri i Financave Petrit Malaj i pyetur nga Report Tv mbi këtë proces është shprehur se ende nuk është vendosur nëse do të ketë tarifa ekstra për markimin dhe gjurmimin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:19
Ibrahimaj: Të ardhurat që rezidentët përfitojnë jashtë Shqipërisë, nuk do të tatohen në vend! Të verbrit do të kenë lehtësira fiskale

 

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri me dije miratimin e projektligjin ku përjashton nga tatimet të ardhurat e gjeneruara jashtë Shqipërisë nga shtetasit shqiptarë ose nga rezidentët në vend. Ndërkohë nga lehtësirat fiskale të përfitojë dhe kategoria e të verbërve.

“Parashikon që të gjitha ata që rezidentë tatimorë në Shqipëri, që gjerojnë të ardhura në vende të tjera të botës, këto të ardhura, janë të përjashtuara nga tatimi në vend. Ky është një ndryshim që shkon në linjë me tërheqjen e atyre pensionistëve që kanë dalë në pension në vende të tjera dhe kthehen në Shqipëri. Kemi bërë dhe një rregull ligjor që parashikon që ata që janë të verbër, do të kemi përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale”, tha Ibrahimaj.