Ndërkohë që ministrat njoftonin vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më pak se 10 protestues jashtë kryeministrisë përsëritën thirrjet për dorëheqje dhe i binin vuvuzelave. Ministrat Ibrahimaj e Gonxhe thonë se qeveria i ka parasysh kërkesat e tyre, por nuk ka pse të dorëhiqet pasi është votuar shumë shumica e shqiptarëve.

***

Këtë herë ministrat i njoftuan vendimet e qeverisë nën situatë që nuk ishin ndeshur më parë. Një grup protestuesish, që qëndrojnë gjatë gjithë kohës poshtë zyrës së kryeministrit Rama, i pritën me thirrjet për dorëheqje.

E para u pyet për një qëndrim ishte ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, e cila për kërkesat e tyre që artikulohen tashmë prej 26 ditësh në shesh, u përgjigj kështu: "Përgjigjja ime tregohet me numrin e akteve që prezantuam e kemi miratuar sot në mbledhjen e qeverisë. Jemi në një proces që kërkon vëmendje maksimale. Jemi në një garë me veten për Shqipërinë, për ta integruar në BE. Është një kalendar me një numër shumë të madh aktesh që duhet t’i miratojmë deri brenda vitit 2027. Është një punë e jashtëzakonshme që qeveria dhe administrata publike po bëjnë çdo ditë dhe çdo natë. Shoh që janë një numër qytetarësh që janë duke thirrur me zë të lartë teksa unë jam duke folur, por janë 850 mijë qytetarë që kanë zgjedhur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për drejtimin e vendit."

Ndërsa ministri i turizmit Blendi Gonxhja tha se pavarësisht se detyra e ekzekutivit është t’i dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, e konsideroi të pavend kërkesën për dorëheqjen e qeverisë, 1 vit pasi ka marrë votëbesimin e qytetarëve.

“Ne po analizojmë, po reflektojmë në çdo aspekt për çfarë është e mundur, që ne të bëjmë ç’ është e mundur që të kemi një proces vendimmarrjeje sa më të mirë për qytetarët tanë. Mund të ketë momente që ne mund të jemi edhe më kritikë ndaj vetes.Tani të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet kalon përtej meje si Blend, kalon përtej meje si ministër. Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë, por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”,- tha Gonxhja.

Protestat po vijojnë dhe më datë 4 organizatorët kanë njoftuar një protestë kombëtare, ndërsa kryeministri Rama duket i vendosur të mbajë drejtimin e qeverisë, pasi siç thotë nuk do ta braktisë objektivin për Shqipërinë në BE në 2030-n.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:55
VKM/ Miratohen 300 kuota kredish të buta për policë, arsimtarë, infermierë e ushtarakë

Qeveria ka miratuar 300 kuota kredish të buta me normë interesi 0% për punonjësit e administratës publike duke u krijuar mundësi më të lehta për financim dhe strehim.

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj njofton se nga këto kuota kredish do të përfitojnë 6 kategori punonjësish të administratës.

“Morëm vendim për administratën publike, miratuam kuotat e rreth 300 kredive të buta me normë interesi zero. Policia e Shtetit, ajo e burgjeve, arsimtarëve, mjekëve dhe ushtarakëve, që do të kenë nga 70 kuota", tha Ibrahimaj. 

Nga 70 kuota kredie janë ndarë për punonjësit e policisë, arsimtarët, mjekët, infermierët dhe ushtarakët. Ndërsa 20 kuotat e tjera do të shkojnë për policinë e burgjeve.

Ora 17:09
Protestat në Tiranë/ Ministri Gonxhja: Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë, pritshmëritë e larta të qytetarëve nuk përputhen me realitetin

1782486591_ytduiooo.jpg

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur ditën e sotme pas mbledhjes së qeverisë edhe për protestat që po zhvillohen në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Gonxhja tha se gjatë qeverisjes së PS, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara.

Më tej Gonxhja tha se qeveria socialiste nuk duhet të dorëhiqet dhe të lërë punët e nisura në mes. Sipas ministrit Gonxhja, niveli i lartë i pritshmërive të qytetarëve sot, nuk përputhet me realitetin. Por sipas tij, kjo s’do të thotë se duhet hedhur poshtë gjithçka e arritur gjatë këtyre viteve.

“Unë jam vetë i lidhur shumë edhe historikisht, por edhe shpirtërisht me protestën si institucion. Jam matur shumë, në shumë prej daljeve të mia, si ne po analizojmë, si ne po reflektojmë, në çdo aspekt. Të bëjmë ç’është e mundur që të bëjmë një proces vendimmarrës në vend, i cili të jetë jo vetëm sa më i mirë për qytetarët tanë, por edhe sa më në standard për atë që është së afërmi Shqipëria në BE. Mund të jemi edhe më kritikë ndaj vetes.

Tani të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet kalon përtej meje si Blend, kalon përtej meje si ministër. Ne kemi shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve, karshi vendit, karshi një kontrate që përfaqësojmë këtu. Është në respekt të vetë, protestës që ne të sillemi me përgjegjësi ndaj atyre që na kanë votuar. Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Vetëm kështu mund të mendojmë se mund të kemi një rezultat më të mirë. Nuk ka asnjë mundësi që të kemi një Shqipëri perfekte befas, menjëherë dhe në kaq pak vite të një periudhe kur PS-ja, kur shumë institucione që i kanë besuar PS-së kanë kaluar sfida të cilat ju i dini shumë mirë.

Mund të themi me zë të lartë që mandatet që kemi kaluar, kanë qenë të ndikuara e të kushtëzuara nga tërmeti, pandemia. Janë dashur vite e vite, që ne jemi përpjekur që të superojmë, që të përballojmë një prej situatave më të vështira që bota ka kaluar. Shqipëria i ka superuar këto situata, Shqipëria sot është në këmbë, Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë. Por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”, tha mes të tjerash Gonxhja.

Ora 16:48
Mbledhja e Qeverisë/ Protestuesit mblidhen para godinës së Kryeministrisë, i bien vuvuzelave gjatë fjalës së ministrave

Disa protestues kanë dalë me flamujt Kombëtar pranë Kryeministrisë, ndërkohë që pritej dalja e ministrave nga godina, për të folur për marrjen e vendimeve të marra.

Teksa ministrat po flisnin, protestuesit po u binin vuvuzelave dhe po thërrisnin në kor 'qeveri hajdute'.

Ministrat e qeverisë së kryeministrit Edi Rama morën pjesë ditën e sotme në mbledhjen e Qeverisë, ku u morën disa vendime të rëndësishme, mes të cilave edhe indeksimi i pensioneve me 2.7%.

Ora 16:27
Sezoni veror/ Gonxhja: Tarifat në plazhet publike që menaxhohen nga bashkia 400 deri në 1 mijë lekë, ndikojnë edhe çmimet e privatit

Tarifat në plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë do të jetë nga 400 deri në 1 mijë lek. Ministri Blendi Gonxhe tha se kjo tarifë do të përdoret për mirëmbajtjen dhe ruajtjen nga erozioni të bregdetit si dhe pastrimin. Tarifa vlen vetëm për ato plazhe publike ku bashkia ka vendosur shërbimet si çadra e shezlongë.

“Numri i vizitorëve në vendin tonë është në nivele rekorde që nuk i kemi parë më parë. Kemi një risi të rëndësishme sivjet, përsa i takon menaxhimit të stacioneve të plazheve, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg përsa i takon çmimeve dhe tarifave. Dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore. Krahas plazhit të virgjër, kemi edhe tipologjinë e plazheve, që disa bashki i kanë vendosur të gjitha shërbimet, edhe çadra, edhe shezlonge, apo dushe, i cili në disa prej bashkive është tarifuar në 700 lekë apo 1000 lekë. Kjo në varësi të plazheve.

Sepse kur shkojmë drejt jugut, drejt Ksamilit, natyrisht që kostot e mirëmbajtjes së këtyre plazheve, apo kostot që janë jashtë periudhës jashtë sezonit, për të mbajtur rërën, për të ruajtur plazhet nga erozioni, nga ndikimi i detit gjatë dimrit, etj, kostot që këto brigje kanë, janë shumë më të lartë. Për këtë arsye edhe kërkesa është më e lartë. Ka disa tarifa që janë pak më të larta. Tipologjitë e plazheve, kanë bërë që edhe plazhet private të ruajnë tavanet e çmimeve, për shkak të konkurrencës nga këto plazhe publike”, tha mes të tjerash Gonxhja.