Ministrja Koçiu: Rritëm me 4-fish buxhetin për trajtimin e sëmundjeve tumorale, akseleratorët e rinj shkurtuan listën e pritjes nga 3 muaj në dy javë

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësinë lidhur me situatën e ndodhur në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale. 

Ministrja Koçiu që në fillim të fjalës së saj u shpreh se “është pretendim i pavërtetë dhe dashakeqës se aparaturat e pajisura me substancë radioaktive si kobalti janë lënë korridoreve të spitalit, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe mjekëve nga rrezatimet. Aparatura ka qenë gjithmonë brenda kapsulës së saj mbrojtëse, duke bërë të pamundur përhapjen e rrezatimit”.

Ajo theksoi se instancave përkatëse të Institutit të Fizikës Bërthamore  janë të ngarkuar me matjen periodike dhe asnjëherë nuk kanë lexuar rrezatime jashtë normave të lejuara.

Koçiu theksoi se “vetëm në tre vitet e fundit, buxheti për sigurimin e barnave për trajtimin e tumoreve është rritur me 4-fish”.

“Buxheti për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për vitin 2024 është rritur me 42.3% krahasuar me vitin 2013.  Në vitin 2013, QSUT përballej me mungesë barnash dhe materialesh mjekësore bazë, jo më të flitej për mbulimin e sëmundjeve tumorale. Sot, buxheti i alokuar për barna dhe materiale mjekësore për QSUT në vitin 2024 është rritur me 28% krahasuar me vitin 2013”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.

Ajo vuri në dukje se çdo vit është shtuar lista e barnave nëpër spitale dhe ajo e rrjetit të hapur duke mbuluar sëmundje të përhapura si diabeti, sëmundjet onkologjike, ato kardiovaskulare  etj. 

“Tashmë është e mbuluar dhe linja e parë e terapisë për të gjitha llojet e kancereve dhe shumica e linjave të dyta e treta, si psh. për kancerin e gjirit , ate të ovarit, kolorektal, etj. me preparate bashkëkohore. Kjo e mundësuar dhe me anë të politikave për barna inovatore, të aplikuara me sukses prej disa vitesh.  Në vitin 2013 shpenzimet e rimbursimit për barnat tumorale zinin 8.1 %  të buxhetit të rimbursimit ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje arriti në 20.7%”, vijoi ministrja.

Gjithashtu, tha Koçiu, “shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale në QSUT zinin 20.57% të buxhetit total në vitin 2014, ndërsa në vitin 2023 zinin 36.97%.  Në vitet e fundit, Lista e Barnave me Rimbursim është pasuruar me 74 barna të reja, duke përfshirë 13 barna onkologjike. Për diagnozën e kancerit të gjirit, shpenzimet e rimbursimit kanë ardhur në rritje nga viti në vit, nga 4.4% shpenzimeve totale të rimbursimit ne 5.7 %”.

Sa i përket përmirësimit të kujdesit paliativ, Koçiu bëri me dije se janë përfshirë 92 barna me rimbursim.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se kimioterapitë, që më përpara kryheshin në kushte primitive vetëm në Onkologjikun e Tiranës, tashmë kryhen në shumë nga spitalet rajonale, duke reduktuar drastikisht kostot për qytetarët.

“Rinovimi i radioterapisë, instalimi i akseleratorëve linearë, blerja e pajisjeve që shpëtojnë jetë, shkurtimi i radhëve , plotësimi i nevojave të stafit, modernizimi i kushteve dhe apartaturave, ka ndikuar në reduktimin e vdekshmërisë nga sëmundjet tumoriale. Akseleratorët e rinj kanë shkurtuar listën e pritjes për marrjen e trajtimit me radioterapi nga 3 muaj në kohën tuaj, në dy-tre javë”, vijoi ajo.

Gjithashtu, Koçiu theksoi se Reparti ditor në Onkologjik dhe investimet në Depon Qendrore të Barnave ka ofruar një standard të ri për qytetarët që kryejnë seancat e kimioterapisë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu solli në vëmendje edhe një sërë programesh parandaluese për depistimin apo identifikimin e hershëm, të tumoreve të gjirit, qafës së mitrës që kanë rritur numrin e tumoreve të diagnostikuara në stade të hershme e rrjedhimisht, edhe numrin e tumoreve të kuruar plotësisht.

Ndërsa sa i përket rekomandimeve të KLSH-së, ministrja tha se shumë prej këtyre rekomandimeve janë adresuar ndërkohë dhe të tjera janë në proces trajtimi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:41
'Ilaçeve iu fshi skadenca dhe u rifutën në sistem', drejtoresha e Farmacisë së QSUT për akuzat e opozitës: S'është e vërtetë, terapia e kimios i dorëzohet Kryeinfermieres

 

Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Mirela Rexhepi ka hedhur poshtë akuzat e deputeteve të opozitës,  Zhani Gjergji dhe Albana Vokshi duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të fshihet apo ndryshohet data e skadencës për barnat pasi çdo veprim kryhet online”.

Gjatë seancës dëgjimore sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale me praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Rexhepi deklaroi se sistemi informatik nuk varet nga QSUNT, por kontrollohet dhe verifikohet nga AKSHI.

“ Në 18/04/23 ka ardhur një sasi donacioni e cila është e ruajtur në spital  dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të ndërrohet data e skadencës. Donacioni ka ardhur nga Italia në vijim të një marrëveshjeje që shteti ka me Italinë për medikamente. Pasi vijnë në Shqipëri kolaudohen, pajisen me pullë nga Agjencia e Barnave e cila siguron cilësinë e barnave dhe vetëm pasi kolaudohet hyn në farmaci dhe përdoret për pacientët. Në momentin që kalon datën e skadencës është e pamundur që ilaçi të përdoret dhe t’i ndryshohet data”, nënvizoi drejtoresha e Farmacisë së QSUNT-së.

Rexhepi sqaroi se “Farmacia ka detyrimin që komunikimin ta ketë me shefat e shërbimit dhe nuk kemi kontakt me pacientët. Ne njoftojmë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me shefat e shërbimeve”.

“Ju siguroj se nuk ka ndodhur ndryshimi i datës së skadencës”, ritheksoi Rexhepi duke i cilësuar të pavërteta deklarata e kryetares së Komisionit dhe dhe deputetes Vokshi.

Gjithashtu, Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Rexhepi sqaroi se “për Spitalin Onkologjik, dalja e barnave behet përmes një makine frigoriferike dhe i dorëzohet kryeinfermierit. Asnjëherë nuk ndodh që të dorëzohet terapia e kimios tek vetë pacienti. Pasi dorëzohet receta, përgatitet nga 3 farmacistë. Kërkesa për barna bëhet përmes një recete me dy kopje ku njëra ruhet në farmaci dhe tjetra në kartelën klinike”.

Ora 14:39
Skandali te Onkologjiku, Koçiu: Ishin një dru i shtrembër, fenomen i shëmtuar

 

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, i ka konsideruar “një dru i shtrembër” mjekët e Onkologjikut, të cilët akuzohen për pazare me pacientët me tumor. 

Në Komisionin e Shëndetësisë, ministrja Koçiu u shpreh se bluzat e bardha nuk kanë lidhje me këtë fenomen, të cilin e konsideroi të “shëmtuar”, duke shtuar se largimi i tyre do të forcojë mekanizmat për të treguar respekt të pacientëve.

Sistemi shëndetësor publik patjetër që ofron dinjitet për të gjithë pacientët. Ka nevojë për përmirësim?

Patjetër që po! Bluzat e bardha nuk kanë lidhje me këtë fenomen të shëmtuar, Siç kemi drurë të shtrembër kudo, patjetër do na dalin dhe rrugës, secili nga ne duhet të reagojë. Nuk mendoj se largimi i tyre do të bëjë çudira, por patjetër do të tregojë që duhet të forcohen mekanizmat për të treguar respekt të pacientëve.

Ata mjekë që ndodhi ajo që ndodhi do të jenë përgjithësim i sistemit, ishin një drurë i shtrembër në sistem, prokuroria do të bëjë hetimet.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Zjarr në Nartë, digjen disa dyqane, rrezikohen nga flakët edhe banesa të tjera

Vlorë/ Zjarr në Nartë, digjen disa dyqane, rrezikohen nga flakët edhe banesa të tjera