Duke nisur nga muaji shtator, kontrollin bazë falas do të mund ta kryejnë edhe të moshuarit mbi 70-vjeç, të cilët deri më tani nuk lejoheshin. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala paralajmëroi një vendim qeverie i cili do ta heqë kufizimin e sipërm moshor.

“Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo  qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese”,- tha Sala.

Gjatë një bashkëbisedimi me të moshuarit në qendrën sociale ditore në Pogradec, ministrja prezantoi edhe Linjën e parë të Këshillimit për të Moshuarit.

“Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor, apo social për të cilin kanë nevojë. Synimi ynë është që asnjë i moshuar të mos mbetet pa informacion dhe pa akses në shërbimet publike”,- deklaroi Sala.

 Ministrja tha se po punohet për ngritjen e shërbimit të Geriatrisë. Ky shërbim do të ofrojë kujdes të specializuar për të moshuarit, fillimisht në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", për t'u shtrirë më pas edhe në spitalet rajonale.

Sipas saj, shërbimi i Geriatrisë do të koordinojë kujdesin për të moshuarit që vuajnë nga disa sëmundje njëkohësisht, si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe patologji të tjera kronike, duke i trajtuar në mënyrë të integruar.

“Ka diabetin, ka zemrën, ka kështu. Këtu unë kam nevojë për një specialist që lidh të gjitha shërbimet e kujdesit për moshën e tretë”,- tha Sala.

Në të gjithë vendin tha Sala kanë nisur kontrolle për të verifikuar zbatimin e orarit zyrtar të punës nga personeli mjekësor dhe garantimin e ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve.