Misioni PD/Pse Berisha dhe Basha po paralajmërojnë protesta për rrëzimin e njëri-tjetrit?

Misioni PD/Pse Berisha dhe Basha po paralajmërojnë protesta për rrëzimin e njëri-tjetrit?

Nga Foltorja e radhës së Elbasanit, Sali Berisha kërcënoi politikisht SHBA-të se pas turit që ka ndërmarrë nëpër rrethe, Partia e Demokratike, do të përgatitet për protestat më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi deri në rrëzimin e Edi Ramës (në fakt të Lulzim Bashës).

Protestat kanë qenë dhe mbeten ‘arma’ kryesore si aksion i Berishës, e para për të rritur ‘andrenalinën’ në radhët e përkahësve demokratë, dhe e dyta, përmes tyre për të përmbushur qëllimet e tij politike.

Deklarata e Berishës vjen në të njëjtën ditë, kur edhe Lulzim Basha paralajmëroi se nën drejtimin e tij opozita do të organizojë protesta të fuqishme deri në rrëzimin e qeverisë ‘Rama’ (në fakt të lëvizjes ‘Berisha’ në PD).

Por, a mund të ketë një bashkim mes tyre në protestat kundër qeverisë? Nëse jo, siç pritet të ndodhë, cila prej protestave do të jetë më e fortë që të “rrëzohet Berisha ose Basha” (kur dihet që në 8 vite kur ata ishin bashkë nuk ia dolën dot të rrëzonin qeverinë).

Fakti që protestat paralajmërohen në të njëjtën ditë do të thotë se ka thjesht një rivalitet të fortë në PD, mes Lulzim Bashës dhe kundërshtarëve të tij që janë të përçarë apo edhe të demoralizuar pas humbjes së tretë radhazi, bashkimin dhe rikthimin e besimit të të cilëve, si ndryshim krahasuar me tetë vitet e fundit, e ka marrë në dorë, Sali Berisha. Paralelisht ka edhe një frikë për krijimin e një të djathte të re, të cilën Perëndimi kërkon që t’i qëndrojë sa më larg “diellit” dhe “vatrës” së Sali Berishës.

Pas përjashtimit të papritur nga partia që ngriti dhe frymëzoi për tri dekada, Berisha kërkon të ‘rilindë’, ose të tregojë minimalisht se nuk ka ‘vdekur’ politikisht. Dhe më e rëndësishme se kaq, ai kërkon të tregojë se është një politikan që nuk dorëzohet dhe thyhet kurrë lehtë përballë çdo faktori, vendas apo i huaj qoftë ai.

Beteja e ndezur brenda PD-së, e cila ka si qëllim largimin e Bashës dhe mbështetësve të të ngushtë, për t’i zëvendësuar nën bekimin e tij me të pakënaqurit e shumtë (Topalli, Nishani, Imami etj), Berishës i intereson për disa arsye.

Berisha dyshon se Basha pasi e përjashtoi nga partia, me ndihmën dhe me garancinë e SHBA-ve do të rithemelojë një të djathtë të re, çka do ta linte atë veç të tjerave edhe në harresë historike, prandaj edhe u shpreh i vendosur nga Elbasani se Partia Demokratike, nën derigjimin dhe frymëzimin e tij, së shpejti do të ketë një kryetar të ri. Para shkarkimit si kryetar nga partia, Berisha po e kërcënon hapur Bashën se do të zbardhë përgjimet që ai mban, nëse nuk i dorëzon selinë dhe logon.

A do të jetë ai kryetari i ri i PD-së, apo një tjetër? Berisha pas pritjes që përkahësit e tij i rezervuan në disa qarqe nuk e përjashton një mundësi rikthimi. Vetëm me rikthimin në krye të Partisë Demokratike, Berisha e sheh veten të mbrojtur politikisht me “imunitet” kombëtar dhe ndërkombëtar kundrejt akuzave të rënda që i ka ngritur SHBA. Ai beson se me rikthimin në krye të PD-së dhe rimarrjen e lidershipit të opozitës, akuzat e mundshme ligjore nuk do të mund të ngrihen dot kurrë ndaj tij.

Politikisht Berisha po luan kartat e fundit të mbijetesës së tij politike dhe ndoshta edhe të Partisë Demokratike, që ai drejtoi dhe trashëgoi, pasi sheh se po kërcënohet kohët e fundit nga shkrirja e mundshme.

Në plan ndërkombëtar, udhëheqësit e ish-vendeve sovjetike si Putin, Lukashenko, pas kritikave të Perëndimit për arrestimin e liderve të opozitës mund ta përdorin arrestimin e Berishës (akuzat e DASH) me rikthimin e tij të mundshëm në krye të opozitës, si një kartë vetëmbrojtjeje politike ndaj SHBA-së, madje mund të akuzojnë edhe më keq demokracinë më të zhvilluar në botë, për ndërhyrje të të tjerëve në punët e brendshme të një vendi tjetër.

Kurse një betejë e brendshme dhe e ashpër në radhët e partisë që qeverisi Shqipërinë për 13 vite, mbi gjendjen e së cilës përgjegjës kryesor është ai vetë (jo vetëm Basha), pavarësisht se cili do të jetë përfundimi i kësaj beteje, liderit historik të PD-së i intereson që të ngjallë shpresë tek elektorati historik, me qëllim që të pengojë SHBA-të në planin e tyre, para se të ngrihet ndonjë forcë e re e djathtë jashtë “orbitës” së Berishës.

Prandaj edhe plani dhe qëllimi kryesor i Berishës para se të ndodhë shkëputja përfundimtare e partisë prej tij është që me mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, të shkarkojë kreun aktual Lulzim Basha, të cilin e akuzon si bashkëpunëtor të Ramës dhe beson se e tradhtoi përballë SHBA-ve atëherë kur i duhej mbështetja e tij më tepër se kurrë më parë, për të mbajtur partinë të sigurt pas dhe rrotull tij.

Nga ana tjetër Lulzim Basha pas vendimit të vështirë për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së besohet se ka marrë nga SHBA garancinë e tyre se do të jetë ai faktori kryesor opozitar në vend dhe do të ndihmohet prej tyre, që të vijë në pushtet.

Lëvizja e Berishës paradoksalisht kërkon të bashkojë Partinë Demokratike, duke e ndarë atë me Lulzim Bashën e përkrahësit e tij, sikurse duke e cilësuar kreun aktual si njeriun më të pabesë, nuk e fsheh as faktin se ishte po ashtu më i promovuari politikisht prej vetë atij.

Pas pesë humbjeve radhazi, sfida e vërtetë e së djathtës që pretendon se është e vërtetë mbetet rithemelimi i një të djathte me frymë Perëndimore dhe Amerikane, pavarësisht se cili kryetar do ta udhëheqë atë, sepse e tillë është fryma e mbi 95 për qind të shqiptarëve.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr