Në Mitrovicë është mbajtur për herë të parë pas lufte një takim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të lagjes "Kroi i Vitakut", pa ndërmjetësimin e të huajve, por me organizimin e dy kryetarëve të dy komunave të Mitrovicës, jugores - Agim Bahtirit dhe veriores - Goran Rakiç.
Takimi është mbajtur në hapësirat e ndërtesës së administratës në "Lagjen e Boshnjakëve", në veri të Mitrovicës dhe në të ishin të pranishëm nga pesë përfaqësues të shqiptarëve dhe të serbëve, drejtoresha e Zyrës Administrative në veri të qytetit, Adriana Hoxhiç dhe komandantët e stacioneve policore, në pjesën jugore dhe në pjesën veriore të qytetit.
Fillimisht, ende pa hyrë shqiptarët në sallën ku u mbajt takimi, serbët refuzonin të merrnin pjesë në të, duke thënë se takimin e kanë menduar ndryshe. Por, ndërhyrja e kryetarëve Bahtiri e Rakiç, bëri që takimi të mbahet dhe ai kishte rrjedhë normale e të qetë, me përjashtim të dy rasteve kur situata u tensionua për shkak të diskutimeve jo konstruktive të disa pjesëmarrësve, bën të ditur njoftimi i dërguar nga komuna e Mitrovicës jugore.
Kryetarët Bahtiri e Rakiç u thanë përfaqësuesve të shqiptarëve dhe serbëve se, qëllimi i këtij takimi është që të bisedohet për problemet aktuale në lagje, për mënyrat dhe rrugët e zgjidhjes së tyre dhe për vazhdimin e jetës në fqinjësi të mirë, të serbëve dhe shqiptarëve.
Shqiptarët kërkuan vetëm të kthehen në pronat e tyre në lagje, duke i ndërtuar shtëpitë që u janë shkatërruar gjatë luftës dhe asgjë më shumë.
Serbët kërkuan që të pritet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe më pastaj të bisedohet për kthimin e shqiptarëve në veri dhe serbëve në jug, e kjo për shqiptarët ishte e papranueshme, sepse për ta kjo do të thoshte të politizohet procesi, që nuk është i tillë dhe që është dëmtuar vazhdimisht vetëm nga politika.
Pas bisedimit për rreth një orë në takimin e përbashkët, kryetarët Bahtiri e Rakiç vendosën që të bisedojnë veç e veç me shqiptarët e serbët, për të bërë përpjekje për të zbutur qëndrimet e palëve dhe për të arritur një marrëveshje lidhur me procesin e rindërtimit të shtëpive shqiptare në lagjen veriore "Kroi i Vitakut", në veri të qytetit.
Në takimet e ndara, shqiptarët sërish thanë se nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që askush nuk mund t'ua ndalojë, e që është kthimi i pakushtëzuar në shtëpitë e tyre, sepse kjo është e garantuar me ligje dhe konventa ndërkombëtare.
Serbët bënë lëshime duke mos e lidhur kthimin me Bashkësinë e Komunave Serbe, por kërkuan që t'u jepet mundësia që të pyesin komunitetin serb të lagjes, në mënyrë që të mos e marrin përgjegjësinë mbi vete, sepse, siç u shprehën, për këtë nuk janë legjitimë dhe legalë sa duhet.
Pasi shqiptarët u njoftuan me këtë qëndrim dhe me arsyetimin e serbëve lidhur me këtë nga kryetarët Bahtiri e Rakiç, ranë dakord që të presin deri më 20 maj, afat ky brenda të cilit serbët duhet të mbajnë takimin e qytetarëve në lagjen "Kroi i Vitakut"./atsh/