Qeveria greke pritet të ketë ndryshime të kufizuara gjatë javës së ardhshme, teksa kryeministri Kyriakos Mitsotakis përgatitet të emërojë dy zëvendësministra të rinj për të plotësuar vendet e mbetura vakant në kabinet.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, i cili deklaroi se njoftimet zyrtare pritet të bëhen të enjten, më 11 qershor.
Sipas tij, një nga emërimet lidhet me Ministrinë e Transportit, ku duhet të zëvendësohet Konstantinos Kyranakis. Ky i fundit la postin e zëvendësministrit pasi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë konservatore Demokracia e Re, duke marrë një rol kyç në strukturat drejtuese të forcës politike të Mitsotakis.
Ndryshimi i dytë do të bëhet në Ministrinë e Mjedisit dhe Energjisë. Vendi ka mbetur vakant pas ndarjes nga jeta të zëvendësministrit Nikos Tagaras, i cili humbi betejën me kancerin më 29 maj.
Deklaratat e Marinakis vijnë në një moment kur në mediat greke kanë qarkulluar zëra për një riformatim më të gjerë të qeverisë, pas disa zhvillimeve të fundit politike dhe mungesës së disa figurave të rëndësishme në ekzekutiv.
Megjithatë, zëdhënësi i qeverisë u përpoq të shuajë këto spekulime, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndryshime të thella në kabinet, por vetëm për plotësimin e dy posteve që aktualisht janë bosh.
Marinakis mohoi gjithashtu raportimet që flasin për zëvendësimin e Giorgos Mylonakis, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të kryeministrit Mitsotakis.
Mylonakis ndodhet aktualisht në një qendër rehabilitimi, ku po rikuperohet pas një aneurizme cerebrale që pësoi në muajin prill. Ai iu nënshtrua një operacioni që rezultoi i suksesshëm dhe sipas qeverisë pritet të rikthehet në detyrë sapo të përfundojë procesin e rehabilitimit.
Komente










