Mjedisi, Profesor Alfred Frashëri: Ja
pse zona e Vjosës nuk vlerësohet

Mjedisi, Profesor Alfred Frashëri: Ja<br />pse zona e Vjosës nuk vlerësohet
Krahina e Përmetit është e pasur me burime energjetike të rinovueshme, miqësore me mjedisin, të cilat presin të vihen në shfrytëzim për të siguruar një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm të krahinës.

Disa kilometra në juglindje të Permetit ndodhet fshati i mirënjohur i Bënjës, atje rrjedh edhe lumi i Lengaricës. Në të dy anët e lumit, tek ura e vjetër e Katiut, ndodhen 8 burime të ujërave termale, në shpat ndodhen shpellat prehistorike të Bënjës dhe Pëllumbit, si edhe kanioni fantastik i Lengaricës. Megjithë këto pasuri natyrore, ndoshta jemi i vetmi vend në rruzullin e Tokës, ku shteti nuk merret me zhvillimin e monumenteve të natyrës dhe ruajtjen e atyre të historisë.

Krahina e Përmetit është e pasur me burime energjetike të rinovueshme, miqësore me mjedisin, të cilat presin të vihen në shfrytëzim për të siguruar një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm të krahinës. Janë të shumtë edhe monumente të shquar të historisë dhe kulturës. Lumi Vjosa dhe lumenj të tjerë më të vegjël të krahinës kanë potencial hidroenergjetik të madh. Në krahinë ka edhe shumë burime ujërash nëntokësore, kryesisht në dy shpatet e luginës së Vjosës. Nga lumi i Lengaricës deri në lumin Sarandaporo shtrihet një brez gjeotermal, i cili vazhdon edhe tej në territorin grek. Në këtë brez ndodhen burimet gjeotermale të Bënjës në shtratin e lumit të Lengaricës, burimi i avullit në Postenan dhe burimet në grykën e Vromoneros në shpatin verior të lumit Sarandaporo.

Për t’i shfrytëzuar këto energji, si dhe atë të diellit e të erës me efiçiencë të lartë ekonomike ka ardhur koha që të ndërmerren studime dhe projekte që të kenë si drejtim kryesor mbështetjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm burimeve energjetike, mjedisore dhe kulturore, si edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.

Realizimi i këtyre studimeve dhe projekteve do të përmirësojë bilancin energjetik të krahinës dhe do të ketë impakte të rëndësishme për ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Burimet gjeotermale të energjisë së entalpisë së ulët si ato të brezit Bënjë-Sarandaporo përbëjnë bazën për përdorim të suksesshëm të teknologjive moderne për përdorim integral dhe kaskadë të kësaj energjie, miqësore me mjedisin, duke patur efektivitet ekonomik të mirë. Përdorimi integral nënkupton shfrytëzimin në kompleks të energjisë gjeotermale së bashku me energji të tjera të rinovueshme, si atë diellore, me sistemin e pompave të nxehtësisë ujë-ujë, si edhe në raste të veçanta edhe me energjinë e erës dhe të biomasave, pa përjashtuar lëndët djegëse për situata klimatike ekstreme. Shfrytëzimi kaskadë përfaqëson përdorimin e energjisë gjeotermale në të gjithë diapazonin e nxehtësisë së ujit të burimit, nga temperaturat më të larta deri sa të arrihet në temperaturën e mjedisit, kur uji nuk ka më nxehtësi të shfrytëzueshme.

Kjo zonë termominerale me bukuri të rrallë natyrore, e ndodhur pranë rrugës nacionale Përmet - Greqi, si edhe në afërsi të monumenteve të natyrës, të kulturës dhe të historisë, i ka të gjitha kushtet të kthehet në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare pushimi-ripërtritjeje-kurimi dhe turizmi ekologjik dhe kulturor, në një qendër gjeotermale nga më të mirat evropiane.

*) Prof. Dr. Alfred Frashëri
Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Turqia arreston mbi 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it

Turqia arreston mbi 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it