LEZHË- Mjekët e spitalit të Urgjencës në Lezhë kanë keqkuptuar premtimin e kryeministrit Edi Rama për bluzat e bardha, duke menduar se edhe ata do të përfitojnë nga shpërblimi prej 500-1000 euro për shkak të situatës së COVID-19. Për këtë arsye, ato kanë refuzuar shpërblimin prej 5 mijë lekësh që u është dhënë për muajin mars, duke u shprehur se janë të indinjuar për mungesën e vlerësimit. Ditën e sotme, mjekët dhe infermierët e urgjencës së Lezhës i kanë dërguar një peticion Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkojnë që të paguhen 500-1000 euro me argumentin se deri tani kanë trajtuar 14 pacientë me COVID-19 dhe janë mjaft të rrezikuar në punën e tyre.  

"Nuk na ka bërë shpërblimi që të punojmë 100%, por thjesht ça na kanë premtuar dhe ça u realizua, prandaj kemi vendosur që këtë shumë t'ua japim familjeve në nevojë. Ne do punojmë si me shpërblim si pa shpërblim. Kemi pas rreth 14 raste, puna është bërë fantastike, nuk ka pasur asnjë vdekje, që do të thotë shërbimi është bërë dhe do e bëjmë", tha një nga mjekët. Megjithatë, gjesti që duhet vlerësuar nga ana e tyre është se këtë shpërblim prej 5 mijë lekësh, t'u kalohet familjeve në nevojë që po përjetojnë një moment të vështirë për shkak të situatës së krijuar.

"Jemi njohur me shpërblimin që u është premtuar nga qeveria, por dje jemi lajmëruar se shpërblimi do jetë 5 mijë lekë të reja dhe ne të gjithë si staf, kemi vendosur që të shpërblim ta refuzojmë dhe t'i kalojnë për familjet në nevojë në këto ditë të vështirë. Nuk e dimë përse është ndryshuar shpërblimi, kështu ka ardhur nga Ministria. Spitali i Lezhës ka qenë gjithë ditën në gatishmëri të jashtëzakonshme, plus që me këtë rast gatishmëria ka qenë 120% ne kemi punuar dhe do vazhdojmë punën për t'i shërbyer të gjithëve", tha mjeku.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka sqaruar që do të përfitojnë nga ky shpërblim mjekët dhe infermierët që punojnë në spitalet COVID në Shqipëri, që aktualisht në funksion janë Spitali Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi". Gjithashtu përfitojnë vetëm mjekët dhe infermierët që shkojnë për vendosjen e tamponëve që marrin analizat tek zona e blinduar e infektivit, sanitarët dhe shoferët e ambulancave.

"Mjekët dhe infermierët e angazhuar në sistemin e vijës së parë në luftën frontale me koronavirusin që shkojnë për vendosjen e tamponëve që marrin analizat tek zona e blinduar e infektivit, do t'i paguajmë 1 mijë euro plus në muaj deri në mbarimin e epidemisë. Dhe sanitarët dhe shoferët, 500 euro plus", ka thënë më herët Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Peticioni i mjekëve të Lezhës/ Meta: Nuk nxitohem të bëj koment se s'kam informacion zyrtar, por i bindur se premtimi i qeverisë do mbahet (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur që të mos japë një koment sa i përket rastit të mjekëve të Urgjencës së Lezhës të cilët sot kërkuan që të bëheshin pjesë e mjekëve që do marrin shpërblim 500-1000 euro. Meta tha se për këtë nuk mund të bëjë vlerësime pasi nuk ka një informacion të saktë, por ka theksuar se është i bindur se premtimet do të mbahen!

"Nuk dua të nxitohem që të jap vlerësime për të cilat nuk kam informacion të plotë, të saktë dhe zyrtar. Dua të përshëndes ekipin e mjekëve dhe infermierëve të Lezhës për punën që ata kanë bërë pasi ata janë ndeshur me këtë pandemi, janë rrezikuar disa prej tyre, por për fat të mirë situata tani është vendosur në kontroll. Unë besoj se premtimet që janë bërë do mbahen ndaj të gjithëve dhe në radhe të parë ndaj mjekëve dhe infermierëve", tha Meta.

Ora 09:56
Peticioni i mjekëve të Lezhës/ PD: Rama i mashtroi publikisht! Tallet duke 'shpërblyer' me nga 5 mijë lekë

Pas kërkesës së mjekëve për t'u përfshirë në skemën e shpërblimit prej 500-1000 euro gjatë COVID-19, ka ardhur edhe reagimi i PD-së! Në deklaratën e tyre, PD e cilëson si një mashtrim nga Rama.

"Partia Demokratike dënon aktin e mashtrimit të Rilindjes për pagat e mjekëve dhe infermierëve. Ai që qeverisë nga "burgu" i Surrelit me facebook shqiptarët, mashtroi publikisht, duke iu dhëne si shpërblim personelit shëndetësor të Lezhës jo 1000 euro për doktorët dhe 500 euro për infermierët, por tallet duke i "shpërblyer" me nga 5 mijë lekë. Protesta e bluzave të bardha të Lezhës ka gjithë mbështetjen e PD, si reagim ndaj sakrificës së tyre dhe të së drejtës së shpërblimit përballë rrezikut ndaj pandemisë nga Coronavirus. PD i bën thirrje Edi Ramës të mbajë premtimin për shpërblimin e mjekëve si detyrim ndaj punës së shkëlqyer që po bëjnë dhe të ndalë panikun që përhap vetë nga bodrumi i Surrelit", thuhet në njoftimin e PD.