MOBILIZIM/ Meta dekreton dhurimin e apartamenteve për familjet e viktimave! Basha: Lehtësi fiskale për bizneset e prekura nga tërmeti

MOBILIZIM/ Meta dekreton dhurimin e apartamenteve për familjet e viktimave! Basha: Lehtësi fiskale për bizneset e prekura nga tërmeti

Foto ilustruese

 Që prej 26 nëntorit, politika ka vazhduar të takojë banorët që janë prekur nga tërmeti.

Ditë e sotme, kreu i PD-së Lulzim Basha ka takuar bizneset e prekura nga tërmeti, ku ka theksuar se duhet të ketë lehtësira për ta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
Të rinjtë shqiptarë në Turqi dhurojnë 912 çanta të mbushura me mjete shkollore, për nxënësit në Durrës

 

Lidhja e Rinisë Shqiptare në Turqi sjell ndihma për nxënësit e shkollave në qarkun e Durrësit të cilët u prekën nga tërmeti i rënë më 26-nëntor. Ndihma konsiston në mjete didaktike për mbarëvajtjen e procesit mësimor si lapsa, fletore e mjete të tjera shkollore. Në total kjo shoqatë ka dhuruar 912 çanta të mbushura me artikuj të ndryshëm, ndërsa transporti është bërë nga Gjysmë Hëna Turke. Çantat ju dhuruan klasave fillore, klasa e pare deri ne te pestën. Po ashtu u dërguan çanta në shkollën me aftësi te kufizuar Durrës, Shkollën "Riza Shera" Rade, Shkollën "Zyrber Sallaku" Manëz dhe shkollën "Rexhep Mezini" Ishëm.

Ora 15:45
Durrës, Basha: Dështimi i qeverisë, mund të përsërisë tragjedinë e Thumanës


Në Katundin e Ri, pjesë e Bashkisë së Durrësit, dëmet në pallate dhe shtëpi private janë të mëdha, por edhe bashkia, edhe qeveria janë inekzistente, sipas PD-së. Disa prej banorëve sipas zyrës së shtypit të PD-së i treguan të revoltuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se askush nuk do t’ia dijë për ta, megjithëse pallati i tyre me dhjetëra familje rezulton zyrtarisht i pabanueshëm. “Akt konstatimi, 2 dhjetor, pallat i pabanueshëm nga rënia e tërmetit, firmosur nga Zhyljen Varfaj”- lexoi zoti Basha dokumentin që i tregojnë banorët, të cilët pohojnë se nuk kanë marrë as bonuse për qeranë, as çadra për strehim. “U bënë kaq ditë nuk erdhi kush të na thotë ku banoni, a jetohet aty. Deri tani është strehuar vetëm 1 familje nga 1 shoqatë fetare”- thanë banorët, duke pohuar se kanë nisur të futen sërish brenda në pallat dhe në shtëpi të dëmtuara, por të pa certifikuara për shkak të pamundësisë për të qëndruar në të ftohtë dhe shi.

Dukë u kërkuar banorëve të mos vënë në rrezik jetën, Basha tha se një sjellje e tillë e papërgjegjshme nga ana e qeverisë dhe bashkisë, mund të çojë në përsëritjen e tragjedisë së Thumanës.  “Porosia ime si bashkëqytetar është mos u fusni në objekte të cilat nuk kanë certifikim. E kam parë me sytë e mi se çfarë ndodhi në Thumanë. Ajo që ndodhi në Thumanë ishte plotësisht e shmangshme. Nëse shteti do të kishte bërë detyrën e vet dhe do t’u kishte thënë atyre banorëve “mos u fusni”, ata 24 njerëz nuk do të ishin nën tokë“- u shpreh Basha i shqetësuar nga situata e krijuar në katundin e Ri për shkak të neglizhencës dhe dështimit të qeverisë për të strehuar banorët.

“Duhet patjetër që çdokush të strehohet. Edhe verë po të ishte jo më në dimër është detyrë e shtetit të strehojë personat që kanë mbetur pa strehë. Jo vetëm që është prishur e rrënuar shtëpia, por edhe ata të cilët shtëpia u është konsideruar e rrezikshme dhe nuk u është dhënë akoma çertifikata e sigurisë. Por që të ndodhë kjo, gjëja e parë që duhet të ndodhë është që shteti të caktojë para’, prandaj është shpallur gjendja e emergjencës. Jo që të bëjë pelivanin nëpër Shqipëri, por të caktojë para dhe me ato para të merret banesa me qera dhe u jepet familjeve që kanë nevojë. Ai që ka në dorë sot buxhetin dhe vendimet, një gjë duhet të bëjë, të ndalë spektaklin mbi vdekjen, sepse ka filluar të bëjë spektakël me vdekjen, dhe t’u vijë në ndihmë njerëzve.”- tha Basha. Në Katundin e Ri banorët thanë se që pas tërmetit, jetojnë me 2 orë drita në ditë, pasi energjia elektrike u ndërpritet sapo bie nata. “Jemi kthyer në kohën e qiriut”-tha një banor.

Ora 15:42
Kryebashkiaku i Brukselit në Pezë/ Veliaj: Solidaritet me Tiranën, rindërtojmë shkollat dhe shtëpitë e dëmtuara

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe homologu i tij, kryebashkiaku i Brukselit, Philippe Close e kaluan ditën e sotme në Pezë, ku së bashku shpërndanë ndihma ushqimore, veshje dhe pajisje të ndryshme për të prekurit nga tërmeti, si dhe vizituan mjediset ku janë sistemuar nxënësit e shkollës “16 Shtatori”, e cila do rindërtohet nga e para.

Veliaj falenderoi kryebashkiakun e Brukselit që zgjodhi ta kalojë vizitën e tij në terren për të parë nga afër situatën që la pas tërmeti, por edhe për t’i shërbyer familjeve të prekura. “I jam shumë mirënjohës atij dhe stafit që ka ardhur nga Brukseli. Në vend që të takoheshim në zyrë, vendosëm të dalim në terren, ku kemi parë disa operacione: pamë një përpjekje fantastike të disa kuzhinierëve me famë nga SHBA-të, që po gatuajnë për të gjithë fëmijët dhe familjet në nevojë të Pezës; pastaj, patëm një vizitë aty ku kemi transferuar nxënësit e shkollës “16 Shtatori”, një hapësirë provizore ku fëmijët kanë filluar menjëherë jetën normale sepse pas tërmetit është e rëndësishme që të gjithë çunat dhe gocat të fillojnë shkollën, të dalin me 10-ta, edhe të japin sinjalin se jeta vazhdon”, tha ai.

Më tej, dy kryebashkiakët vizituan edhe disa nga shtëpitë dhe institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Patëm mundësinë të shikonim shtëpinë e Pranverës, për të kuptuar dimensionin e asaj që ndodhi; pra, ne kemi humbur shkolla, kopshte e çerdhe, por kemi humbur edhe shtëpi. Por, ama ka një solidaritet jo vetëm brenda vendit, por edhe nga shumë miq, duke filluar nga Brukseli deri në SHBA, që janë këtu për të dhënë një dorë. Mezi pres që bashkë me Filipin, të planifikojmë si të rikuperojmë një nga shkollat e dëmtuara. Në të gjithë territorin e Tiranës janë 10 shkolla që kanë nevojë të ndërtohen nga e para dhe besoj se shprehja “trimi i mirë me shokë shumë” apo “trimi i mirë në ditë të vështira”, vlen sot për marrëdhënien që kemi me Brukselin dhe kryetarin fantastik të Bashkisë, Filipin”, vijoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philippe Close shprehu solidaritetin e plotë me Shqipërinë në momentet e vështira që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa theksoi se faza e rindërtimit është dhe një mundësi e mirë për t’i bërë gjerat më mirë dhe për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.

“Ne solidarizohemi me popullin e Tiranës dhe rreth Tiranës, sepse nga tërmeti viktimat e para janë gjithmonë njerëzit e varfër; kanë probleme me strehimin, me shkollat dhe ajo që po bëni në këto 3 javë pas tërmetit të 26 nëntorit është vërtetë fantastike. Ju e dini se kur ndërtojmë diçka pas tërmetit, është gjithashtu një mundësi. Si kryebashkiak i Kryeqytetit Europian, kam një mesazh shumë të rëndësishëm për t’jua përcjellë: ne jemi shumë solidarë me të gjithë popullin sepse e dimë që kjo mund t’i ndodhë kujtdo, jo vetëm tërmetet, por çdo katastrofë. Mesazhi i dytë është i rëndësishëm si anëtar i Këshillit dhe anëtar i BE, që t’u dërgojmë të gjithë shqiptarëve solidaritetin e qytetarëve europianë, sepse Shqipëria është pjesë e Europës dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha kryebashkiaku i Brukselit.

Ora 11:31
Meta dekreton ligjin për dhurimin e apartamenteve për familjet e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit

1575986213_1575796973meta.jpg

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka dekretuar ligjin që bën fjalë për aktin normativ në Qeverisë, për të dhuruar 17 apartamente për familjet që kanë humbur të afërmit në tërmetin e 26 nëntorit.

Përmes këtij dekreti, Meta i hap rrugë më tej, dhurimit të apartamenteve për familjet që humbën të afërmit e tyre gjatë tërmetit.

Kujtojmë se një pjesë e këtyre familjeve, tashmë janë futur në banesat e reja, ndërsa që pritet që edhe familjet e tjera të strehohen në apartamentet e dhuruara nga qeveria.

Dekreti i Presidentit Meta për dhurimin e banesave 
Ora 10:37
“5 propozimet për Rimëkëmbjen”, Basha: Bizneset e prekura nga tërmeti duhet të kenë lehtësi fiskale (VIDEO)

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi në takime me biznese të prekura nga tërmeti në Durrës se ata duhet të përfitojnë lehtësi nga qeveria.

Opozita ka propozuar një plan me 5 pika, që sipas saj, ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.

“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.

2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,

3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.

5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve. “

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, - u shpreh zoti Basha.

Duke sjellë në vëmendje rastin e Italisë, kreu i opozitës vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria,  biznesi do të vuajë pasoja të rënda.

“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”

Basha tha se në rast se nuk ndihmohet biznesi, atëherë gjërat vijnë zinxhir dhe pasojat e krizës i vuajnë të gjithë.

“Kur themi biznes krijojmë keqkuptime, biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë”, - deklaroi kreu i opozitës.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy