Komisionerja e Lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, Federica Mogherini tha se zgjidhja e çështjes së programit bërthamor të Iranit "nuk ka qenë kurrë më afër", por se ka ende mosmarrëveshje rreth detajeve të rëndësishme, raporton Anadolu Agency.
 
Komisionerja Mogherini ka udhëtuar në qytetin zviceran Lozanë, ku po mbahen negociatat ndërmjet delegacioneve të Iranit dhe grupit 5+1, përkatësisht delegacioni i pesë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe Gjermanisë.
 
"Ka gjëra që ne ende kemi për të negociuar. Ne do të përpiqemi gjatë fundjavës të zgjidhen këto mosmarrëveshje. Unë nuk do të flas në lidhje me detajet e negociatave, sepse nuk është koha për këtë. Shpresoj për suksesin në ditët e ardhshme", u tha Mogherini gazetarëve në Lozanë.
 
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me pritjet e negociatave aktuale, Mogherini tha se është optimiste dhe se përndryshe nuk do të kishte qenë pjesë e tyre.
 
Duke theksuar se në javët e kaluara është arritur progres i madh në negociatat, Mogherini ka thënë se zgjidhja e përhershme e çështjes së programit bërthamor iranian përfshin gjetjen e garancisë se Irani nuk posedon armë bërthamore, se nuk zhvillon teknologjinë bërthamore në atë drejtim, por se ka mundësinë që industrinë bërthamore të zhvillojë për qëllime paqësore.
 
Negociatave në Zvicër ju është bashkangjitur edhe shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter Steinmeier, i cili bisedimet në fjalë i krahasoi me ngjitjen në majat e Alpeve zvicerane, dhe shtoi se "iu është afruar fundi" negociatave që zgjasin mbi një dekadë.
 
"Irani ka të drejtë të zhvillojë industritë bërthamore për qëllime paqësore, por nuk ka të drejtë për bombë bërthamore. Kam ardhur me qëllim që të arrijmë marrëveshje të qëndrueshme. Prandaj përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme se afatet kohore", tha ministri i jashtëm francez Laurent Fabius, i cili gjithashtu udhëtoi në Zvicër.
 
Negocitava do t'iu bashkëngjiten ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Kinës.
 
Negociatat aktuale në Zvicër kanë për qëllim që deri në fund të marsit të arrihet marrëveshje kornizë mbi çështjen bërthamore të Iranit, ndërsa afati i fundit për arritjen e zgjidhjes përfundimtare është 1 korriku i këtij viti.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)