Moikom Zeqo i zgjedhuri i artit të ri për të shikuar përtej

Moikom Zeqo i zgjedhuri i artit të ri për të shikuar përtej

Moikom Zeqo me veprat e veta ka treguar se është virtuoz në përdorimin e fjalës, të mjeteve stilistike dhe në shestimin e figurave artistike. Nëse krijimtaria e tij shquhet për njëfarë “rebelimi artistik”, kjo për arsye se atij nuk i pëlqejnë kufizimet, ai është njeri i lirë dhe liria është bukuria më sublime për të cilën ia vlen të jetosh, e cila të bën të ndjehesh njeri, kur shijon gjithë erëmirat brenda saj.

Figurat stilistike, sidomos metaforat “e pabindura” vlojnë si në zjarr në poezinë e Moikom Zeqos, por ato nuk derdhen prej saj, shkojnë këndshëm tek lexuesi dhe ndezin aty zjarr me zjarrin e poetit. Ky raport bën fjalë për harmoni, marrëveshje me njerëzit dhe kuptueshmëri të plotë. Shkrimtarët tanë të Rilindjes e realizuan këtë nëpërmjet një depërtimi të mahnitshëm tek njerëzit, bashkëveprimi me të cilët garantoi ngritjen e shtetit shqiptar.

Letërsia jonë e sotme më cilësore, siç është edhe ajo e Moikom Zeqos, është në sintoni të plotë me atë të Rilindjes Kombëtare, qoftë për nga idetë, nga mesazhet, nga qëllimet, nga filozofia  ku mbështetet dhe konceptimi artistik për trajtimin e tyre dhe, fakti që kjo sintoni anashkalohet për ta gjetur diku më larg në kohë dhe hapësirë, nuk e bën atë më tepër universale nga sintonia me letërsinë dhe pikëpamjet artistike të rilindasve tanë të shquar. Moikom Zeqo është në sintoni me rilindasit, mirëpo ndonjë studiuesi apo kritiku kjo u duket pak për të pohuar universalizmin e Moikom Zeqos...

Nuk na çudit aspak përputhshmëria pothuajse e plotë me Ndre Mjedën, sepse nuk kemi thjesht citimin e njërit prej tjetrit, por një konkluzion logjik.

Mjeda thotë: “…poeti shfaq një send nën shumë pikëpamje, me nxjerrë shka nuk sheh syni e mundet me përshkrue njenën mbas tjetrës pikëpamjet e atij sendi”.Tek të dy poetët mendimi poetik konvergon me atë të Aristotelit, i cili “ … duke besuar se format universale ekzistojnë vetëm në sendet e veçanta, ndiente se artisti është i lidhur direkt me Universalen, kur ai studion sendet dhe i kthen ato në forma të artit” (S. Shtumpf). Eshtë pikërisht procesi i kthimit të sendeve në forma artistike, që na jep të kuptojmë pikëpamjen e tij se arti nuk është thjesht imitim i natyrës (sendeve), që tek Mjeda, sikurse theksuam më sipër, lexohet: “Sendja t’i përngjajë sendjes, por jo që të jetë një me të”, për të kaluar pastaj te Moikom Zeqo se “…ajo që mund të thuhet për substancën  letrare nuk është asnjëherë identike me substancën letrare.

Moikom Zeqo, sigurisht, nuk sugjestionohet. Me mjaft elegancë e mençuri ai i  ka qartësuar idetë e pikëpamjet e tij dhe aktualisht, më tepër se kushdo tjetër, është përpjekur të evidentojë figurat më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare, që nga fillesat e deri në ditët e sotme. Janë vlerat e saj kombëtare e universale që i japin atij forcë të mos reshtë së shpërfaquri ato, pikërisht kur mjaft zëra kanë ndërmarrë një sulm të pafre, gjoja në emër të bashkëkohësisë e modernizimit, i cili është njësoj i dëmshëm, qoftë kur i shërben kauzës së kaosit, qoftë edhe kur mendon se i shërben kauzës “së zhvillimit”.

Moikom Zeqo është bërë një barrikadë e fuqishme dhe është ky motiv i lartë e mision fisnik që e ka kthyer atë në një institucion që jep shpresë, normalitet e racionalizëm, lidhur ngushtë me traditën e me vështrimin drejt së ardhmes.

                                     ***

Moikom Zeqo  është arkeolog i fjalës shqipe. Ai zhytet në thellësi të hershmërisë së kulturës shqiptare me bindje se do të gjejë margaritarë, me besimin te prirjet e veta se do t’i nxjerrë ato në sipërfaqe. Dhe jo thjesht, si fosile, dëshmi historike, gjurmë të së kaluarës që shënojnë një ekzistencë të dikurshme, me të cilën mjaftohet edhe vlerësimi për të. Moikom Zeqo është dukuri e çuditshme, i cili shikon gjithmonë përpara edhe kur ecën “mbrapa”, ai përqafon tokën edhe kur “fluturon” në qiell, ai i falet atdheut të vet, nga cilido skaj i globit ku sheston.

Por edhe vetë Moikom Zeqo “çuditet” kur, ndërsa kërkon të pastrojë pluhurin e kohës e t’u kthejë rrezatimin gjetjeve, ai ndriçohet dhe “befasohet” prej rrezëllimit, kur sheh veten të kalërojë mbi pegasin, shaluar nga mjeshtrit duarartë  e mendjendritur. Nuk ka aspak sintoni me mendimin estetik të Moikom Zeqos, thënia se: “Kjo që është arritur deri sot nuk është mjaft për të parë diçka të re “përtej gardhit” B.Cengu). Kësaj i thonë miopi, që të pengon të mos shohësh çka qëndron para teje e jo më të shikosh, pastaj “përtej gardhit”.

Moikom Zeqo, nëse hedh shikimin përtej gardhit, kjo për arsye se ai shikon mirë çka ka brenda gardhit, aktualisht dhe historikisht, vështrim ky që kundërshton prerë pikëpamjet për traditën, provincializmin dhe universalizmin e letërsisë sonë, pikëpamje këto që nuk justifikojnë perceptimin artistik të Moikom Zeqos, i cili e shpreh mendimin e vet me një gjuhë brilante, autoritare, koncize, që do t’i jepte fund kësaj amullie, kësaj loje, që thuajse e nxjerr  tërësisht  jashtë loje letërsinë shqiptare, e cila që në hershmërinë e vet ka befasuar dhe nën ndriçimin e saj janë hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes; një vazhdimësi që na nderon dhe na bën krenarë.

                               ***

Moikom Zeqo është i distancuar deri në skaj prej atyre që vlerat e kombit i lënë harruar e pluhurosur. Ai i mbledh, u heq pluhurin, restaurues i jashtëzakonshëm që i shpalos me një ndriçim të ri, i rrok me një vështrim ledhatues Gj. Buzukun, P.Budin, P.Bogdanin, N. Frashërin, N. Mjedën, etj. Shkrimtari ynë i madh, I. Kadare tret dhe shpërndan çdo mjegull me një elegancë shprehjeje, kur thotë se boshi  tragjik i rinisë së Migjenit, “ai bosh ulëritës, ishte i atyre llojeve që natyra ua afron disa herë shkrimtarëve… u afron, pra, në vend të pasjes, mungesën, por të tillë që mund të pjellë të njëjtat brilante, në mos disa herë më të ndritura”.

Asociacione dërrmuese dhe një rraskapitje e ëndshme të lindin vetiu duke lexuar këtë postulat të Kadaresë që, sa i vërtetë është për Migjenin, aq është i vërtetë edhe për atdheun e tij, Shqipërinë, e cila në historinë e vet ka pasur shumë “boshe”, realitete këto që disa studiues i shohin si boshe reale, jashtë kontekstit të gjithëmbarshëm, i shohin si mungesë vlerash, duke i atribuar vetes rolin e përndritur të kapjes së sinjaleve të reja të bashkëkohësisë dhe të evidentimit të tyre, pa kuptuar se të tilla sinjale nuk janë tjetër veçse një mirazh, në se i shkëput ato nga rrjedha e burimit.

E, nëse poliedriku Moikom Zeqo është “i zgjedhuri i artit të ri për të shikuar përtej” (B.Cengu), kjo për arsye se ai çdo ditë shijon ujin e pastër të burimit dhe spërkat me të drejtimet e shtratit të rrjedhave të reja. E quan domosdoshmëri këtë dhe, sa më larg gjurmon në të kaluarën, aq më kthjellët e shikon të ardhmen. Në ato boshe, ku dikush shikon provincializmin, Moikom Zeqo zhytet e zhytet dhe, sa herë që ngre kokën dhe merr frymë thellë për t’u zhytur përsëri, ai na lë në duar diçka të re, të panjohur. Ai është i sigurt se boshet mbajnë margaritarë në thellësitë e tyre.

(Shënim: Shkrimi i autorit Mihal Kalia botohet me shkurtime, ku janë përzgjedhur vlerësimet konkrete për krijimtarinë e Moikom Zeqos-Dh.H.)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • SHIU.: 07/04/2018 23:12

    GJALLE QENKA KY KOMUNIST GRAMOZRUCIAN ?? KETA PO E HELOJNE GJALLESEN SHQIPETARE ME KOMUNIZMIN E MODELIT TAHIRAMETA+RUCI = FUNERALET NE DREJTESINE SHQIPETARE .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja