In memoriam/ Jeta e poliedrikut të pazakontë Moikom Zeqo e misteri i dijeve të tij të shumanshme

In memoriam/ Jeta e poliedrikut të pazakontë Moikom Zeqo e misteri i dijeve të tij të shumanshme

Moikom Zeqo lindi në 3 qershor të vitit 1949 në Durrës. Shtëpia, në të cilën u rrit gjendej shumë pranë shtëpisë muze, ku Aleksandër Moisiu kaloi disa vite të fëmijërisë. I ati u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, kur ai ishte vetëm 10 vjeç ç'ka e bën më të fortë lidhjen me nënën e tij, Pandorën. E panjohura ishte magnetike për kureshtjen e tij, ndaj, gjatë rinisë së hershme, një bllok shënimesh i qe bërë mik i pandarë. Ende si kishte mbushur të njëzetat kur, ndërsa studionte në Fakultetin e Histori Filologjisë në Tiranë, ëndërronte me muzikën e Eric Burdon të grupit “The Animals”, pikturat e Botticellit, të piktorëve kinezë të lashtësisë, surrealizmin e Dalisë “së çmendur” apo Pikason poliedrik. Po në këto vite, kur letërsia shqiptare ishte e mbështjellë nga ndikimi i poezive të Eseninit mbi fshatin dhe peizazhin, djaloshi, i rritur pranë kalasë bizantine të Durrësit përkthente poezitë futuriste të Majakovskijt, apo të francezit Pierre Reverdy, lexonte Pol Eluarin, Federiko Garcia Lorkan, Salvatore Kuazimondon, Tomas Eliotin etj. Në vitin 1971, fill pas diplomimit, ai mbulon sektorin kulturor dhe atë shkencor pranë gazetës "Drita", duke shkruar për ngjarje të jashtëzakonshme si Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, kthimin në vendlindje të Ibrahim Kodrës në vitin 1972 etj. Një vit pas Plenumit të Katërt, dërgohet në Rrogozhinë për shkak të kritikave për poezi hermetike dhe trajtimin e temave historike. Pas kësaj, për 16 vite me radhë do të heqë dorë nga të shkruarit poezi. Gjatë kësaj periudhe ai do t’i përkushtohet arkeologjisë. Pas dy viteve mësuesi në Rrogozhinë, nga ’78 në vitin 1990 do të punonte në këtë fushë, duke krijuar për herë të parë sektorin e Arkeologjisë Nënujore. Zeqo zbuloi në Liqenin e Ohrit një stacion prehistorik Palafit, që nga periudha e neolitit. Po ashtu, ai bën zbulime të tjera edhe në Liqenet e Belshit, ku në antikitet vendasit hidhnin terakota të Artemisit dhe Afërditës, të cilat i dokumenton në studimet e tij arkeologjike.

Pas rënies së diktaturës, në vitin 1991 emërohet kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit i'u dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë detyrë ai merr pjesë në dy ngjarje të mëdha për njohjen e kulturës Shqiptare në botë, Mbledhja e Ministrave të Kulturës së gjithë Europës, në Leon të Spanjës dhe një ekspozitë me piktorë shqiptarë në Ankara.

Zeqo është edhe një nga përpiluesit e programit të Partisë Socialiste, dhe pavarësisht kontributit masiv si deputet i kësaj partie prej vitit 1992, në '96-ën, siç pat treguar, nga politika do ta largonte ish-kryeministri Fatos Nano. Nga viti 1998 deri në 2006-ën drejtoi Muzeun Historik Kombëtar, e ndonëse gjatë komunizmit pati vetëm detyra të thjeshta si mësues, redaktor, apo punonjës arkeologjie, gjatë kapitalizmit, siç do të pohonte, kjo do të qe periudha e tij e vetme me pozitë.

Krijimtaria
Moikom Zeqo, është autori i mbi 100 veprave, ku përfshihen përmbledhje me poezi, prozë, studime arkeologjike, libra për historinë e artit, monografi personalitetesh, si dhe disa skenarë për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto dhe gjermanisht. Është autor i pesë ekspozitave vetjake në pikturë, si dhe i një albumi me 200 grafika. Mbante titullin “doktor i shkencave”, si dhe Urdhrin e Lartë “Mjeshtri i madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë