Moikom Zeqo për kulturën dhe artin në 2018-ën: Statusi i kulturës gati zero, artistët janë njerëzit më të varfër!

2018-ta në art është konsideruar një vit debatesh, që la pezull shumë çështje. Artistët e Teatrit Kombëtar vazhdojnë të presin ndërtimin e godinës së re. Artistët e arteve pamore pas mbylljes përfundimisht të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” (edicioni i XXIV-të), por edhe me nisjen e rikonstruksionit të Muzeut Historik (2019), dita-ditës kanë më pak mundësi për ekspozim.

Spektaklet muzikore, që kanë në qendër muzikën joserioze kanë lënë në hije këngëtarët e mirëfilltë. Këto, por jo vetëm studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo për “ReportTV’ i analizon nën këndvështrimin e një kritiku, që i ka parë edhe ndjekur nga afër aktivitetet.  

“Nuk mund të jap një përgjigje prej specialisti për gjithçka, sepse nuk jam. Natyrisht që e kam përjetuar vitin 2018 gjerësisht në aspektin kulturologjik. Mund të them se ka pasur një aspekt kulturologjik lidhur me Vitin e Skënderbeut, kam ndjekur sesionet shkencore. Kumtesat ishin në një nivel më të ultë se në vitin 1968, që u bë 500-vjetori i lindjes së Skënderbeut,”- Moikom Zeqo, studiues.

Për profesorin sa i përket jetës kulturore, jeta e teatrit nuk ka kulme, përpos që ka probleme të caktuara dhe konflikte.

“Jeta e teatrit ka një shkëlqim kur promovohen artistë, emra, personalitete. Takova mikun tim, Robert Ndrenikën, e pyeta a ka ndonjë talent? “Ka disa”, tha, “por kërkojnë regjisorë edhe kushte që mungojnë”. Nuk mendoj se ka ndonjë shkëlqim teatri, ka përpjekje, por jo shkëlqim të madh,”- tha Moikom Zeqo, studiues.

Sa i përket fushës së albanologjisë, Zeqos i vjen keq, që arkeologjia shqiptare është në një nivel të mjeruar.

“Jo vetëm që nuk përbëjnë gërmime, por as studime. Nuk ka revista për të botuar studime”.

Sa i përket kinematografisë, ka disa filma me metrazh të shkurtër, por në këto 30 vite ai nuk di që të ketë një film që ka masivitet.

“Janë filma që shfaqen midis vet kineastëve, por kjo mua më shqetëson shumë, se janë 28 vite, edhe nuk janë pak. Ky shqetësim imi nuk ka të bëjë me karakterin kritizer që mund të kenë disa njerëz, se mua nuk më intereson kjo çështje, më intereson zhvillimi. Nuk beson se aspektet e tjera siç është restaurimi i monumenteve, që ndonjëherë mburret kjo Ministria jonë e Kulturës, mburret kot në mënyrë euforike”.

Flet edhe për shtimin e leximit të librit, bibliotekave të lagjeve apo botimeve ndalet tek panairi i Librit

“E pashë Panairin, ka shumë libra, por janë libra për konsumatorë të niveleve mesatare. Libra të rëndësishëm nuk ka. Kjo ndodh edhe me çmimet që ne japim, që shumë herë janë klientelesite, sipas njohjeve apo jurive që bëjnë promovimin e njëri-tjetrit. Nuk shoh  ndonjë zhvillim për vitin që lamë pas”.

Artet pamore janë më të ndërlikuara, por Zeqo veçon ekspozita të suksesshme të Gazmend Lekës, të Marc Chagall-it, ndërsa ekspozitat e tjera që janë hapur, për të kanë një nivel horizontal edhe një lloj ngjashmërie të stileve të artistëve me njëri-tjetrin, sepse nuk kanë shpalosje të krijimit të personaliteteve.

“Janë ekspozita të bëra nga artistë të para viteve ’90. Ku janë artistët e rinj? 28 vite janë shumë. Të gjitha këto janë konvencionale edhe unë kriticizmin tim duhet ta shikoj në zhvillimin e artit në përgjithësi. Por në Shqipëri  mjedisi frymëzues për artistët është shumë i akullt,më shumë ngrohtësi mund të gjesh në ekspozita që bëhen jashtë vendit se këtu. Komuniteti i piktorëve kanë shumë grindje me njëri-tjetrin, këto ekzistojnë kudo në botë, por këtu ka një frymë asgjësuese. Duhet që të ketë frymë stimuluese të artit”.

Nga na tjetër e quan skandal çështjen e spektakleve muzikore.

“Spektaklet muzikore janë për të qarë hallin, tallavaja apo muzika e incizuar.  Harxhohen shumë lekë e bëhen video marramendëse, aq sa gjithçka duket surrelae. Kur ka ndonjë vepër serioze, siç është Simfonia e Aleksandër Peçit për Skënderbeun, nuk promovohet”.

Studiuesi shprehet se rinia quhet në mënyrë perzhorative, rina e Facebook-ut, por kjo nuk është e vërtetë!

“Ka edhe njerëz shumë inteligjentë që duan të krijojnë personalitet të vërtetë shkencorë-artistikë. Fryma e përgjithshme mbetet brenda parabolës së Facebook-ut. A do të ketë forca për të ndryshuar këtë status quo, besoj se po. Por, sot për sot shikoj një lëvizje prej llumi, jo prej lëvizje të një lumi heraklitian. Ne kemi një lloj ngadalësie të madhe, që na ka bërë që të ngadalësohen edhe konceptet. Duhet të kishim artistë të rinj, historianë të rinj, shkrimtarë të rinj, që duhet ta zhvillonim këtë. Që rinia mos të bjerë në batakun e largimit, por të ketë shpresë. Kur rinia bie në batakun e një shprese, që nuk e arrin, ajo kthehet në një anti-shpresë edhe rinia ikën. Statusi i kulturës është gati zero. Njerëzit e kulturës janë njerëzit më të varfër, nuk botojnë dot as librat e tyre, ndërkohë që duhet të stimulohen nga shteti,”- e mbylli Zeqo.

Studiuesi i sheh gjërat shumë serioze, pasi për kulturën shqiptare nuk janë ditët e arta, megjithatë ai shpreson në forcat e brendshme të njerëzve të këtij vendi, se gjerat do të vijnë drejt përmirësimit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot