Alfred Moisiu: Megjithëse 12 korriku është caktuar si afat i fundit për reformën zgjedhore, por përvoja tregon se afatet tek ne kanë shumë pak vlerë. Kemi 22 vite në demokraci, përjashto zgjedhjet e vitit 1992, deri tani nuk kemi pasur zgjedhje pa probleme dhe të pa kontestuara. Të premten e kaluar, komisioni u shpërnda pa dhënë asnjë shpresë se ky dokument do të mbyllet në kohën e caktuar. Të krijohet përshtypja se mungon dëshira e vërtetë për të pasur një kod të tillë. Ne si Forum e kemi ngritur zërin që në dhjetor të vitit 2010, që edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2011, kodit të mund t'i ishin bërë disa rregullime, por atëhere u tha se nuk kishte kohë, gjë të cilën ne nuk e pranuam dhe patëm parashikimin e hidhur se zgjedhjet do të kishin probleme. Në fakt ashtu ndodhi, megjithëse nuk donim që të ndodhte. Ajo që është shumë e rëndësishme për mendimin tonë është riformatimi i KQZ. Si vlerësimet vendore ashtu edhe ata të OSBE/ODIHR kanë vënë në dukje se ky institucion i rëndësishëm zgjedhor duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe jo i komanduar me telefon ose i dominuar nga interesat partiake. Edhe ky problem u ngrit nga ne përpara zgjedhjeve të 2011, por për fat të keq u anashkalua, jo vetëm nga përfaqësues të politikës shqiptare por edhe nga ata të institucioneve dhe përfaqësive ndërkombëtare. Duke përfunduar dëshëroj të shfaq një mendim, i cili nuk është i ri, që institucionet ndërkombëtare duhet të jenë më të qartë dhe më të prerë në vrejtjet dhe sugjerimet e tyre, që të dalë në pah më mirë kush është përgjegjës për atë që po ndodh në vendin tonë. Rexhep Meidani: Do të diskutoj për disa çështje që lidhen me reformën zgjëdhore. Si çështje të parë rendis atë të barazisë së votës. Kjo duhet parë në planin administrativ, kemi një pabarazi vote të paktën deri më tani me këtë kod aktual në kuptimin administrativ sepse ndarjet administrative apo qarqet, nuk garantojnë një prag të njejtë të përqindjes së votës për të fituar një vend në Parlament, që është e padrejtë dhe për këtë me sa duket nuk po punohet. Pavarësisht se më parë është folur se një rrugëzgjidhje për të garantuar në planin administrativ, është reduktimi i këtyre ndarjeve administrative. Deri në një ndarje në nivel kombëtar është ndërtimi i sistemit të pastër proporcional. Nga pikëpamja kushtetuese kjo lejohet, sepse Kushtetua nuk e pengon. Pasi ajo flet për organizim administrativ dhe kushtetuta flet për këtë dhe mund ta konsiderojë Shqipërinë si një organizim tërësor. Një problem tjetër i pabarazisë së votës është ajo që lidhet me pabarazinë në nivel kombëtar. Një nga rrugët për ta bërë këtë votë të barabartë që të përfaqësojë më drejt është korigjimi kombëtar. Partitë e vogla përmes një deklarate të përbashkët e kanë kërkuar këtë korigjim kombëtar, por nuk po flitet për korrktimin kombëtar që do të arrinte ballancimin e përfaqësimit në zgjedhjet e 2013. Mesa duket korigjimi kombëtar nuk i intereson forcës kryesore qeverisëse. Eshtë i domosdoshëm dhe për barazinë e votës por dhe për ekuilibrimin demokratik në qeverisjen e vendit. Garantimi i votës është një elemet tjetër thelbësor, i cli mund të realizohet dhe përmes teknologjive moderne. Pra në qytetet e mëdha mund të futet votimi elektronik online. Ne kemi shembull funksionimin për bukuri të kompanive të mëdha. Këtu mendoj se OSBE/ODIHR e kanë gabim që shprehen kundër. Ndërsa numërimi elektoronik nuk krijon turbullira dhe ketu nuk ndaj të njejtin qëndrim me OSBE/ ODIHR. Ka gati 20 vite me zgjedhje të kontestuara dhe bashkëpunimi me OSBE dhe ende nuk kemi gjetur zgjidhje. Ndërkohë përsa i përket administrimit të votës, KQZ është një organizëm zgjedhor i cili me veprimet e tija në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011 ka krijuar një klimë mungese besueshmërie. Kjo histori është një histori gati 22-vjeçare në bashkëpunim të ngushtë me një strukturë të tillë dhe akoma nuk kemi gjetur zgjidhje për të garantuar votën e qytetarëve. Për këtë situatë aktuale në gjykimin tim ka përgjegjësi dhe misioni i OSBE-së në Shqipëri i cili duhet të ishte shumë më dinamik, shumë më kërkues për zgjidhjen e këtyre çështjeve në kohën e duhur. Në lidhje me transparencën e votës më duket normale që dy anëtarë të KQZ të kenë të drejtë që nëse shohin elementë shkeljeje, të kërkojnë hapjen e kutive. Njëherësh problem është dhe sistemi i ankimimit, i cili duhet të funksionojë.
Njazi Jaho: OSBE pas çdo palë zgjedhjesh përgatit raporte. Nuk besoj se në vendet e tjera ka kaq shumë rekomandime për çdo palë zgjedhjesh siç bëhen këtu por dhe këto i marrim me vonesë. Por ka raste që këto nuk merren fare në konsideratë. Për reformën zgjedhore, afati i 12 korrikut dhe mund të shtyhet. OSBE/ODIHR nga viti 2001 ka bërë 6 raporte. Raporti më i ashpër ka qënë ai për zgjedhjet e 8 majit 2011 ku është kërkuar riformatimi i KQZ. Ka mundësi që ky rekomandim të zbatohet por me arnime, pa hequr ndikimin politik në KQZ. Ndërkohë që as vetë kjo KQZ nuk ka reflektuar. Nuk duhet të qëndrohet strikt në reformandimet e OSBE/ODIHR pasi pavarësisht se nuk ishte rekomandim i tij, politika hyri në reformën e sistemit, pavarësisht se "Venecia" që para tetë vitesh ka kërkuar përmirësimet për referendumin nuk janë bërë.
Zamira Çavo: Demokracia në Shqipërisë është me probleme. Ka mbetur që rruga e vetme që ti drejtohemi opinionit publik. Një KQZ e tillë s'mund të bëjë zgjedhje të pakompromentuara. Duke parë se vota s'lexohet por tjetërsohet, mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme abstenime të forta, prandaj del e domosdoshme t'i drejtohemi popullit që të veprojë. Jemi në udhëkryq dhe nga kjo politikë s'presim zgjidhje. Asnjëherë nuk është dëgjuar zëri ynë, ndaj duhet të veprojë opinioni publik.
Kozara Kati: Unë që në fillim dua të shpreh qëndrimin tim kritik ndaj institucioneve ndërkombëtare e veçanërisht ndaj OSBE/ODIHR. Në këto 20 vite asnjë mrekulli nuk ka ndodhur dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi politika, shoqëria civile dhe OSBE/ODIHR. OSBE/ODIHR bën qorrin e shurdhin në të gjitha proceset zgjedhore në Shqipëri. Ky organizëm duhet të bëjë një analizë të thellë për dështimin e madh në Shqipëri, ku me vlerësimin 'as mish as peshk dhe gjithnjë është bërë hap përpara në krahasim me zgjedhjet e kaluara', ka bërë një dëm shumë të madh. OSBE/ODIHR nuk shfaqi asnjë lloj vlerësimi për numërimin e votave. Unë i bëj thirrje këtij organizmi të rëndësishëm ndërkombëtar që të luajë rolin e vet jo vetëm të vëzhguesit por dhe të parandaluesit të proceseve të dështuara zgjedhore në Shqipëri. Ata s'janë të pagabueshëm dhe ka ardhur koha që të vlerësojmë në detaje punën e OSBE/ODIHR në Shqipëri për dështimet e tyre dhe të kërkojmë llogari prej tyre. Ata duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre në këtë dështim.
Luan Omari: Reforma Zgjedhore është detyrë dhe e drejtë e parlamentit dhe ai përbëhet nga partitë politike. Roli i shoqërisë civile, megjithëse sekondar, është i pranishëm.
Ermir Dobjani: Pajtohem me mendimin e prof. Meidanit, pasi dhe për mua mendoj se OSBE/ODIHR bëri gabim që doli kundër votimit elektronik. Ka ardhur koha që në qytetet kryesore të vendit ky votim të aplikohet. Jam përpjekur që para vitit 2005 të ndikoj për aplikimin e këtij votimi përmes një procesi pilot, por dhe atëherë ka qënë ambasadori i OSBE që nuk e përkrahu iniciativën time. Nuk ka kode apo ligje të përsosura. Për më tepër që këto gabime që kanë dalë nga çdo palë zgjedhje janë përdorur nga partitë për të justifikuar humbjen apo rrjedhjen e elektoratit. Propozoj që pika për referendumet të hiqet nga Kodi Zgjedhor dhe të bëhet një ligj i posaçëm për Referendumet.
Përparim Kabo: Ne kemi parti ideologjike dhe jo parti elektorale. Nuk kemi pluralizëm politik që e ndërton pushtetin mbi bazën e votës së lirë. Ne kemi monokraci. Dhe unë jam i mendimit që OSBE/ODIHR duhet të heqë dorë nga filozofia e konstatimit të problemeve, por dhe të vlerësojë ato.
Alfred Moisiu: Po punohet si urithi nën tokë, që shoqëria shqiptare për një problem kaq të rëndësishëm të mbahet sa më tepër në errësirë dhe të lihet mënjanë. Po krijohet përshtypja sikur për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme janë të interesuara vetëm forcat politike, ndërsa ne, populli vetëm duhet të duartrokasim se çfarë vendosin korifejtë tanë politik.
(jm/im/shqiptarja.com)