ELBASAN - Kreu i Komunës Mollas është hakmarrë ndaj një invalideje që kishte rrethuar një hapësirë publike, duke i hequr pagesën e paaftësisë për mbi një vit.
 
Prokuroria e Elbasanit, ka mbyllur dosjen ndaj kryekomunarit Agron Hysa dhe e ka dërguar atë për gjykim, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
 
Nga hetimi i Prokurorisë, ka rezultuar se Hysa, e kishte kthyer komunën në “pronë private” duke shfrytëzuar postin e tij me dhënien e urdhrave që rezultojnë në shkelje të ligjit.
 
Rasti konkret është ai i një shtetaseje me aftësi të kufizuara, B.Gjata, të cilës i ka hequr të drejtën e pagesës së paaftësisë,  për t’u “hakmarrë” ndaj saj, pasi kjo e fundit kishte rrethuar në mënyrë të padrejtë një hapësirë publike.

“Në mënyrë reaguese për mungesën e zgjidhjes së këtij konflikti administrativ, kryetari i komunës ka ndërmarrë veprimin e kundërligjshëm të ndërprerjes së pagesës së paaftësisë, pavarësisht se kjo masë penalizuese nuk është zgjidhja e duhur e konfliktit administrativ”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Elbasanit.
 
Ndalimi i pagesës së paaftësisë për shtetasen B. Gjata është kryer prej muajit Mars 2013 e në vijim, ndërkohë që këtë pagesë përfitohet bazuar në dokumentacionin dhe ekzaminimet e kryera nga institucionet përkatëse.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)