Avokati Idajet Beqiri nuk e konsideron protestë të opozitës tubimin që zhvilloi Partia Demokratike mbrëmjen e 20 shkurtit, ku u hodhën molotovë në drejtim të Kryeministrisë, Kuvendit, xhamisë së Namazgjasë, por edhe drejt efektivëve. I ftuar në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, avokati Beqiri thotë se ajo është një protestë e familjes Berisha, që ka grumbulluar rreth vetes një organizatë kriminale. Beqiri thotë se ata janë njerëz të rekrutuar nga Berisha dhe kupola e PD kundrejt pagesave të majme dhe se janë të profesionalizuar në këtë fushë. Madje avokati shprehet se një pjesë e tyre janë forca të Al Qaeda-s që kanë mbetur këtu me largimin e Osama bin Laden dhe që sot sponsorizohen nga Sali Berisha.

“Ajo nuk është protestë e opozitës, është protestë e familjes Berisha, e cila ka grumbulluar rreth vetes një organizatë kriminale. Pjesa dërrmues e atyre që përgatisin bombat, janë armë pa leje, që vrasin, djegin etj. Njerëz të tillë janë të grupuar aty, që vijnë me pagesa të majme, por edhe janë të profesionalizuar në këtë fushë. Në Shqipëri ka qenë Osama bin Laden, kishte rreth 300 forca. Një pjesë të tyre i ka lënë këtu, të Al Qaeda. Ata sponsorizohen nga Berisha, i mban me pagesa, u ka gjetur dhe nuse. Janë të paguar, një pjesë janë arabë. Ai ata i mobilizon, i paguan mirë. Pastrimin e parave Berisha po e bën, ka miliarda të vjedhura nga Shqipëria dhe shqiptarët”, tha Beqiri në Report Tv.

Beqiri komenton edhe molotovët e hedhur në xhaminë e Namazgjasë ndërsa besimtarët faleshin, duke thënë se një bomba në derë të xhamisë në muajin e shenjtë të Ramazanit hedhin vetëm serbët.

“A mund të vihet dorë dhe të hidhen molotovë e bomba në derë të xhamisë, në muajin më të shenjtë siç është Ramazani. Kush i bën këto veprime? Ne e dimë që këto veprime serbët i bëjnë, jo se janë ortodoksë, por s’janë ortodoksë siç janë shqiptarët, ata janë serbë të Serbisë ortodoksë serbë, e kanë për krenari që këto evente t’i kthejnë në vajtime”, tha Beqiri.

Për avokatin, protesta ka vetëm një qëllim, që Berisha të tregojë se ka organizatën e tij kriminale që të mbrojë veten dhe familjen nga drejtësia.

“Në rast se ti bën protestë, ti e bën se do të luftosh korrupsionin, por këto protesta bëhen që të jenë masive, paqësore, me qëllim që të të shtojnë elektoratin që të fitosh pushtetin. Këta gjithmonë firojnë dhe nuk e kanë problem që firojnë. Ata nuk e kanë problem që u ikën numri i proteuseve, ata e kanë problem si të luftojnë, dhe si të krijojnë një situatë të tillë, që të thonë Berisha e ka organizatën e tij, dhe juve me akuzat që keni ngritur ndaj tij, nuk ia hidhni dot dorën në qafë, se ky ka organizatën e Hamasit dhe ja si lufton pro tij”, thekson Berisha.

Sa i takon gazit lotsjellës të përdorur në protestë, avokati thotë se Policia përdor të njëjtat metoda si në çdo vend të Europës.

“Policia ka rregulloren e vet se si vepron, ajo më rregulloren e vet përdor ato metoda që përdorën kudo në Europë ku ne duam të futemi. Nuk bën dot policia e shtetit shqiptar ndryshe nga çfarë bën më situata tilla policia gjermane, belge e me radhë, gazi hidhet që ti largojë këtë njerëz, që të mos vriten, se ti duke hedh bomba mbi policë, ke vrarë. Quhen vrasje të cilësuara që i bën në ambiente masive ku nuk merret vesh se kë mund të kapë bomba. Kur ti hedhë molotovë, do përdoret o ujë o gaz lotsjellës që të të largojnë. Policia është në detyrën e vet, zbaton protokollin ndërkombëtar europian”, u shpreh avokati.

Avokati thotë se hetimet duhet të nisin për të gjithë organizatorët, përfshirë Sali Berishën që i drejton, deri të përfaqësues të tjerë të kupolës së PD-së, si Flamur Noka apo Belind Këlliçi. Ai shton, se PD duhet të shpallet organizatë terroriste.

“Ata fëmijë i komandon dikush, policia referimin në radhë të parë duhet ta bëjë për organizatorët, duke nisur nga Berisha, Noka, Këlliçi. Këta duhen proceduar, këta duhen konsideruar njerëzit që kanë ngritur një organizatë kriminale. Në radhë të parë duhet të jetë Berisha, se ai është kryesori që i mbledh këta njerëz. SPAK duhet të ngrejë akuza ndaj këtyre. Policia e Shtetit e ka për detyrë që këto akte të marrë ti cilësojë si akte terroriste që po bëhen nga një që quhet opozitë, por nëse një parti bën akte të tilla, duhet te dalë jashtë ligjit e duhet të shpallet organizatë kriminale, terroriste”, thekson avokati Beqiri.

Në mbyllje ai thekson se Berisha nuk synon të vijë në pushtet, por të mbrojë familjen e tij non grata.