Alex Bruesewitz, një nga strategjistët e fushatës së suksesshme të Donald Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale, humbi ndjenjat në podium, teksa mbante një fjalim në Nju Jork të dielën (16 dhjetor)
27-vjeçari, të cilit i atribuohet rimëkëmbja e imazhit të Trump tek të rinjtë amerikanë, po mbante një fjalim në një mbrëmje gala para "Republikanëve të Rinj," kur befas humbi ndjenjat dhe u rrëzua në podium.
Siç shihet edhe nga pamjet, Bruesewitz filloi të kishte vështirësi në të folur, ndërsa në një moment dëgjohet të thotë, “Po harroj fjalët.” Pak sekonda më vonë, ai bie nga podiumi, ndërsa personat që gjendeshin pranë nxituan t’i vinin në ndihmë.
Bruesewitz është drejtues ekzekutiv i ‘X Strategies’, një firmë që ofron shërbime konsulence në politikë dhe për korporatat. Ai u nënkontraktua nga drejtuesit e fushatës së Donald Trump në verë, për të ndihmuar në rritjen e impaktit të fushatës tek të rinjtë amerikanë dhe më vonë u vlerësua si personi që e bëri Donald Trump sërish ‘cool’ mes votuesve të rinj.