Ngritja dhe funksionimi i një muzeu pranë Bankës së Shqipërisë ishte përpos se fillesa e ndikimit që ky institucion do kish në botën e kulturës e të trashëgimisë së vlerave të saj. Pas zhvillimit të para do kohe të sesionit mbi historinë e tiparet e dizanjit të kartmonedhës shqiptare, në 14 dhe 15 qershor ajo sipërmerr organizimin e drejtimin e Konferencës së Parë të Muzeut, me temë, “Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga antikiteti në ditët tona”. Me autoritetin e një banke emëtimi, orvatja që bën për t’u futur me monedhën shqiptare dhe ato të lashtësisë ilire në fushën studimore, përbën një gjendje të re cilësore dhe shënon ngritjen e kësaj shkence në nivelet më të përparuara europiane. Përmes programit mësojmë se konferenca do zhvillohet në katër sesione: “Qytetërimi antik dhe paraja si mjet këmbimi në fokusin e zbulimeve të arkeologjisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare”; “Veçori të parasë dhe zhvillimit ekonomik gjatë mesjetës”; “Shteti shqiptar, themelimi dhe konsolidimi i sistemit bankar” dhe “Njëzetë e pesë vjet banking qendror modern në Shqipëri”. Në të paktën dy prej tyre interesi i koleksionistëve numizmatë do jetë i madh. Krahas punimeve shkencore që do referojnë studiuesit e Institutit të Arkeologjisë dhe ata të Qendrës Studimore Albanologjike, konferenca do ketë të pranishëm edhe dy të ftuar të huaj, nga studiuesit më me emër në botë, profesorin e Universitetit të Sorbonës, z. Oliver Picard dhe dr. Eleni Papaeftymiou.
* * *
Në hapësirat e begata të luginave pranë lumenjve të mëdhenj Nil, Eufrat, Tigër, Jancekiang, Huanghe, Mekong, Gang e Hindus, atje ku lindën qytetërimet e hershme, u përdorën mënyra të ndryshme të këmbimit të sendeve e mallrave të tjera, në rrethanat para se të lindëte monedha si mjet këmbimi. Që nga kohërat e lashta tregtarët kërkuan e krijuan tregje të mallrave të bazuara në një formë të hershme mall-mall. Me monedhën si mjet këmbimi, pas kësaj u zëvëndësuan të gjitha mënyrat e vjetra të këmbimit në natyrë, çka bëri që emigracioni i popujve mesdhetarë të marrë vrull të madh, e që u vrejt si dukuri edhe në krijimin e një gjerdani ngulimesh në bregun lindor të Adriatikut. Kishte nisur mbretërimi i monedhës. Ishte Soloni, ligjvënsi i famshëm i lashtësisë athinase i cili ligjëroi përdorimin e saj. Monedha tani është e shtetit, e emëtuar nga “Polisi” dhe e garantuar nga shteti në peshë e në këmbim. Instituti i monedhës u shkri në veprimtarinë e përgjithshme të legjislatorëve. Ai shënon fillimin e kontrollit të shtetit mbi burimet e metaleve të çmuara. Që në lindje pati një mori funksionesh që u shfaqën si njësi e llogarisë, si njësia matëse e vlerës së mallrave të shkëmbyera; si instrument pagese përmes të cilit shkëmbeni mallrat në çdo sasi dhe kohë; si vlerë historike e trashëguar dhe e thesarizuar.
* * *
Ka qindra vite që mbledhja dhe koleksionimi i monedhave të vjetra nga bota e qytetëruar vlerësohet si një mënyrë e dobishme për të eksploruar historinë e vëndit. Historianë, mësues e psikologë janë të një mendjeje kur thonë se përmes koleksioneve njerëzit pasurojnë kulturën e tyre personale dhe bëhen më të ditur. Nëpërmjet studimit të monedhave ju mund të rritni së tepërmi kulturën tuaj dhe si pasojë, kulturën kombëtare. Në shoqëritë e emancipuara bëjnë kujdes që trashëgimia e pasur kulturore që mbartin monedhat e lashtësisë të mos mbetet në arkat e bodrumeve muzeale por sidomos të shtrihen ato në koleksionet private të numizmatëve.
Në Shqipëri kultura e numizmatikës është e re. Ajo kryesisht i ka përkitur botës akademike e posaçërisht studiuesve arkeologë, të cilët janë marrë vetëm me një objekt të kufizuar të lëvrimit të saj, monedhat e popujve të botës së vjetër. Studimet e para për këto prerje është e njohur se i bëri arkeologu Hasan Ceka. Pas tij e nën ndikimin e trashëgimisë studimore që ky personalitet i fushës la, u përgatitën disa dhjetra studiues të kalibrit europian. Mjafton për t’u bindur nëse shfleton qoftë dhe njerin prej tyre, vëllimin "Thesare me monedha antike të gjetura në Shqipëri", vepër kjo e botuar së fundmi nga Prof. Dr. Shpresa Gjongecaj-Vangjeli. Është kënaqësi e madhe të studiosh numizmatikë, por edhe më shumë rritet ajo kur ndesh nivele të tilla të larta të gjurmimit e përshkrimit, siç është botimi në fjalë. Mund të mësosh më shumë aspekte që përfshijnë historinë e Ilirisë, ekonominë e saj, metalet e metalurgjinë dhe proceset e prodhimit të monedhave. Ato përbëjnë një burim të pashtershëm fizik për kohëra që trojet tona i kanë më së shumti në errësirë. Te vëllimi mbi 400 faqësh, për periudha në të cilat ka disa burime të shkruara, shpjegimet e autores edhe njëherë provojnë se monedhat janë e do mbeten me vlerë të lartë si burime për historinë, kulturën dhe ekonominë. Kjo vlen në veçanti jo vetëm për monedhat e Apollonisë, Dyrrahut, Bylisit, Amantias, Monunit e Scodrinonit, por edhe për monedhat e antikitetit grek (si psh. breshkëzat e Eginës) dhe ato romake.
Numizmatika është studimi shkencor i monedhës e kartmonedhës. Ajo studion historinë e tyre në të gjitha format, e sheh nga pikëpamja historike e gjeografike, artistike dhe ekonomike, madje ka përfshirë në studim edhe metalurgjinë dhe proceset e prodhimit. Dhe kartat e kreditit janë shpesh objekt i interesit numizmatik. Objekti më i rëndësishëm i numizmatikës është monedha, por kjo shkencë është e interesuar edhe për format e tjera të letrave me vlerë, të tilla si kartëmonedhat, mjete të pagesës monetare, si çeqet. Edhe medaljet e medalionet, ndonëse i përkasin studimit e koleksionimit të faleristikës, kanë qenë e janë pjesë e numizmatikës. Medaljet rrjedhin si ide nga monedhat e lashtësisë. Janë përdorur në shumë mënyra: për të festuar një përvjetor ose ngjarje.
Më shpesh medaljet krijohen si çmim, për shembull: Medalja e Çmimit Nobel, medalje olimpike ose medalje në renditjen sportive të klasave ar, argjend e bronx. Duke qenë një disiplinë e specializuar në ndihmë të historisë dhe arkeologjisë, numizmatika gjithashtu ka krijuar lidhje të shumta me disiplina fqinje si historinë e ekonomisë, historinë e shoqërisë dhe historinë e artit.
Mbledhja e monedhave, karmonedhave, medaljeve e të tjera objekte, quhet hob numizmatik. Jo domosdoshmërisht koleksionisti numizmat i studion ato që mbledh. Mjafton që t’i koleksionoj për të marrë prej tyre kënaqësi e kulturë. Duke qenë se monedhat janë një prodhim në masë, me të njëjtën formë e peshë, për shkak të metodave të stampimit mund të ndodhë, siç ka ngjarë e ndodh rëndom, që të dalin nga prodhimi ekzemplarë me karakteristika të veçanta të prerjes e shtypjes me gabimeve, me variacione të materialeve, të metalit, të nuancave të ngjyrës e parregullsi të tjera, që i bëjnë ato me tjetër vlerësim e për rrjedhojë i shndërron në gjah të koleksionistëve.
* * *
Kultura e koleksionimit të monedhave e kartmonedhave, ka filluar në Shqipëri me ardhjen e demokracisë. Njihen pak raste të mbledhjes së monedhave të vjetra ilire nga Kisha Françeskane në Shkodër, e cila ruante në bibliotekën e saj një sasi monedhash të lashtësisë; At’ Shtjefën Gjeçovi kishte një koleksion monedhash. Një të tillë kishte dhe Eqerem bej Vlora. Ligji i diktaturës për zotërimin e metaleve të çmuara, ar dhe argjend, e përjashtonte mundësinë që ndokush të mbante koleksion monedhash të arta e të argjendta nga emëtimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë të viteve 1926-1938. Ndërsa në Europë kultura e koleksionimit të monedhave kish përfshirë një masë të madhe qytetarësh, tek ne nuk ekzistonte. Shqipëria befas shihet në vitet 1960-1980, që përmes Bankës së Shtetit Shqiptar të emëtojë monedhave përkujtimore. E bëri këtë thjesht për qëllim tregtar, ndryshe nga se është zanafilla e qëllimit të prodhimit të tyre, që janë interesat kulturore të koleksionistëve vendas. Vetëm në rastin e emetimeve të tre emisioneve rradhazi, 1968, 1969, 1970, kushtuar 500 Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Banka e Shqipërisë mori sasinë e porositur dhe trajtoi tregun e jashtëm me kushtet e saj. Në emisionet që pasuan, “1987-2600 Vjetori i themelimit të qytetit të Durrësit”, “1988-40 Vjetori i ndërtimit të hekurudhës së parë në Shqipëri”, “1991-Lojrat Olimpike Barcelonë”, banka mori vetëm pak kopje, ndërsa gjithë sasia i ngelej për trajtim tregtar të huajve. Koleksionistët shqiptarë për shtetin nuk ekzistonin. Vetëm me reformimin e Bankës së Shqipërisë në kohën e demokracisë, guvernatorët Cani, Fullani e Sejko vendosën standarte që mundësuan plotësimin dhe kompletimin
kronologjik të emisioneve komemorative prej koleksionistëve. Në ndihmë të përhapjes së kësaj kulture është tashmë Muzeu i Bankës dhe një ekip profesionistësh që përbëjnë administratën e saj dhe muzeun.
*Koleksionist numizmat, ish-Kryetar i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com