Monumenti, autorët: Pranojmë
kritikat, por nuk e vodhëm

Monumenti, autorët:  Pranojmë <br />kritikat, por nuk e vodhëm
TIRANË - Artistët e bocetit fitues për Monumentin e Pavarësisë në Tiranë u janë përgjigjur dje mediave pas reagimit të opinionit dhe artistëve për procedurën e konkursit dhe mënyrën e përzgjedhjes së veprës fituese. “Pranojmë vërejtjet për konceptin dhe vlerat artistike, por nuk pranojmë që e kemi vjedhur idenë” kanë deklaruar dje në konferencën për shtyp dy artistët e bocetit të shpallur fitues, Visar Obrija & Kai Kiklas. Konferenca për shtyp u dha në Galerinë Kombëtare të Arteve në praninë e drejtorit të saj, z.Rubens Shima. Artistët kishin ardhur nga Gjermania për t’u dhënë përgjigje gjithë reagimeve, komenteve dhe akuzave të hedhura mbi bocetin fitues në mbarë mediat dhe televizionet shqiptare. Me këtë rast ata kanë prezantuar me detaje edhe punën e tyre si arkitekt dhe rrëfyen sesi do është menduar të ngrihet ky monument, ku përveç derdhjes në materialet çelik dhe bronz, ata thanë se monumenti do të ngrihet i lartë 8 metra dhe me bazament 4.4 metra katrorë. Ndërsa përsa i përket konceptit, artistët janë shprehur se një koncept i tillë është frymëzuar nga banesa shqiptare, dhe nuk është imituar artisti me famë botërore Richard Serra. “Nuk e njohim fare Richard Serran”, tha artisti gjerman Kai Kiklas, i cili u shpreh se “për të mësova kur lexova në gazetën Shqiptarja.com”.

“E pashë ngjashmërinë mes veprës, por është rastësi, atë vepër nuk kishim sesi ta njihnim, sepse Serra e ka pasur në koleksionin e tij”, tha artisti gjerman Kai Kiklas. Edhe arkitekti Visar Obrija, i cili ka ikur pa mbushur një vjeç bashkë me familjen nga Kosova, ka pohuar se: “Ne kemi punuar shumë për këtë projekt, jemi arkitekt dhe ky ishte një projekt që duhej parë me imtësi nga ana arkitektonike. Çdo vërejtje estetike dhe artistike do ta pranoja, por jo që vepra është vjedhur”. I pyetur sesa i lidhur ishte ai me Kosovën e traditat e saj, ndërsa e pamë që Visar Obrija e kishte shumë të vështirë të vështirë të fliste gjuhën shqipe (edhe intervistën e dha në gjermanisht), ai tha se në fëmijëri kishte qëndruar “për dy vjet tek gjyshi në Kosovë”. Banesa shqiptare, kulla, atë e ka frymëzuar. Ndërsa ata kanë pohuar se gjatë këtyre ditëve do të bisedojnë edhe për koston dhe realizim e kësaj vepre, drejtori i Galerisë së Arteve, Rubens Shima tha se monumenti do të ngrihet në një park të gjelbëruar dhe jo në një shesh publik. I pyetur nga gazeta se a bëhet fjalë për një vepër monumentale apo për një skulpturë parku, Shima tha se “Pavarësisht se ajo do të vendoset në një mjedis të gjelbëruar, ku do të shëtisin dhe pushojnë qytetarët, duket nga shenja e shqiponjës dhe nga deklarata e shkruar që është një monument i pavarësisë. Artistët-arkitektë, Visar Obrija & Kai Kiklas, pasi dhanë detajet prezantuese për të gjithë projektin, vërtetë kishin punuar me profesionalizëm mbi skicat arkitektonike, por në përgjigjet e tyre për median treguan nuk ishin shumë të informuar për Historinë e Pavarësisë. Ata më tepër ishin tërhequr nga tradita shqiptare, sesa nga historia e saj. Koncepti i pavarësisë është tepër vizatimor në këtë projekt, pavarësisht konceptit të banesës tradicionale. A mund ta dinë këta artistë vallë fatin e një monumenti pavarësie që mund të vendoset në një park të gjelbëruar, ose tek Liqeni Artificial, me një bazament 4 metra katrorë se ç’funksione mund të marrë?!

Intervista me Kai Kiklas:
Monumenti, dhuratë për pavarësinë

Çfarë ju nxiti të merrnit pjesë në konkursin për Monumentin e Pavarësisë në Tiranë?
-Kur unë dhe Visar Obrija morëm pjesë në këtë konkurs, nuk ishim të interesuar se cila ishte klima politike që shoqëronte këtë lloj konkursi. Ajo sesi e shikojmë ne Shpalljen e Pavarësisë është më shumë një ngjarje emocionale dhe nuk e kemi parë si një moment politik. Ne kemi parë në shumë nga perspektiva e mënyrës së jetesës së shqiptarëve.

Por Shpallja e Pavarësisë, duam s’duam ne, ka qenë ngjarje historike dhe politike, apo jo?
-Ne menduam të festojmë një ditëlindje të saj, një kujtim.

Ndoshta e dini që reagimet e para për këtë monument u bënë nga akademikët lidhur me ngjarjen historike: nuk duhet monument tjetër, ekziston ku kjo histori ka ndodhur. Si do t’i përgjigjeshit këtij reagimi?
-Edhe ne nuk kemi menduar që të krijojmë një monument të ri të Pavarësisë, sepse ai dihet që është në Vlorë. Ai monument që kemi ideuar dhe krijuar ne është si të thuash si festë ditëlindjeje. Është një dhuratë për ditëlindjen e pavarësisë. Që Pavarësia e Shqipërisë nuk është shpallur në Tiranë jemi të qartë.
Për sa i përket ngjashmërisë me veprën e Riçard Serras, por edhe me konceptin, patët njëfarë ndikimi ose frymëzimi prej tij?
-Ne nuk e njihnim fare veprën e këtij artisti, për të cilin ju flisni. Ka apo s’ka ngjashmëri, le ta gjykojnë të tjerët. Ne jemi të kënaqur që flitet dhe diskutohet për këtë vepër kaq shumë.

A nuk ka më shumë gjasa që të flitet keq edhe për faktin se R. Serrës së viteve ’80 dhe konceptit të tij ku publiku të kalojë përmes skulpturës mendohet t’i ketë ikur koha?
-Ne e mirëpresim çdo lloj kritike, pavarësisht nëse ajo është pozitive apo negative. Megjithatë këtë presupozim se neve e kemi kopjuar dhe imituar e quajmë si një sulm personal. Ne jemi të hapur për çdo kritikë që mund të bëhet, është apo s’është vepër e mirë për pavarësinë, ju pëlqen arti ynë ose jo, ka apo nuk ka vlerën e duhur për ngjarjen. Jemi të hapur, por që kemi kopjuar këtë nuk e pranojmë.

Të habit fakti që ju të dy nuk e njihni Riçard Serrën, një emër shumë i njohur, por edhe që ka vepra në gjithë botën. Ju jeni artist gjerman dhe ai në Berlin ngriti monumentin kundër gjenocidit nazist!
-Megjithatë këtë vepër të tij, për të cilën ne akuzohemi se e kemi kopjuar nuk e njohim dhe nuk është as publike. Ajo është në koleksionin e tij privat. Ne e kemi parë ndërkaq atë veprën e Riçard Serrës, pasi erdhi kjo akuzë se ne e kemi kopjuar veprën e tij. Ne kemi një raport tjetër të përmasave të kësaj vepre, kemi përdorur material tjetër, hapja e objektit është ndryshe dhe ideja është e një kulle, siç e thamë, ndërsa në veprën e Serrës është vetën një shufër metali dhe nuk ka mbulesë dhe ky është ndryshimi. Nuk e di interpretimin e veprës së tij. Serra përdor material masiv, ne do të japim material të përpunuar dhe të ndriçuar.

Ju, jeni shkolluar vetëm për arkitekturë, apo keni bërë edhe shkollë arti?
-Kam studiuar arkitekturë, por kemi studiuar në atë shkollë të gjitha këto lëndë si Teori Arti, Histori Arti, Histori Arkitekture. Nuk mund t’ju them që këto fusha janë studiuar në thellësi, por mund t’ju them se Historinë e Arkitekturës e kemi studiuar në tri semestra.

Ju kanë thënë se sa do të shkojë kostoja e realizmit final të projektit tuaj?
-Tani fillon puna për të bërë bisedimet për shpenzimet. Në momentin që ne do të dimë sa kushton, do të bëhet prezantimi financiar dhe do të jepet një buxhet i caktuar.

Intervista me Visar Obrija:
Zgjodha kullën se jam pjesë e gjakut të shqiptarëve


Si i keni pritur reagimet vazhdueshme në media për Monumentin e Pavarësisë dhe veprën fituese?
-Ne na vjen mirë që ka reagime, por a duhet bërë në Tiranë monumenti ose jo, nuk dimë më shumë.

Çfarë informacione keni marrë për të ardhur tek koncepti i Pavarësisë?
-Unë kam studiuar kullën, e kam përmendur konceptin.

Jeni marrë vetëm me konceptin. Nuk ju ka interesuar historia?
-Natyrisht që e kam studiuar edhe historinë.

Pse ju mbeti vetëm koncepti i kullës në mendje?
-Në Gjermani preferohen traditat e vjetra. Dhe çdo herë në simpoziume ose konferenca flitet për vendet e tradita vjetra. Dhe unë mendova: çfarë kanë shqiptarët që se kanë të tjerët. Kala kanë të gjitha vendet. Shtëpi të vjetra kanë kudo, kasolle kanë kudo. Kullën unë e shoh si një arkitekturë unike që nuk e kanë të gjithë popujt e për këtë arsye unë kisha në mendje kullën, siç jam unë një pjesë e gjakut të shqiptarëve.

Kur keni ikur nga Kosova, sepse po shoh që e keni të vështirë të flisni shqip?
-Unë nga Kosova kam ikur me familjen pak muaj pas lindjes tim, pa mbushur end enjë vjeç. Por prindërit më kanë çuar në Kosovë tek gjyshi për dy vjet, ku bëra klasën e parë dhe të dytë, pastaj kam jetuar gjithë jetën në Gjermani.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza