Moralisti Sali përballë despotit Berisha!

Moralisti Sali përballë despotit Berisha!

Ish kryeministri Sali Berisha

Janë dy momente ku Sali Berisha po e zhvillon diskurin e tij politik kundrejt kryeministrit Rama: Së pari, ai zotëron 95% të pushtetit dhe, së dyti, rrëzimi i tij nga pushteti do të vijë nëpërmjet protestave

Ta thotë këtë ndonjë politikan i ri që s’ka lidhje me te shkuarën, do t’ia merrnim të mirëqenë. Po kur këto fjalë artikulohen nga Sali Berisha, atëherë kupton se ky njeri kërkon të bëjë për budalla një popull që e ka ndjekur paralelisht rrugëtimin e tij politik përgjatë 32 viteve të fundit.

Në historinë e tij personale, Sali Berisha ka qenë sundimtar absolut gjatë viteve 1992 - 1996 ku zotëronte çdo pushtet të mundshëm. Kulmin e arriti më 26 maj 1996 ku pasi ia bëri ferr procesin zgjedhor opozitës së kohës, rrëmbeu gjithë fuqinë parlamentare. Aq shumë i ishte errur logjika për pushtet, saqë ndonëse e dinte se zotëronte më shumë mandate sesa i takonin, sërish refuzoi të dëgjojë rekomandimet amerikane për të përsëritur pjesërisht zgjedhjet në disa njësi vendore të cilat, edhe po t’i humbte të gjitha, nuk e rrezikonin shumicën e tij qeverisëse.

Ai pushtet i Berishës i dalë nga pseudo-zgjedhjet e 26 majit, nuk u rrëzua nga protestat e opozitës. Me ata ai i kishte mbyllur hesapet më 28 maj ku 300 mbështetës opozitarë i masakroi me bishta lopate në sheshin “Skënderbej”, përfshi këtu edhe liderët e opozitës që i gjakosi dhe i tërhoqi zvarrë. Po të mos ishte rënia e skemave piramidale, të cilat Sali Berisha i kishte toleruar si zhvillim ekonomik, dhe më pas humbja e qindra milionë dollarëve kursime te shqiptarëve shkaku pse këta të fundit patën motiv për t’u rebeluar, ai do të sundonte i qetë deri në vitin 2000.

Edhe kur zemërimi popullor për humbjen e parave arriti kulmin në janar 1997, sërish Berisha nuk e pa të udhës ta zgjidhte situatën e nderë me mjete politike, por e la të degjenerojë me shthurjen e shtetit në mars 1997. Jo vetëm kaq, por u rizgjodh president pa opozitë parlamentare dhe në kushte shtetrrethimi policor, çka ishte një provokim shumë i rëndë për atë situatë delikate që po kalonte Shqipëria.

Por nëse vitet 1996 - 1997 janë të largëta për t’u marrë si shembull, atëherë le të afrohemi në kohë për të bërë një krahasim tjetër.

Rrëzimi nga pushteti i kryeministrit Rama nëpërmjet protestave prej Sali Berishës do kishte kuptim nëse ky i fundit do ishte rrëzuar vetë nga pushteti më 21 janar 2011, gjë që nuk ndodhi. Opozitës, ndonëse iu vranë 4 demonstrues në bulevard prej Berishës, e respektoi demokracinë dhe pas 76 ditësh u fut në zgjedhjet vendore pa i vendosur kushte politike atij. Kurse për ta rrëzuar përfundimisht Sali Berishën nga pushteti, Edi Rama priti me durim vitin 2013, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare.

Nga sa analizova më lart, dalim në konkluzionin se Sali Berishës i mungojnë precedentët për veten e tij kur ka qenë në pushtet. Atëherë, si mund ta kërkojë ai të kundërtën e atyre që ka pas bërë vetë, tani që është në opozitë, kur:

E ktheu shtetin dhe drejtësinë përmbys vetëm e vetëm që të përjashtonte familjarët e tij nga përgjegjësia në tragjedinë e Gërdecit (viti 2008).

Refuzoi të hapte kutitë e [materialeve] të votimit të kërkuara nga opozita (viti 2009).

Pengoi prokurorinë të hetonte dhe arrestonte gardistët e akuzuar për vrasje (viti 2011).

I rrëmbeu në tavolinë fitoren liderit të opozitës për bashkinë e Tiranës (viti 2011).

Zgjodhi dy herë rresht si kryetarë shteti personazhe të larta politike të partisë se tij pa e pyetur fare opozitën (vitet 2007 dhe 2012).

Edhe në kushtet e opozitarizmit, dogji me vetëdije mandatet parlamentare, sulmoi me molotov institucionet kushtetuese dhe braktisi pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, me te vetmin synim: destabilizimin politik të vendit dhe provokimin e zgjedhje të parakohshme. Për këto të fundit, ish-kukulla e tij në krye te PD-së, kishte gjithnjë aprovimin Berishës, i cili merrte pjesë rregullisht në çdo miting molotovist (vitet 2017 dhe 2019).

Si përfundim, trajtimi prej virgjëreshe politike që Sali Berisha po i bën vetvetes, është fyerje për inteligjencën tonë kolektive. Ai s'e ka problem që t’i bishtnoj në mënyrë tinëzare gjithë përgjegjësisë që ka, por është misioni ynë t’ia vëmë në dukje herë pas here se cili ka qenë e çfarë ka bërë. Kjo, jo për moralistin Sali që kërkon t’i fshihet të shkuarës së vetë që ia njohim, por si detyrim për atë brez të ri që nuk e ka ndjerë mbi kurriz qeverisjen e tij despotike.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja