Katër ditë pasi ish-kryetari i Bashkisë së New York mori shtetësinë shqiptare, Eric Adams është regjistruar si banor i Njësisë Nr. 2 në Tiranë.

Ndër të tjera siç duket edhe nga fotoja e mësipërme Admas ka aplikuar edhe për pasaportë.

Florian Pullazi, kreu i njësisë administrative nr.2 Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve.

“Eric Adams, banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë! Me kënaqësi mikprita sot në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams.

Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve - sot, shqiptar me pasaportë  - përveçse një politikan i njohur për fokusin tek çështjet e sigurisë publike, si ish-kapiten i Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut.

Siç e thotë edhe vetë ai, marrja e shtetësisë shqiptare është edhe reflektim i lidhjes së gjatë dhe të thellë mes qytetit të Nju-Jorkut dhe  komunitetit shqiptar në SHBA. Kënaqësi që, nga sot, e kemi banor të njësisë nr. 2 në kryeqytet!”, shkruan Florian Pullazi, kreu i njësisë administrative nr.2 Tiranë.

Gjatë kohës kur ishte në detyrën e kryebashkiakut të New York  Adams e ka shprehur vazhdimisht simpatinë për Shqipërinë dhe shqiptarët.