Ministri i ri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se dosja e parë në tryezën e tij është ‘përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.’

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në Facebook, shtabi i posaçëm i ngritur pranë kësaj ministrie, po ndjek me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarët në Lindjen e Mesme.

Po ashtu në njoftim thuhet se strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur çdo situate.

Postimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:

Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tavolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.

Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute.


Lajmi kryesor:

Koçiu dhe ministrat e rinj betohen para presidentit Begaj! Marrin pjesë në mbledhjen e qeverisë