/ATSH-Klotilda Saraçini/.- Vetëm 10 km larg Lezhës, fshati i Fishtës, në zemër të Zadrimës i njohur si vendlindja e poetit të madh Gjergj Fishta dhe punimet e bukura artizanale, është kthyer gati një vend pelegrinazhi në fundjava me kompleksin agroturistik, që mban emrin e shtojzovalleve malësore, "Mrizi i Zanave".

Kompleksi agroturistik, ndërtuar 4 vite më parë nga një familje vendase e kthyer nga emigracioni disavjeçar në Itali, me synimin për të promovuar produktet e zonës, vjet tërhoqi rreth 10 mijë persona vendas e të huaj, të cilët pëlqejnë gatimet, e përgatitur me prodhimet e zonës, si perimet, vreshtat, ullishtet, frutat e tokës dhe pyllit, blegtorinë.
Altin Prenga, një prej dy vellezërve pronarë i kompleksit "Mrizi i Zanave", tregon në një intervistë për ATSH-në se nisjen e këtij biznesi, që ka mbledhur rreth vetes një numër të madh fermerësh dhe blegtorësh.

"U ktheva me idenë për hapjen e agroturizmit të parë shqiptar me një restorant në fshat ku ofrojmë gjithçka që të jep stina, koha dhe momenti duke promovuar vlerat tona dhe zakonet e tjera, jo domosdoshmërisht, por duke bërë edhe shkrirjen e traditës me modernen. E kam dashur gjithmonë fshatin ku kam lindur ,besoj që si unë ka dhe të tjerë që e mendojnë kështu".

E quan veten me fat që ka lindur në Fishtë, që përveçse është fshat i bukur, është dhe vendlindja e poetit tonë të madh, Gjergj Fishta.
"Kam pasur fatin të lind në të njëjtin vend ku ka lindur Fishta i madh dhe mendoj se më duhet akoma që t'a përvetësoj më shumë Poetin e Madh. Thjesht ky është dhe mesazhi im: jam krenar që jam Fishtak", tregon Altini.

Duke kthyer fshatin Fishtë edhe një vend interesant për shumë turistë, që vijnë për të provuar gatimet e shumëllojshme, Prenga shprehet se "ideja për një restorant është shumë e thjeshtë, por unë kam punuar që të jetë më shumë, pra një lloj agroturizëm. Vendet fqinje si Italia, Franca dhe Spanja kanë 1/3-tën e restoranteve të profilizuar në agroturizëm, pra, restorante dhe bujtina në fshat".

Për të, suksesi në agroturizëm varet tek produktet që përdor në kuzhinën e restorantit "Mrizi i Zanave". Për të, "përdorimi i produkteve vendase është fjala e fundit në guzhinë", sepse përdorimi i produkteve të importuara është tashmë demode". Altin Prenga tregon me dorë fushat që shtrihen poshte kodrës së ulët ku ka ngritur restorantin: "këtu ofrohen të gjitha produktet Bio, prodhuar nga fshatarët e fshatit dhe të zonave përreth".

Agroturizmi që afron Altini nuk është ai klasiku që haset në vendet në perëndim, por shumë më ndryshe."Vështirësia për të pasur produkte standarde të zonës përreth, ka vënë në funksion fantazinë time dhe të vëllait tim Antonit, që të shfrytëzojmë gjithçka që mund të konsumohet në zonën përreth" qesh ai kur nënvizon se "sa e vështirë është, po aq sa nuk ta merr mendja, edhe dëfryese dhe stimuluese".

Altini dhe Antoni sot pas disa vitesh punë, që i ka nxjerrë me faqe të bardhë, shton i bindur: "ne kemi vetëm një "executive chef", që quhet "Toka Jonë"
Kuzhina tek "Mrizi i Zanave" është e shumëllojshme, ku gatuhen ushqime tradicionale dhe moderne botërore.

Por për Altinin, "gatimet tradicionale shqiptare janë pak nën rrënoja siç janë monumentet tona. Kanë pësuar 'tsunami" të ndryshëm, në fillim ishte koha e diktaturës komuniste që solli më pas një konsumim të vrullshëm, që ishte akoma më i dëmshëm se vetë sistemi totalitar, sepse ishte një përzierje katastrofike, që nisi me rrafshimin e zakoneve dhe shijes së sforcuar të sistemit të mëparshëm".

"Bashkë me etjen e tregut për produkte të huaja pas viteve' 90-të, sot kemi një gjendje të mjeruar nga ana gastronomike. Duhet punë për t'i hequr pluhurin recetave tona, ku unë vetë, me familjen time nuk jam askushi që mund t'a bëj, ndaj thjesht kur dëgjoj receta interesante, mundohem t'i gatuaj. Kam gjetur përveç gatimeve të zonës së Zadrimës, edhe receta Arbëreshe, të cilat pëlqehen shumë, por gjithsesi i'a hapim krahët edhe gatimeve të huaja. E rëndësishme është që produkti të jetë i stinës dhe nga terittori që na rrethon", tregon Altini.

Pronarët e "Mrizi i Zanave" e dëshirojnë markën e prodhimeve të zonës, por kanë njohuri edhe si si duhet të hidhen hapat, që Fishta të ketë markën e vet të cilësisë për produkte të veçanta.

Për Altin Prengën, "për momentin, fshatarëve tanë u duhet profilizimi, sepse të gjithë prodhojnë pak nga gjithçka dhe kjo e komplikon situatën. Ne jetojmë pranë kodrave që rrethojnë fushën e Zadrimës, jemi 10 km larg fshatit Kallmet, më i famshmi për rrushin, fasulen dhe ullirin me të njëjtin emër. Këtu lart, kodrat, pronë e përbashkët dhe e lirë, janë të përshtatshme për rritjen e dhisë.

E pra, për këto produkte ka një të ardhme, që mund t'u çertifikohet origjina e produktit".

I cilësuar si person që ka futur në punë shumë fermerë, Altin Prenga shpjegon sesi ia ka dalë të bashkojë banorët e Fishtës me biznesin e tij. "Të dy bashkë me vëllanë, e dimë që pa fermerët këtu ku jemi, nuk jemi asgjë, por edhe fermerët po kuptojnë, se ne jemi të rëndësishëm jo vetëm si konsumatorë të prodhimit të tyre, por dhe si promovues në nivel kombëtar".

Altin Prenga është një nga ata qindra mijëra shqiptarë, që emigroi shpejt me familjen e tij në Itali, por duke mbajtur endrrën për një rikthim në vendlindje. Sepse dëshiron që të mbajë rrenjët thellë në vendlindje, por me një kusht: që fëmijët e tij të mos rriten në një fshat ku ka të varfër dhe ku mirëqënia të jetë e përbashkët.Biznesi i vëllezërve Prenga natyrisht që ka ambicje për më tej, por jo më në përmasa. Duke u mbajtur fort pas agroturizimit që kanë hapur, Altin Prenga shton : "Mrizi i Zanave si biznes është këtu dhe do të zhvillohet çdo ditë, ku me siguri të plotë, kapaciteti nuk do zmadhohet dhe nuk do ta shumëfishojmë diku tjetër. Por ne kemi palanet tona për ndërtimin e një baxho sociale, që të jetë e çobanëve, ndërtimit te një thertoreje për tregtimin e mishit të çobanëve dhe patjetër, të një laboratori për përpunimin e shegës së egër, një produkt simbol i qytetit të Lezhës.