'Mund të isha duke luajtur në lagje, por ndodhem në palestër'...Viti i Ri më i pazakontë për 40 banorë në Krujë: Kështu paska qenë e shkruar

Familja e Shkëlqim Barunit, dhe rreth 40 persona të tjerë në qytetin e Krujës, nuk e presin Vitin e Ri 2020 nën strehën e ngrohtë të shtëpisë dhe tryezën e mbushur me gatime të shijshme nga e zonja e shtëpisë. Ata qëndrojnë në palestrën e shkollës numër 4 në Krujë, pasi shtëpia e tyre është shpallur e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Mbi një muaj i vështirë, plogështia e të cilit ndihet edhe më shumë në këtë ditë teksa pjesa tjetër feston dhe pret me gëzim ndërrimin e viteve. Gazetari i Report Tv Andi Kapxhiu, ishte pranë tyre për t'i dhënë zë shqetësimit të tyre, e për të sjellë pranë publikut anën tjetër të këtij fundviti, që ndryshe nga çdo vit i kaluar, nuk i gjen të gjithë shqiptarët me një çati mbi kokë.

Shkëlqimi, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, thonë se nuk e ndjejnë atmosferën festive. E vetmja çka dëshirojnë, është një shtëpi e re.

"Isha turn i tretë pasi punoj roje. Mbas pune shkova në shtëpi dhe fillova me qa me fëmijët e me gruan, se e pashë shtëpinë e shkatërruar. Shtëpia është shpallur e pabanueshme, nusja me fëmijët kanë qenë në shtëpi. Kur e pashë banesën fillova të qaj si fëmijë, çfarë të bëjmë, ku të shkojmë, ku të mbytemi", kujton ai momentet e tmerrshme të lëkundjes së fuqishme në orën 03:54 të 26 nëntorit.

"E përjetuam shumë keq, u trembëm jashtë mase, morëm fëmijët, dolën duke bërtitur. Njëra desh ka rënë nga soleta u tremb, s'ka gjë moj mam se janë punët e zotit i thashë. Këtu kemi kaluar, tre vakte këtu i kemi ngrënë. Fëmijët kanë shkuar në shkollë. Asnjëherë nuk e kemi pritur t'i kalojmë festat e fundvitit në palestër, por kështu paska qenë e shkruar", tregon bashkëshortja e tij.

Edhe vajza e tyre, me sytë e përlotur, ka vetëm një dëshirë, që nuk i ngjason aspak moshatarëve të saj: Një shtëpi të re. "Nuk është e njëjta atmosferë, unë mund të isha duke luajtur në lagjen time me shokët, por kur e shoh veten në këtë gjendje, pa shtëpi, është e vështirë. Të gjithë e kishin shtëpinë e bukur, kur shikoja timen, nuk e përjetoja mirë. Më duhet shtëpia ime, dua të rregullohet. Pa shtëpi nuk kam jetë. Aty dua të bëj detyrat, të mësoj, të lexoj. Kemi kaluar momente të qeshura me grupe qe vijnë këtu, por prapë si shtëpia nuk ka. Nuk është e njëjta atmosferë. Ta kalosh me njerëz që i njeh edhe nuk i njeh, dua ta shijoj vitin e ri vetëm me familjen time në shtëpinë time", thotë ajo.

Zonja e familjes na thotë se autoritetet që po kujdesen për ta i kanë komunikuar se do të dalin nga palestra më 5 janar, por se nuk e di ku do të shkojnë më pas, pasi në Krujë nuk ka asnjë banesë me qira të lirë.

"Ne na kanë thënë që do të dalim me datë 5 janar, por nuk e dimë se ku do të shkojmë. Në atë shtëpi nuk mund të jetojmë, ta dimë edhe se do të jetojmë në plastmas. Shtëpi me qira në Krujë nuk ka asnjë, se janë çarë të gjitha. Punën e kemi këtu, shkollën e kanë këtu fëmijët, nuk mund të largohemi nga vendi ynë", thotë ajo.

Megjithatë, gjen forcën të ndajë një urim për të gjithë shqiptarët: Urojmë një vit të mbarë, më të lumtur në familjet e tyre, ishalla mos i ndodhtë kujt siç na ka ndodhur ne o zot.

"Uroj të gjithë shqiptarët me shtëpi të re kujt i ka ndodhur kjo. Një vit i mbarë dhe më i mirë", thotë edhe Shkëlqimi.


Lajmi kryesor:

Troket 2020-a! Viti i ri përmes kamerës së Report Tv: Nga festa e vakët e të pastrehëve të tërmetit tek spektakli i fishekzjarreve në çdo cep të Shqipërisë


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja