Troket 2020-a! Viti i ri përmes kamerës së Report Tv: Nga festa e vakët e të pastrehëve të tërmetit tek spektakli i fishekzjarreve në çdo cep të Shqipërisë

Troket 2020-a. Një vit i ri me urimet për më shumë mbarësi, begati e lumturi. Një vit i lënë pas me ngjarjen më të vështirë që përjetoi populli shqiptar, atë të tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 viktimë, qindra të plagosur, e mijëra të pastrehë. Si asnjëherë më parë, ndërrimi i viteve nuk i gjeti të gjithë shqiptarët me një çati mbi kokë, me ngrohtësinë e shtëpisë dhe të tryezës së shtruar me delikatesë nga amvisat. Shumë e pritën 2020-ën në çadra e të tjerë në palestra. Në sytë e tyre mungon atmosfera e festës dhe urimi që kanë njëzëri, është: Një shtëpi e re sa më shpejtë.

Përndryshe, në Tiranë, spektakli i fishekzjarrëve në sheshin "Skënderbej" mblodhi në qendër të kryeqytetit të mëdhenj e të vegjël për të pritur Vitin e Ri 2020 krah njëri-tjetrit nën magjinë shumëngjyrëshe por edhe tingujt e muzikës së bukur shqiptare në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Report Tv dhe Shqiptarja.com qëndruan në transmetim maratonë me lidhje të drejtpërdrejta nga Tirana dhe disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë. Pjesa më e veçantë që rrëmben vëmendjen e të gjithëve dhe kërkon solidaritet, janë ata banorë të cilët nuk festojnë si të tjerët. Më të vegjlit, të moshuarit, ishin në fokusin e kamerës së Report Tv, duke shfaqur gëzimin dhe lotët në sytë e tyre teksa urojnë shqiptarët të mos kalojnë tmerret që ata përjetuan.  Rreth 10 mijë shqiptarë nuk e pritën Vitin e Ri në shtëpitë e tyre. Gazetari Andi Kapxhiu ishte pranë banorëve në palestrën e shkollës numër 4 në Krujë duke përcjellë historitë e tyre njerëzore, ndërsa Report Tv në mënyrë simbolike i shtroi në tryezë dy torta për të sjellë sadopak tek ta atmosferën festive që po ndjen Shqipëria.

Kushdo që dëshiron të kontribuojë për t'u ardhur në ndihmë këtyre personave, mund të dhurojë në faqen online  e-albania.al/dhuro.

Shqiptarja.com dhe Report Tv ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2020, ardhtë i paqtë për të gjithë shqiptarët!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Shumë banorë pa shtëpi, një lutje për 2020... Atmosferë e vaktë festimi në Fushë-Krujë (VIDEO)

FUSHE KRUJE- Ka qenë e vakët atmosfera festive në qytetin e Fushë-Krujës në natën e ndërrimit të viteve. Në momentin ku akrepat kaluan orën 12 pas mesnate, kanë qenë të pakët fishekzjarret që janë dëgjuar në periferi të qytetit.

Fushë Kruja ishte një ndër vatrat e tërmetit të 26 Nëntorit. Në Thumanë u shënuan 22 viktima ndërkohë që shumë të tjerë mbetën pa banesë, si pasojë e dëmtimeve.

Shumë prej tyre nuk kanë ende një strehë mbi kokë dhe e pritën 2020 në çadra dhe palestra me urimin e vetëm për një shtëpi të re.

Ora 01:39
Spektakli i fishekzjarreve në çdo cep të Shqipërisë...cili qytet festoi më bukur (VIDEO)

Momenti i ndërrimit të viteve është festuar në të gjitha qytetet e vendit. Pavarësisht temperaturave të ulta qytetarët e pritën Vitin e Ri 2016 nën zhurmën e dritat vezulluese të fishekzjarrëve. Me shpresën për një vit më të mbarë e të begatë, qytetarët pas darkës së vitit të ri kishin dalë në qendrat e qyteteve për të pritur ndërrimin e viteve. Por ndryshe nga vitet e mëparshme, 2019-ta u prit nën një atmosferë pak më të zbehtë, kjo për shkak të situatës pas tërmetit.

 

Ora 00:43
Spektakli me fishekzjarre në Tiranë (FOTO)
Ora 00:43
Lleshaj falenderon policët në shërbim: Ky vit u prit në mënyrën më dinjitoze, pa shumë zhurmë e me shumë gëzim

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj doli në sheshin "Skënderbej" për të falenderuar të gjitha forcat e policisë që natën e ndërrimit të viteve e pritën në shërbim të sigurisë së qytetarëve. Urimi dhe falenderimi i tij shkoi edhe për ekipet mjekësore e të forcave zjarrfikëse. Ai tha se fatmirësisht ky vit nuk shënoi incidente dhe se nuk pati 'zhurmë' duke ju referuar kontrolleve t ëshumta që policia ka zhvilluar këto ditë festash për të mos lejuar tregtimin e mjeteve pirroteknike, të ndaluara me ligj.

"Besojmë që ky vit është i pritur në mënyrën më dinjitoze të mundshme pa shumë zhurmë më shumë gëzim e lutmuri", tha Lleshaj.

"Kam ardhur t'i them faleminderit këtyre njerëzve që shërbejnë për sigurinë e të gjithë shqiptarëve", tha Lleshaj.

Ora 00:34
Tirana feston ardhjen e vitit 2020! Rama: Shpresë e ambicie për të ardhmen që do të jetë pasqyra e Shqipërisë që duam

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët duke shpërndarë në Facebook videon me spektaklin e fishekzjarreve në Tiranë, organizuar nga bashkia e kryeqytetit. 

"Tirana feston ardhjen e vitit 2020. Një numër fantastik me shpresë, perspektivë, ambicie për të ardhmen, që patjetër do të jetë pasqyra e Shqipërisë që duam", shkruan Rama.

Ora 00:22
Një djalë dhe një vajzë lindin në minutën e parë të vitit të ri 2020

Një djalë dhe një vajzë janë bebat e parë që kanë ardhur në jetë në minutën e parë të vitit të ri 2020.

"Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” e para ka lindur Emel, ndërsa në maternitetin “Koço Gliozheni” ka lindur i pari një djalë që gëzon shëndet të mirë! Gëzuar me mrekullinë e jetës!", shkruan ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ora 00:07
Report Tv shtron tortë në tryezën e vakët të të prekurve nga tërmeti në Krujë (FOTO)

Duke trokitur gotat, me urimet për një vit sa më të mbarë... kështu ka mbërritur viti 2020 në palestrën e shkollës në Krujë ku janë mbledhur të festojnë të gjithë banorët që tërmeti i 26 nëntori i la pa një shtëpi. Report Tv nuk i ka lënë vetëm. Në një transmetim maratonë janë sjellë në vëmendje histori pas historie, apelin e qytetarëve drejtuar shtetit, por edhe urimet për gjithë shqiptarët. Gjithashtu, në mënyrë simbolike Report Tv u shtroi në tryezë dy torta për të sjellë sadopak tek ta atmosferën festive që po ndjen Shqipëria.

 

Torta e sjellë nga Report Tv për të prekurit e tërmetit në Krujë
Ora 23:55
VIDEO- Spektakli me fishekzjarre në Tiranë...Mirësevjen 2020

Mirësevjen  2020....

Ora 23:50
Vogëlushja feston 1-vjetorin në palestrën e shkollës...Të prekurit nga tërmeti mes një atmosfere të 'sforcuar' për pritjen e 2020-ës

Edhe pse në palestër, nuk kanë lënë pas atmosferën festive. Një tavolinë e vogël, me ushqime modeste, por që nuk e fsheh dëshirën e banorëve të Krujës për të pasur shtëpinë e tyre të re sa më shpejtë.

Një ditë më parë në palestrën e shkollës numër 4 ku janë strehuar rreth 40 banorë të prekur nga tërmeti, është festuar edhe ditëlindja e një vogëlusheje, e cila ka mbushur 1 vjeç. Prej një muaji në palestër përshtatja ka qenë mjaft e vështirë edhe për të, ndërsa familjarët e saj kishin menduar edhe për vendosjen e disa zbukurimeve për të sjellë atmosferën e ditëlindjes. Në palestër nuk mungon as pema e Vitit të Ri, ndërsa një zonjë është munduar që me disa gatime modeste të sjellë një tryezë festive për fqinjët e saj.

Donika: Shtëpia ime është për rindërtim. Kam ardhur këtu se kam komshinjtë që kam jetuar 25 vite. Shpresoj të na japin një rrugëzgjidhje. I uroj gëzuar, mos i pafshim më këto ditë që kemi kaluar, dhe sa më shpejtë në shtëpitë e tyre.

"Ta festosh në këto kushte është një ndryshim 100% në krahasim me shtëpinë. Jemi munduar me sakrifica. Jemi 8 pjesëtarë të familjes këtu. Presim një vlerësim të fundit për shtëpinë, nëse do të prishet apo do të riparohet. Ne kërkojmë të dimë si do të veprohet. Të marrim një rrugë", shprehet një tjetër banor.

"I uroj që të tillë fatkeqësi të mos shohin më. Të jenë në shtëpitë e tyre, do të jetë një gëzim i madh për popullin e Durrësit, Tiranës, e Thumanës, sa më shpejtë më mirë do jetë për popullin. Qetësia nëpër palestra nuk është kurrë", shprehet një banor.

Ora 23:47
Korça 'zhgënjen'...nuk ka borë natën e ndërrimit të viteve, por dhuron super atmosferë

Korça, ose siç shumë e quajnë "Parisi i Vogël" ka qenë destinacioni i preferuar i shumë turistëve për të kaluar festat e fundvitet. Një dekor fantastik, plot ngjyra e drita ofron mirë se ardhje për çdo kënd, mikpritja e korçareve, gatimet tradicionale...Korça ka pasur shumë për t'u ofruar qytetarët, por fatkeqësisht ndryshe nga vitet e tjera vendi nuk është zbardhur nga dëbora. Këtë fat e kanë vetëm ata që kanë arritur që të gjejnë një dhomë hoteli ose bujtinë në Voskopojë. Gazetarja e Report Tv, Gladiola Hoxha sjell një panoramim të atmosferës në Korçë, qytet i cili as këtë vit nuk zhgënjen.  

Ora 23:35
'Më ikën të gjitha kursimet e fëmijëve...Nuk shkuam tek shtëpia e djalit që të rrimë shokë e shoqe në palestër!'

Kursimet i jetës i janë shuar në vetëm pak sekonda të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. E tillë është historia e një familje të strehuar prej më shumë se një muaji në palestrën e shkollës numër 4 në Krujë.

"Hyrjen e kam blerë në 2018-ën, dhe në tetor 2019 jam futur brenda me dy hyrjet e fëmijëve, njëri djalë 7 pjesëtar, tjetri 4 pjesëtar. Është vështirë t'i përballoj më shpenzimet e atyre banesave. Të gjitha kursimet e fëmijëve kanë shkuar aty. Ishalla me ndihmën e zotit dhe të qeverisë do të bëhet më e mira për ne, se jemi të këputur. Ishalla të gjithë shqiptarët qofshin të lumtur në shtëpitë e tyre", thotë zonja për gazetarin Andi Kapxhiu.

Ka edhe nga ata banorë që kanë refuzuar të qëndrojnë pranë familjarëve të tyre që nuk janë prekur nga tërmeti, për të qenë pranë fqinjëve, miqve e shokëve të tyre në këto ditë të vështira.

"Na kanë ftuar edhe familjarë të tjerë, fëmija jonë na tha, por ndenjëm bashkë me shokët. Ndihma janë dhënë sa të duash dhe shpresa është e madhe. Na kanë sjellë ushqime, rroba dhe ngrohëse e të gjitha. Ne jemi shtëpi private, mirë është të na japin fond të na ndihmojnë ta ndërtojmë vet. Ne jemi moshë e madhe, çdo lloj kushti na e kanë përshtatur", tregon një zonjë tjetër. Ajo ndan edhe urimin e saj për shqiptarët, që sigurisht fjalët e shpirtit i drejton për ata që njëjtë si ajo, sot janë pa një shtëpi: "2020-ën uroj gjithë shqiptarët që janë pa banesa të hyjnë të gjithë në banesa të reja, e të gëzojnë kudo ku janë".

Bashkëshorti i saj thotë se dëshiron të mësojnë sa më shpejt se çfarë do të bëhet me ta. "Duam të dimë një përgjigje të saktë se çdo të bëhet me këto pallate. Të pabanueshme kanë dalë, por prapë në pikëpyetje se do të shikohen prapë. Nuk e dimë, a nuk dinë me i pa ata që i panë?", thotë ai.

Në mesin e vështirësive që kanë parë në banorë të tjerë, që jetojnë në çadra në këto ditë të acarta dimri, në këtë palestër, banorët ndihen të lumtur, e megjithatë nuk mund të fshehin dëshirën e këtij fundviti: Të kenë sa më shpejt shtëpitë e tyre të reja. "Jam 5 veta me familjen, si gjithë shokët e shoqet jemi pa shtëpi, jam me dy fëmijë të vegjël, 5 dhe 6 vjeç. Ne nuk jemi mësuar me këtë ambient, sado i mirë ka qenë. Duke dëgjuar se si jetojnë nëpër çadra ne kemi qenë shumë mirë këtu. Kanë ardhur lodra përditë për fëmijët, për t'i gëzuar", thotë një banore e strehuar prej një muaji në palestër.

Ora 23:32
Vlora respekton traditën...ja si është atmosfera në qytetin bregdetar (VIDEO)

Tradita vijon të respektohet në Vlorë...siç ka ndodhur në vitet e kaluar,a vlonjatët do të mblidhen në shesh për të shijuar të gjithë së bashku koncertin në Lungomare dhe spektaklin e fishezkzjarreve, i cili është i gjithë eksluzivitet i Bashkisë. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se nuk janë shënuar incidente, deri në këto momente, ku përveç trafikut të rënduar, kjo edhe për pasojë të ardhjes së shumë emigrantëve që kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në atdhe, gjithçka i ngjan një atmosfere perfekte festive.

Ora 23:27
Të gjithë në kërkim të një vendi parkimi...Në sheshin qendror në Shkodër për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve

1577831337_shkoder.jpg

Gazetari Ergys Kavaja duke raportuar

Edhe në Shkodër ka nisur festa. Rrugët e qytetit janë mbushur me makina, me persona që kanë dalë të presin në shesh ndërrimin e viteve për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve. Të gjithë në kërkim të një parkimi për të lënë automjetin dhe për të gjetur vendin e duhur në sheshin "Nënë Tereza" ku do të bëhet hedhja e fishekzjarrëve në mënyrë të organizuar nga Bashkia e Shkodrës.

Ora 23:20
'Vetë sakate me dy fëmijë invalidë, shteti të na japë një dorë', historia e të moshuarës që po kalon vitin e ri në palestrën në Krujë

Atmosferë e vakët, por me fat që sot janë gjallë dhe festojnë natën e ndërrimit të viteve, me shpresën se shtëpia e tyre do të ribëhet dhe ëndrrën që ky "makth" do të mbarojë shumë shpejt....kështu paraqitet situata në palestrën në Bashkinë e Krujës.

Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu ndodhet në këtë natë të ndërrimit të viteve në Krujë, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, për të sjellë në vëmendje histori njerëzore. Vera, është një prej 40 banorëve që po festojnë natën e vitit të ri në këtë palestër. Darka është konsumuar rreth orën 08:30-09:00, për të cilët është kujdesur stafi i Bashkisë dhe më pas mbrëmja ka vijuar e qetë. Vera tregon se as nuk e kishte menduar kurrë që do të kalontë këtë mbrëmje në këtë formë, e ndërsa bën apel shtetit që ta ndihmojë.

"Kam dy fëmijët invalid, vetë sakat 10 vjet. Shtëpia është gati duke rënë, e kam pasur në kat të tretë. Të na ndihmoj shteti, të na japë dorë, të na japë durim", shprehet Vera.

Ora 23:18
Nga dritat te spektakli i fishekzjarrëve/ Dhjetëra qytetarë në sheshin 'Skënderbej'...sfidë temperaturave të ulëta

Kur kanë mbetur më pak se një orë nga viti i ri, në çdo cep të sheshit "Skëndërbej' ndihet atmosfera e bukur...dhjetëra qytetarë kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të Viteve të mos e festojnë në shtëpitë e tyre, por në shesh. Dritat shumëngjyrëshe, muzika në sfond, koncerti ku do zbresin këngëtarët më në zë të momentit dhe në fund spektakli me fishekzjarre kanë joshur qytetarët, të cilët ka zgjedhur të sfidojnë edhe temperaturat e ulëta dhe të festojnë ndryshe.

Ora 23:13
'Mund të isha duke luajtur në lagje, por ndodhem në palestër'...Viti i Ri më i pazakontë për 40 banorë në Krujë: Kështu paska qenë e shkruar

Familja e Shkëlqim Barunit, dhe rreth 40 persona të tjerë në qytetin e Krujës, nuk e presin Vitin e Ri 2020 nën strehën e ngrohtë të shtëpisë dhe tryezën e mbushur me gatime të shijshme nga e zonja e shtëpisë. Ata qëndrojnë në palestrën e shkollës numër 4 në Krujë, pasi shtëpia e tyre është shpallur e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Mbi një muaj i vështirë, plogështia e të cilit ndihet edhe më shumë në këtë ditë teksa pjesa tjetër feston dhe pret me gëzim ndërrimin e viteve. Gazetari i Report Tv Andi Kapxhiu, ishte pranë tyre për t'i dhënë zë shqetësimit të tyre, e për të sjellë pranë publikut anën tjetër të këtij fundviti, që ndryshe nga çdo vit i kaluar, nuk i gjen të gjithë shqiptarët me një çati mbi kokë.

Shkëlqimi, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, thonë se nuk e ndjejnë atmosferën festive. E vetmja çka dëshirojnë, është një shtëpi e re.

"Isha turn i tretë pasi punoj roje. Mbas pune shkova në shtëpi dhe fillova me qa me fëmijët e me gruan, se e pashë shtëpinë e shkatërruar. Shtëpia është shpallur e pabanueshme, nusja me fëmijët kanë qenë në shtëpi. Kur e pashë banesën fillova të qaj si fëmijë, çfarë të bëjmë, ku të shkojmë, ku të mbytemi", kujton ai momentet e tmerrshme të lëkundjes së fuqishme në orën 03:54 të 26 nëntorit.

"E përjetuam shumë keq, u trembëm jashtë mase, morëm fëmijët, dolën duke bërtitur. Njëra desh ka rënë nga soleta u tremb, s'ka gjë moj mam se janë punët e zotit i thashë. Këtu kemi kaluar, tre vakte këtu i kemi ngrënë. Fëmijët kanë shkuar në shkollë. Asnjëherë nuk e kemi pritur t'i kalojmë festat e fundvitit në palestër, por kështu paska qenë e shkruar", tregon bashkëshortja e tij.

Edhe vajza e tyre, me sytë e përlotur, ka vetëm një dëshirë, që nuk i ngjason aspak moshatarëve të saj: Një shtëpi të re. "Nuk është e njëjta atmosferë, unë mund të isha duke luajtur në lagjen time me shokët, por kur e shoh veten në këtë gjendje, pa shtëpi, është e vështirë. Të gjithë e kishin shtëpinë e bukur, kur shikoja timen, nuk e përjetoja mirë. Më duhet shtëpia ime, dua të rregullohet. Pa shtëpi nuk kam jetë. Aty dua të bëj detyrat, të mësoj, të lexoj. Kemi kaluar momente të qeshura me grupe qe vijnë këtu, por prapë si shtëpia nuk ka. Nuk është e njëjta atmosferë. Ta kalosh me njerëz që i njeh edhe nuk i njeh, dua ta shijoj vitin e ri vetëm me familjen time në shtëpinë time", thotë ajo.

Zonja e familjes na thotë se autoritetet që po kujdesen për ta i kanë komunikuar se do të dalin nga palestra më 5 janar, por se nuk e di ku do të shkojnë më pas, pasi në Krujë nuk ka asnjë banesë me qira të lirë.

"Ne na kanë thënë që do të dalim me datë 5 janar, por nuk e dimë se ku do të shkojmë. Në atë shtëpi nuk mund të jetojmë, ta dimë edhe se do të jetojmë në plastmas. Shtëpi me qira në Krujë nuk ka asnjë, se janë çarë të gjitha. Punën e kemi këtu, shkollën e kanë këtu fëmijët, nuk mund të largohemi nga vendi ynë", thotë ajo.

Megjithatë, gjen forcën të ndajë një urim për të gjithë shqiptarët: Urojmë një vit të mbarë, më të lumtur në familjet e tyre, ishalla mos i ndodhtë kujt siç na ka ndodhur ne o zot.

"Uroj të gjithë shqiptarët me shtëpi të re kujt i ka ndodhur kjo. Një vit i mbarë dhe më i mirë", thotë edhe Shkëlqimi.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 01/01/2020 00:11

    Urime stafit te shqiptarja .com qofte viti 2020 me mjaft te mira dhe suksese ne punen tuaj.Jeni number one si media on line ,bravo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin