PRISHTINË, 9 Prill/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, mori pjesë sot në akademinë përkujtimore kushtuar përvjetorit të betejës së Kosharës, duke e cilësuar 9 prillin si datën më të rëndësishme dhe me të veçantë në kalendarin e historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.
Sipas KosovaPress, duke vlerësuar lart veprën e dëshmorëve dhe martirëve që luftuan në këtë betejë, Mustafa tha se kjo betejë është njëra ndër fitoret më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Atë ditë forcat pushtuese kuptuan se luftën e kishin humbur. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë me 9 prill 1999...shënon një prej fitoreve më domethënëse të UÇK-së. Në Koshare jo vetëm që u thyen forcat serbe por shkulën edhe kufirin që na ndau gjysmë shekulli", tha Mustafa.
Për Mustafën beteja e Kosharës paraqet inspirim për të gjithë zyrtarët e shtetit dhe institucionet që të punojnë më shumë.
"Ne si qytetarë dhe institucione ua kemi borxh atyre që të punojmë me tërë dijen dhe përkushtimin tonë që t'ua jetësojmë ëndrrat e tyre", tha kryeministri Mustafa gjatë kësaj akademie.
Ai premtoi se shumë shpejt do të përfundojë edhe projekti për ndërtimin e memorialit në këtë vend dhe se ky projekt do të përmbyllet në drejtimin e Mustafës si kryeministër.
"Ky vend do të duket ndryshe dhe do të marrë formën që e meriton në emër të dëshmorëve dhe të gjitha atyre heronjve që luftuan këtu", tha në fund Mustafa./m.m/









