Mustafa: Shqiptarët e Preshevës
"jo" zgjedhjeve të Beogradit

Mustafa: Shqiptarët e Preshevës<br />
TIRANE- Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke diskutuar mundësinë e mospjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi. Këtë fakt e ka bërë të ditur sot kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në emisionin "Tête à tête" të gazetarit Artur Nurja, në "A1 Report", duke thënë se krerët e luginës nesër do të marrin vendimin për këtë çështje.

Mustafa foli edhe mbi mbështetjen financiare që dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës akorduan në mbledhjen e fundit të përbashkët mbajtur në Prizren, për komunën e Preshevës.
 
Kryekomunari i Preshevës kërkoi nga kryeministri Rama, që në vizitën e tij të ardhshme që do të mbajë në Beograd, përveç marrëveshjeve ekonomike, të kërkojë edhe një marrëveshje për arsimin. Sipas Mustafës, kjo marrëveshje duhet të bëjë njohjen e përbashkët të diplomave të studentëve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
 
INTERVISTA E PLOTE
Sfida më e madhe politike tashmë janë zgjedhjet e përgjithshme në Serbi. Cili është qëndrimi i shqiptarëve ndaj këtyre zgjedhjeve?
Akoma nuk ka mbaruar mandati i kësaj qeverie të zgjedhur që funksionoi për dy vite, ndërsa në parlamentin e Serbisë shpallen zgjedhje të reja të parakohshme me qëllime të partive të mëdha serbe. Ka shtyrje midis kryeministrit Daçiç dhe zëvendëskryeministrit Vuçiç, duke u vendosur që më 16 mars të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Kjo gjë shqiptarët gjë i ka gjetur në një situatë mjaft të rëndë ekonomike e politike përballë shumë sfidave që pritej të zgjidheshin brenda mandatit të kësaj qeverie, sidomos tashmë që Serbie mori ftesën për vijimin e bisedimeve për integrimin në BE. Tani për tani shqiptarët e luginës së Preshevës janë duke diskutuar mundësinë e daljes apo mosdaljes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Në raport me zgjedhjet e Beogradit, ju keni bojkotuar, por ka pasur mekanizma të cilët nuk kanë bojkotuar këto zgjedhje. Cila është fotografia politike sot?
Partitë politikë që lobojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës nga viti 1992 e këtej marrin pjesë drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale, pasi në këtë Luginë mbi 98% e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa në Medvegjë kemi një numër më të vogël të shqiptarëve për shkak të dyndjeve dhe dëbimeve që i kanë bërë serbët përgjatë periudhës kohore të luftës së Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë. Në vitet 2000-2007 asnjëherë shqiptarët nuk morën pjesë në zgjedhjet parlamentare, asnjë nga subjektet politike. Nga viti 2007 e këtej situata ka ndryshuar, një pjesë kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Ka qenë një deputet shqiptar në parlamentin serb, edhe pse nuk kishte mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, edhe pse nuk ka mundur të çojë zërin e shqiptarëve në një parlament ku 250 deputetë janë serbë. Deri më tani kemi pasur 4 takime të përbashkëta gjithë lidershipi shqiptar që funksionon në Luginën e Preshevës. Jemi takuar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, me ministren e Integrimeve Europiane të Kosovës. Të gjitha këto takime janë zhvilluar në frymën e një tolerance të lartë, dhe në këtë frymë do vijohet që secili subjekt politik të diskutojë me organet e tij në mënyrë që nesër në orën 15:00 të dilet me një qëndrim të përbashkët i cili duhet të jetë unik i mbështetur nga të gjithë partitë politike.

Në rast se realizohet kjo zoti Mustafa ne do të kemi një precedent pozitiv në luftën politike të shqiptarëve, gjë që për fat të keq nuk e kemi kaq solide sa ju po argumentoni as në Shqipëri, as Maqedoni dhe as në Kosovë.
Edhe pse në Preshevë ka mori partish politike të organizuara në mëvetësi, janë në pozicion që shpeshherë brenda historisë të jenë të unifikuar dhe të kenë një qëndrim të përbashkët që nuk ndodh në vende të tjera, sepse shqiptarët e Preshevës janë më të rrezikuarit se në çdo pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor sa i takon shqiptarëve. Në këtë drejtim nuk është hera e parë që unifikohemi. Unë marr shembull referendumin e 1-2 mars 1992 ku bashkërisht shqiptarët dolën në këtë verdikt të popullit për një autonomi kulturore politike në momentin kur kishim një regjim më të egër të Millosheviçit. Megjithatë në vitet 2000-2001 edhe ishte një organizim ushtarak i shqiptarëve të Preshevës. Shqiptarët kanë ditur edhe më vonë të organizohen, në 2006 kemi miratuar një platformë ekonomike të përbashkët . nesër në Preshevë do të vendoset një unitet i vazhdueshëm i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për t’i rezistuar në mënyrë serioze qeverisë serbe dhe për të dëshmuar para faktorit ndërkombëtar se shqiptarët janë të pakënaqur me statusin e tyre.
 
Ju folët për takime që keni zhvilluar me autoritete të ndryshme si në Tiranë edhe në Prishtinë. Ndihma institucionale që po ju jep tashmë Tirana dhe Prishtina, është parashikuar edhe me një vendim qeverie, në raport edhe me qëndrimin e Beogradit, si mund të paralelizohet kjo ndihmë?
Duke qenë Lugina e Preshevës e banuar me shumicë shqiptare dhe ndërkohë më e diskriminuara në Ballkanin perëndimor në Serbi, është mirë që dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë identifikuar këto problem në mbledhjen e përbashkët. Është një ngjarje historike, një mbledhje e Prizrenit e kohëve moderne. Është rëndësi që temë e veçantë e kësaj mbledhje ishte edhe Lugina e Preshevës. Ndërkohë edhe një fond modest që është akorduar për çështjen e ngritjes së maternitetit në Komunën Preshevë, konsiderojmë se është një hap i parë i mbështetjes financiare e ekonomike ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Realizimi i maternitetit është drejt përmbylljes dhe likuidimi nga dy qeveritë, i Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të bëhet sa më parë. Presim që më datë 15-20 mars të fillojë punën dhe të funksionojë. Ndaj nevojitet që ky premtim të realizohet.

Pas zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, kryeministri shqiptar Edi Rama do të vizitojë Beogradin. Marrëveshja për të cilën diskutohet është publike, ju si komponent politik i shqiptarëve të Serbisë, çfarë do t’i sugjeronit kryeministrit Rama për të ngritur në Beograd?
E thashë dhë pak më lart për fondin e dy qeverive për ndërtimin e maternitetit të Preshevës, por qëllimet janë për ndërtimin e një fondi të veçantë ekonomik për Luginën e Preshevës me qëllim që të jetë serioz. Në krahasim me fondet zyrtarë që Beogradi ndaj për serbët kjo është shumë minore. Në komunat Preshevë dhe Bujanoc kemi një papunësi të shprehur diku mbi 70 % të gjithë atyre shqiptarëve të aftë për punë. Ndërsa në Medvegjë kemi një largim të kësaj popullate dhe ka nevojë të hyjnë fonde për kthimin e popullatës së zhvendosur me dhunë nga serbët në periudhën 1999-2001. Qeveria serbe nuk është e interesuar që të hyjë me fonde në Luginën e Preshevës, dhe përkundër ligjit ata shkurtojnë buxhetet për komunat ku shumica e popullsisë është shqiptare. Në disa komuna buxheti është rritur me 15 %, ndërsa për komunat shqiptare është ulur 7-8%. Në këtë drejtim tregohet hapur diskriminimi. Ne jemi në dijeni se kryeministri shqiptar Edi Rama do të bëjë një vizitë zyrtare në Beograd, e cila besoj se do të jetë pas zgjedhjeve, ndoshta janë përgatitur edhe memorandumet e bashkëpunimit mes dy vendeve, pasi për shumë vite nuk është vendosur një raport i mirë zyrtar mes Beogradit dhe Tiranës. Nëse ky takim realizohet, përveç marrëveshjeve që do t’i lidhin në nivel ekonomik, tregti dhe turizëm unë do të sugjeroja që kryeministri Rama të insistojë të bëhet një marrëveshje në fushën e arsimit, sepse kemi një mori studentësh të cilët mbarojnë studimet universitare në Shqipëri dhe ballafaqohen në rastin e kthimit në Luginën e Preshevës me njohjen reciproke të diplomave. Prandaj kjo do të ishte një interes shumë i madh i shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Konsideroj se kjo është marrëveshja e parë zyrtare që duhet ë lidhet mes Beogradit dhe Tiranës. Po kështu duhet marrëveshje edhe për identifikimin e shqiptarëve të Preshevës me simbolet e tyre kombëtare, me flamurin kuq e zi, duke përdorur lirshëm gjuhën shqipe jo vetëm në institucionet e pushtetit vendor, por edhe në nivel republike. Po kështu duhet të lidhet edhe një marrëveshje e cila do të obligojë qeverinë serbe që të ketë një kujdes më të madh ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pasi për shumë vite jemi lënë pas dore. Është obligim kushtetues i qeverisë shqiptare, pasi në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë, theksohet se qeveria duhet të kujdeset edhe për kombin shqiptar që ndodhet jashtë Republikës aktuale.

Po në raport me Prishtinën, çfarë do sugjeronit?
Politika shqiptare në Luginën e Preshevës vazhdimisht ka qenë e zëshme, pasi kemi kërkuar që shqiptarët e kësaj zonë të trajtohen si çështje në këto bisedime me Beogradin zyrtar. Sa i takon kryeministrit serb që të interesohet për gjendjen e serbëve në politikën e Kosovës, sidomos në veriun e saj, po aq do t’i takonte edhe kryeministrit Thaçi që të interesohet për çështjen e shqiptarëve në Preshevë. Mbase ka pasur shtrëngime nga komuniteti ndërkombëtar, por megjithatë është dashur një këmbëngulësi e madhe e shqiptarëve në Kosovë, që të kujdesen për Luginën e Preshevës. Është e rëndësishme që të zbatohen standard të njëjta në të dy vendet, edhe në Serbi edhe në Kosovë, sa i takon pakicave kombëtare. Në gjithë këto bisedime që po zhvillohen në Bruksel flitet vetëm në lidhje me qëndrimin për serbët në veriun e Kosovës, dhe jo për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Edhe qeveria e Kosovës duhet të kujdesët për këtë fakt. Padyshim që kemi pasur ndihmën e vazhdueshme në republikën e Kosovës, edhe në Shqipëri, por megjithatë mund të bëhet dhe më tepër.

Ka një iniciativë të kryeministrit Rama për të nxitur të gjithë elementët e lobimit që Thaçi, Daçiç dhe Ashton të marrin çmimin Nobel për paqen. Si është pritur ky zhvillim tek shqiptarët e Preshevës?
Shqiptarët e Preshevës japin mbështetjen për kryeministrin Thaçi sepse ka bërë mjaft për republikën e Kosovës, ndërkohë jemi të zhgënjyer lidhur me propozimin për dhënin e çmimit Nobel për paqen kryeministrit serb Daçiç sepse është një pas rendës i kasapit të Ballkanit Millosheviç, pasi gjatë gjithë kohës ka qenë një këshilltar dhe ideator politik i Millosheviçit. Ai ka bërë gjenocide në Bosnje-Hercegovinë, gjenocidi në Kroaci, në Kosovë, dhe në gjithë ato luftra që janë shkaktuar ka qenë pjesë përbërëse për këto luftëra që ishin në Ballkanin Perëndimor, në republikat e ish-Jugosllavisë, dhe të marrë çmimin Nobel për Paqe është e paimagjinueshme. Nuk mund të dekorohet në person që ka qenë autor i gjenocidit në Kosovë, dhe kështu do të inkurajohen të gjithë ata politikanë që sot në botë bëjnë krime sa të duan brenda një periudhe të caktuar, dhe pas 10 viteve të dekorohet me çmimin Nobel për Paqe. Për këtë çmim janë konkurrentë mbi 1000 personalitete sot në botë. Vetë propozimi që ka dalë prej autoriteteve të caktuara në Bruksel padyshim që ka marrë parasysh edhe gjenocidin në Kosovë, apo republikat e ish-Jugosllavisë.

Do ja vlente për shqiptarët e Luginës së Preshevës në rast se Serbia do të njohë Kosovën, do ja vlente ta “blinte” njohjen nga Beogradi me këtë çmim?
Konsideroj se do të ishte shumë pozitivitet i madh për shqiptarët në Luginën e Preshevës, momenti kur Serbia do të njihte republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim është duke ecur procesi politik. Europa shumë thjesht i ka thënë Serbisë se pa e njohur Kosovën, nuk mund të jetë pjesë e Europës së bashkuar. Ky është një proces që do zgjasë jo më pak se 6-7 vite, dhe për këtë ka shumë për të bërë, ndërhyrje edhe në Kushtetutë. Pasi në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e Serbisë dhe me një kushtetutë të tillë asnjë vend nuk mund të jetë anëtare e BE. Po kështu nuk mund të jetë pjesë e BE pa respektuar të drejtat e pakicave kombëtare. Rreth 20% e popullsisë së Serbisë janë pakica kombëtare, shqiptarë, hungarezë, rumunë, bullgarë, romët, etj.

Tashmë Serbia na e kaloi në rrugën e integrimit europian, ka marrë ofertën për të qenë vend kandidat, Shqipëria jo, Kosova sigurisht që është më pas. Po në raport me të drejtat e shqiptarëve në Serbi, ky zhvillim politik ndërton një filtër të re për të respektuar të drejtat e pakicave?
Në këtë garë për hyrjen në BE mund të them se politika në Beograd është shumë më e unifikuar në këtë drejtim. Megjithatë ka pasur ngecje të mëdha në unifikimin e politikës shqiptare brenda vendit, sepse Shqipëria ka qenë shumë më afër BE, pasi është edhe anëtyare e NATO-s. dhe nuk ka pasur asnjë arsye që Serbia të ishte para Shqipërisë kandidate për BE. Ndaj them se për çështje të shtetit politika serbe është më e unifikuar dhe kjo ka ndikuar. Ne nuk do të pajtohemi që Serbia të jetë anëtare me të drejta të barabarta në BE, përderisa vazhdon me shkeljen sistematike të të drejtave elementare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejta të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me identitetin kombëtar. Po kështu kërkojmë edhe kalimin e lirë në zonat ku ka shqiptarë, për shembull në Kumanovë. Por Serbia nuk është e interesuar që të lejojnë lëvizjen e lirë drejt familjarëve, drejt farefisit që i kanë në Kosovë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha mekanizmat ndërkombëtare që janë instaluar në Beograd. Gjatë vitit 3-4 herë kemi delegacione që vijnë nga Këshilli i Europës, apo nga autoritetet e të Drejtave të Pakicave kombëtare ne Europë, apo Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Helsinkit. Në këtë mënyrë ngremë shqetësimet tona si dhe për të pasur të drejta të barabarta. Kërkojmë të drejta që i kemi pasur edhe në kohën e regjimeve më të egra.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK