Speciale/ Sherif Merdani, këngëtari i lirisë! Lamtumira e fundit për simbolin e muzikës shqiptare

Muzika e lehtë shqiptare e humbi një nga korifejtë e saj. Sherif Merdani, këngëtari i lirisë u shua të dielën e 29 gushtit në moshën 81-vjeçare. Kjo lamtumirë e fundit, plot dhimbje, nderim, lot dhe lule nga familjarët, artistët dhe miqtë, gdhendi me shkronja të arta faktin se në historinë e artit shqiptar ai mbetet një nga themeluesit e traditës së festivalit të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

I  burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, Sherif Merdani kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh.Pse këndoi muzikë moderne, ai e humbi rininë e tij në burgjet komuniste. Kur komunizmi ra, artisti flokëbardhë rreth të 50-ave rinisi jetën dhe dashurinë në liri. U  martua me Rozalbën, e cila ka qenë mbështetja e madhe e artistit, sidomos pas jetës së vështirë të burgut dhe u bekua me një djalë, Gerardin.

Lotët e butë dhe prekës të të birit Gerard Merdanit flasin shumë për artistin e madh.

“Marrëdhënien me të mund të ta përkufizoj me një fjali:

 S’do të  kisha zgjedhur kurrë baba tjetër. Nuk e kam ndjerë diferencën e madhe të moshës mes nesh. Nuk e ka jetuar jetën zi si 70-80 vjeçar. Ato vite ia kishin borxh. Ai ishte vital, me dashuri, respekt për jetën.

Ai në fillim të daljes nga burgu se mendoi kurrë se jeta do i jepte dhe gati 32 vite jetë. Që do martohej dhe do ta bënte prapë Shqipërinë që të fliste për të dhe që do të arrinte në këtë moshë. Muajt e fundit nuk ishin të lehtë as për të dhe as për familjen tonë. Kalvari i madh i vuajtjeve që ka kaluar, sëmundja e rëndë, mosha bashkë, s’kanë qenë të lehta. Preferojmë që ta mbajmë private atë pjesë.

Unë mendoj se krijimtaria e tij më e bukur ka qenë pas burgut, me perlën me Luan Zhegun “Se kënduam Let it Be’ dhe ‘Sinfonia e nënës’”, -thotë Gerardi.

Këngëtari njohur Luan Zhegu kujton me dhimbje vuatjet e artistit, ndërkohë që është krenar për krijimtarinë e përbashkët si kompozitor i këngëve të tij pas rënies së diktaturës.

Përshtypjet për Sherif Merdanin kanë qenë të lidhura me emocionet. Sapo doli nga burgu takimin e parë e kemi patur bashkë. Unë nuk e njoha, sepse ishte me një kapele, por duke e parë te sytë dhe i dëgjova zërin, thashë:

-“Sherifi?”

-“Po”, -më tha.

U përqafuam dhe lotuam të dy. Emocioni tjetër ka qenë kur unë i kompozova këngën, “Se kënduan Let it Be”. Kënga pati jehonë të madhe.”, thotë Luan Zhegu.

Këngëtatri Kozma Dushi, e adhuronte Sherif Merdanin kur ishte i ri, dhe kujton kur e dënuan bashkë me dhjetëra artistë pas festivalit të 11-të në Radiotelevizionin Shqiptar.

Sherifi i donte këngët me ritëm, me poezi. Ajo kohë ka bërë një super gabim të madh. Ai vetëm këndonte, shpirtin kishte. Edhe në Librazhd ku e takova unë, i dha atmosferë atij qyteti. Të gjithë e donin. Ajo që ka ndodhur me Sherif Merdanin s’duhet të ndodhte kurrë. Ai nuk e meritonte. Brezi i tij këndon akoma. Mesazhi i tij është që këngët janë të bukura, artistët janë të lirë, muzika të bëhej live, muzika të mos bëhej rrëmujë. Ai nuk i donte tallavatë e këto të tjerat. Sherif Merdani solli një mënyrë të re të të kënduarit”, -thotë Kozma Dushi.

Sherif Merdani do të mbetet një simbol për lirinë e interpretimit.

Ky zë i veçantë i muzikës moderne, i muzikës së lehtë shqiptare,  edhe  pas daljes nga burgu këndoi e mbeti një simbol i historisë së këngës.

"Ishte një lajm i papritur dhe shumë i hidhur, pasi ai nuk ishte vetëm një shok apo muzikantë, por ishte simboli i lirisë dhe krijimtarisë. Ishte simbol për lirinë e interpretimit që për rrethanat e kohës ai u dënua rëndë, ishte një ndëshkim i paragjykuar. Moment i lumtur ishte kur pas viteve 1990 shoh një njeri që më ngjasonin e të por ai kishte ndryshuar, ishte thinjës dhe ndryshuar në fytyrë. Sapo dëgjova zërin e njoha që ishte ai, donte të rindërtonte sërish jetën e tij muzikore. U bë simbol i historisë së këngës", -thotë  Zhani Ciko

Simon Mirakaj ish i burgosur politik, shprehet se kur dëgjoi lajmin atje në burg se e kishin arrestuar Sherif Merdanin vetëm për këngën, e kuptoi se për atë dhe gjithë shqiptarët pas kësja do do të kishte një riburgosje.

Simboli i lirisë së këngës Sherif Merdani, nuk mund të largohej i qetë pa u bërë me shembullin e tij edhe simbol i lirisë dhe demokracisë së vërtetë.

Të parin shembull të kësaj demokracie e la tek shpirti dhe zemra e të birit.

Babai më ka mësuar të mos hakmerrem, t’i dua njerëzit, por edhe mos t’i besoj kollaj njerëzve për atë që ka kaluar. Më ka mësuar vlerat e vërteta në jetë, e anës monetare e atë shpirtërore. Jam plot mësime nga babai im.”, thotë Gerard Merdani.

Zëri dhe arti i Sherif Meradnit depërtoi errësirën e diktaturës që lamë pas, ku ai i kaloi  16 vite të jetës në burg.

Sherif  Merdani ishte i pasur me forcën krijuese dhe artin e fjalës, përherë një zë kritik dhe elokuent në trajtimin e problemeve të tranzicionit komunist, ku nuk është lodhur së ngrituri zërin për degradimin e festivalit të këngës.

“Ëndrra e Sherif Merdanit ishte që të rikthehej edhe njëherë në skenë festivali i 11-të.”, thotë Kozma Dushi.

Kjo ëndërr ju realizua dy vjet më parë me skenën e rikthyer të këtij festivali që kishte shënuar tragjedinë e jetës së shumë artistëve shqiptarë në BunkArt 1, muzeumin e diktaturës.

Sherif Merdani pas daljes nga burgu ka punuar edhe si diplomat në Ambasadën Shqiptare në Romë, ku ka përfaqësuar me dinjitet vendin e tij.

Aty kishte edhe lidhjet shpirtërore me këngëtarët që preferonte dhe që i këndonte në vitet 70 si Xhani Morandin e Massimo Ranierin, apo Adrianio Çelentanon.

Masimo Ranieri kur e ka takuar Sherif Merdanin në Tiranë, në Ambasadën Italiane është përlotur dhe i është përulur në ndjesë të plotë prej dhimbjes që këngëtari shqiptar u dënua pikërisht nga dashuria për këngën e tij, thotë maestro Zhani Ciko.

Këngët e kënduara pas burgut të Sherif Merdanit  “Se kënduam Let it Be’ dhe ‘Sinfonia e nënës’” do të mbeten hite në historinë e muzikës shqiptare.

Këngëtari i njohur Luan Zhegu që ka kënduar e kompozuar këngën e tij, e quan një dedikim special, sepse kjo këngë i përket vetëm zërit të Sherif  Merdanit.

“Unë këngëtar jam, por nuk do ta këndoja, sepse ajo këngë i përket vetëm Sherif Merdanit”, -thotë Luan Zhegu.

Këngëtari Sherif Merdani u largua nga kjo jetë duke marrë me vete gëzimet dhe dhimbjet e jetës. Dhimbja më e madhe e këngëtarit ka qenë lëndimi i zemrës së nënës kur atë e burgosën. 

Kënga “Sinfonia e nënës”mbetet ndërsa tashmë ai do të banojë përjetësisht pranë saj në qiell.

Lamtumirë Sherif Merdani, këngëtar e simbol i lirisë.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim