Në “vallëzim” me “të çalët”

Në “vallëzim” me “të çalët”
Për të ilustruar rëndësinë dhe suksesin e luajalitetit në politikë, shpesh herë i kërkohet ndihmë zhanreve të vallëzimit, posaçërisht tangos, gjatë interpretimit të të cilit është e domosdoshme që të dy partnerët duhet të harmonizojnë njëkohësisht lëvizjet e tyre. Ndonëse (siç thuhet) zakonisht të gjitha krahasimet çalojnë, ilustrimi i mësipërm vërtet që nuk ka të sharë dhe prandaj përdoret aq shumë, për t’u tërhequr vëmendjen palëve në politikë. Por, deri tani, nuk dimë të jetë dhënë ndonjë këshillë e frytshme për qëndrimin e ndonjë kërcimtari, kur e ftojnë të vallëzojë me ca çalamanë. Çfarë duhet të bëjë, si duhet të kërcejë ai?

Kjo është pyetja, që prej disa kohësh duket se po e mundon mazhorancën qeverisëse në vendin tonë. Në këtë vend ku përballja kryesisht me reforma të rëndësishme ekonomike, sociale dhe institucionale, për funksionimin e shtetit të së drejtës në përparimin integrues drejt Evropës, pa dyshim që kërkon ritme të shpejta me akorde nga të dyja kahjet e politikës sonë. Megjithatë, skenat e përditshme na ofrojnë pa kursim pamje të mugëta nën disonancë, ku çdo personazh, pra edhe djalli vetë, kur paraqitet dhe flet në Parlament, në ekrane televizive dhe në rrjete sociale, nuk tutet të bëjë sikur ka të drejtë.

Ndoshta ishte edhe kjo një arsye që shpjegon protokollin diplomatik të reduktuar që ndoqi Kryeministri i Sllovakisë, këtij Shteti Anëtar i Bashkimit Europian, që për dy - tre muajt e mëparëshëm dhe në vijim është rreshtuar në lobimin energjik pro Shqipërisë, për t’iu akorduar kësaj në dhjetorin që lamë pas, por tek e fundit edhe në qershorin e këtij viti, statusi i kandidatit për në Unionin e aspiruar nga gjithë populli shqiptar qysh prej mbi dy dekadash. Ishte pra, Robert Fico, që gjatë vizitës së tij në Tiranë javën e kaluar zhvilloi takime zyrtare vetëm me homologun e tij, me kreun e Parlamentit dhe me Kryetarin e Shtetit, pa marrë mundimin as të fuste në axhendën e rendit të ditës kontaktin me Kryetarin aktual të Partisë Demokratike.

Duke iu referuar një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen elektronike të zyrës së Ficos në Bratislavë, sipas së cilës, kontakti me Lulëzim Bashën nuk u neglizhua për postin që ai mban, kujtesa të ofron edhe mundësinë e një arsyeje tjetër, që lidhet me ca deklarata të përsëritura të ish kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në 5 shtetet e Ballkanit. Rreth një viti më parë, ato deklarata u cilësuan prej Ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak si të rrezikshme dhe ndaj të cilave nuk mund të bëhej sehir. Atëhere, ky përcaktim i një diplomati që kishte patur rastin ta njihte edhe nga afër malinjitetin e pushtetarit shqiptar u përcolli me jehonë të menjëhershme deri në Bruksel, prej nga u shpreh qëndrimi zyrtar i BE ndaj provokimeve të Sali Berishës.

Të mos harrojmë që ishte po ky Miroslav Lajçak, i cili fill pas asaj çka ndodhi në 21 janar 2011 zbriti në Tiranë si i dërguar i Komisioneres së Lartë të Bashkimit Evropian, Ledi Ashton. Dhe, kur Sali Berisha e priti në zyrë, duke u rrekur ta përqafonte - siç bënte zakonisht për të hedhur lumin e bëmave të veta - me të gjithë emisarët e huaj, funksionari i kancelerive të Unionit e përmbajti në distancën që impononte qëllimi i vërtetë i vizitës së tij Në këto rrethana, Berisha si i zënë në faj dhe i mbledhur sa një grusht në poltronin e një pushtetari iu drejtua diplomatit sllovak me përpëlitjet e frikës: “Më thoni çfarë të bëj tani, e bëj unë!”.

Por është vështirë të besohet që incidenti i ndodhur dy vjet më vonë (shkurt 2013) midis këtyre dy personazheve të zhvillimeve politike në hapësirat e Evropës, të ketë ndikuar  tërësisht, apo qoftë edhe pjesërisht, në vazhdimin edhe tani të tensioneve midis Ekzekutivit sllovak dhe Partisë Demokratike shqiptare, kryetar faktik i së cilës ka mbetur Sali Berisha. Më kryesorja në “shkujdesjen” e mikut nga Bratislava mund të shqyrtohet në një një plan më të gjerë. Pra, edhe atje ku më së shumti “fle lepuri” këtu, te shkopinjtë që pretendon të vërë opozita nën rrotat e integrimit të Shqipërisë në familjen evropane.

Këtë argument e përforcoi edhe vizita në Tiranë e Kryetarit të një prej grupeve më të mëdha të Parlamentit Evropian, Hannes Swoboda, i cili u shpreh për rolin destruktiv që luajti opozita shqiptare në disa Shtete Anëtare të BE, veçanërisht në Hollandë, për të mos iu akorduar Shqipërisë statusi i shumëpritur. Nëse një përfaqësuese e Partisë Demokratike e trajtoi këtë rëfim si një gënjeshtër të këtij eurodeputeti austriak, si qe përgjigja ndaj këshillave të Swobodës për nevojën e konsensusit politik brenda vendit në realizimin e reformave të vonuara? “Ai del në pension në qershor të këtij viti” pra nuk mund të jetë më eurodeputet – u shpreh shtypui pranë klanit të Berishës.

Mirë, le ta lemë mënjanë çështjen e statusit dhe ta hedhim vështrimin vetëm në plan të brendshëm. A nuk është i nevojshëm konsensusi mazhorancë – opozitë për shqyrtimin dhe miratimin e së paku pesë reformave të domosdoshme (në drejtësi, në arsim, në shëndetësi, në pensione dhe në territorin e vendit), nga zbatimi dhe arritja e të cilave varet ndjeshëm rritja e cilësisë së jetesës së të gjithë popullit tonë dhe modernizimi i shtetit shqiptar? Konkretisht, si ka filluar diskutimi për reformën administrativo – territoriale? Në fillim, nga opozita u pranua, qoftë edhe me gjysmë zëri, rëndësia e kesaj reforme.

Por, kur Qeveria nënshkroi marrëveshje me SHBA, Suedinë, Zvicrën dhe një nga Agjencitë më të mëdha të Kombeve të Bashkuara – PNUD, atëhere opozita ndërroi taktikë. Nisi të kërkoi qiqra në hell, kur qiqrat janë hall: të mos aplikohet akti normativ për “Shërbimin civil”; të mos kontrollohet dhe shkarkohet Kryeinspektorja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; të mos zëvendësohet titullarja e asaj që thirret: AMA, pra agjencia për të kontrollin e televizioneve kombëtare dhe lokale etj, etj.
Është e tepër të themi, se ku e kanë vërtet hallin përfaqësuesit e opozitës, sepse kjo dihet fare mirë. Por, mbase nuk do të ishte e tepërt të përmendim që është provuar nëpër vitet e qenies në pushtet, se ata nuk interesohen për gjë tjetër, përveç vetvetes, për të mbajtur të fshehura pasuritë e vëna nëpërmjet abuzimit me pushtetin dhe, tek e fundit, për të ardhur përsëri në pushtet, pavarësisht vullnetit të popullit që i përmbysi njëherë e mirë me votim të përgjithshëm.

Pra, ata mendojnë menjëherë për vetveten, duke tentuar të pengojnë argumentet e vërteta të sfidave të këtij vendi, të cilat duhen zgjidhur plotësisht dhe sa më shpejt. Ata, edhe pse ndonjëherë arrijnë përkohësisht të shtiren, shkojnë deri atje sa këto zgjidhje t’i trumbetojnë si shkelje të demokracisë dhe cenim të shtetit të së drejtës (?). Prandaj, së paku deri tani, gjykimi i më të shumtëve përfaqësuesë të opozitës është përherë i korruptuar, flasin e buçasin në Parlament dhe përpara kamerave vetëm në dobi të partisë apo klanit të tyre, pa qenë aspak objektivë dhe realistë.

Edhe për vlerësimin apo shqyrtimin e reformave të tjera, për shembull atë në drejtësi, shenjat janë metëvërtet trishtuese. Deputetët e opozitës, apo së paku të shumtët e tyre, nuk mund të shohin dot përtej vetvetes. Edhe te të tjerët ata preferojnë të shohin atë që kanë në vetvete Nuk mund të pranojnë që sistemi gjyqësor t’u ikë nga duart dhe nga diktati i tyre, çka solli kutërbimin e rëndë që vjen prej veprimtarive të këtij sistemi, kutërbim që i kapërcen madje edhe kufijtë e vendit tonë. Dihet që vlerësimi nganjëherë shqyrtohet sipas aftësive njohëse të vlerësuesit. Në këtë plan, duke menduar që shumica e politikanëve tanë opozitarë nuk kanë shpirt, as intelekt pozitiv, as finesë në edukatë, pra janë vulgarë, është bërë pothuajse e pamundur të komunikohet me ‘ta, sipas rastit, pa u bërë po aq vulgar. A thua se ka bërë punën e vet ndonjë induksion elektrik.

Për këto raste, dikur thuhej se, në prani të të marrëve, të të liqve dhe meskinëve ka vetëm një mënyrë për të treguar mençurinë: të mos shkëmbesh asnjë fjalë me ‘ta. Por, kur problemet që  pëmbajnë reformat e mëdha kanë të bëjnë me interesat e të gjithëve, apo e pothuajse të të gjithëve, si duhet vepruar? Në këtë kuptim, edhe shqyrtimi, edhe miratimi i këtyre reformave kanë ‘gjithpërfshirjen’ si fjalëkalim. Mirëpo, kur ndodhesh në të njëjtat rrethana si të atij valltarit që e ftuan të kërcejë me të çalët, ç’duhet bërë? Sigurisht, jo të rrijë mazhoranca qeverisëse pafundësisht në pritje. Votat e nevojshme për të miratuar edhe ligjet organike, kodet dhe disa akte të tjera të rëndësishme, ajo i ka të siguruara. Së shpejti, me plot gjasa mandatet e saj do të shtohen, dersa të bëhet i mundur edhe rishikimi i Kushtetutës. Atëhere, deri kur duhet pritur opozita, në cungim e sipër, që të bashkojë edhe ajo zërin e saj dhe ritmet e veta në rrugën e së ardhmes?   


Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren