TIRANE- Po ju shkruaj për rubrikën e letrave që Shqiptarja.com ka hapur. Unë kam disa muaj që ka ikur nga shtëpia dhe e kam lënë bashkëshortin për shkak të dhunës. Kam marrë vajzën 5-vjeçare dhe kam ardhur në shtëpinë e prindërve të mi.

Nuk ka qenë aspak e lehtë, dhe ky vendim ka ardhur pas shumë tentativave ikje-kthim. Këtë herë kam vendosur përfundimisht të mos kthehem pavarësisht se im shoq më thotë se ka filluar të ndryshojë dhe përpiqet të më joshë që të shkoj me të. E di se nuk ka për të ndryshuar asnjëherë. Prindërit e mi kanë një shtëpi private dhe kanë lëshuar një dhomë vetëm për mua dhe vajzën, por jeta me ta më përball me vështirësi të tjera pasi në të njëjtën shtëpi jeton edhe vëllai me nusen e tij dhe fëmijët.

Në fakt, ajo çfarë më shqetëson më shumë është nëna ime e cila nuk ka qenë fare dakord që unë ta lija tim shoq. Madje ka insistuar disa herë që unë të rri me të, por im atë më ka mbështetur shumë pasi nuk ka duruar dot të më shihte në atë gjendje. Kam shpesh gjendje të cilat më bëjnë të ndihem e dobët dhe ndonjëherë kur ndodh ndonjë konflikt me nënën në shtëpi jam gati të marr plaçkat dhe të kthehem tek ai. Marrëdhënia ime me nënën ka qenë gjithnjë e pastabilizuar, ajo ka qenë shumë kritike ndaj meje dhe tepër e rreptë. Nuk ka qenë dakord as për martesën time, dhe tani ma përmend shpesh.

Ndihem e rrënuar kur ajo më gjykon “Na ke turpëruar” – më thotë. Jam përpjekur disa herë që ta ftoj të bisedojmë por është e pamundur, gjithmonë i shmanget bisedave me mua. Bile shpesh më akuzon si “kokëfortë” dhe një herë më tha “mirë të të bëhet, e meriton dajakun se je kokëfortë”. Nuk e desha më veten, si mundet nëna t’ia thotë një gjë të tillë bijës së saj. Unë jam vajzë e vetme në familje dhe përgjithësisht kam pasur jetë të mirë në vajzëri por me nënën asnjëherë nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta. Sipas saj unë nuk jam modeli i vajzës së mirë dhe tani po vuaj pasojat.

Kjo më bën shpesh të gjykoj veten, mos ndoshta vërtetë e meritoj të trajtohem kështu? Unë kurrë nuk do t’ia thoja një gjë të tillë vajzës time. Që tani kam filluar ta trajtoj si një princeshë – dhe nëna ime më thotë “llastoje, sepse si ti do të bëhet, kokëfortë”. Në fakt nëna ime është krejt e ndryshme nga unë, për të është normale që burri të të godasë ndonjëherë. Ajo vetë e ka pranuar dhunën në martesën e saj, si diçka të mirëqenë.

Por unë asnjëherë nuk kam dashur t’i ngjaj. Kam dashur të jem e lirë dhe liria ime nënës time i duket e tepërt. Një ditë bëra debat me të dhe më tha “Sa të jetosh në shtëpinë time do të zbatosh rregullat e mia, ndryshe ktheu tek yt shoq”. E gjithë kjo situatë më krijon shumë ankth, më bën të ndihem e pashpresë se si do të jetë e ardhmja ime. Jam ende e re, akoma nuk i kam mbushur 25 vjeçe, dhe ndihem sikur të kem jetuar 100 vjet, pasi jeta ime ka qenë shumë intensive.

Martesa ime ishte një dështim dhe kam kaluar shumë peripeci në marrëdhënien me tim shoq. Nuk do të doja kurrë më të kthehesha sërish në atë labirint që nuk më lë të marr frymë. Por edhe këtu ndihem si peshku pa ujë, pa mbështetje dhe pa optimizëm për të ardhmen. Vërtetë ju dhe media të ndryshme përpiqen të na ndërgjegjësojnë që të mos e pranojmë dhunën por ndonjëherë është e keqja më e vogël që zgjedhim për të mbijetuar në këtë realitet kaq të eger rreth nesh. L.

PERGJIGJIA E PSIKOLOGES MIRELA SULA

E dashur L, ke plot mundësi për t’u ringritur përsëri
Në letrën tënde nuk ka një pyetje konkrete por sigurisht që nën rreshta lexoj shumë pikëpyetje që ke për jetën. Ashtu siç e thua edhe vetë vendimi për të ikur nga një marrëdhënie e dhunshme nuk është asnjëherë i lehtë, dhe forca jote është për t’u admiruar. Me sa kuptoj shqetësimi yt kryesor në këtë stad është marrëdhënia jote me nënën dhe realisht mendoj se është një çështje e rëndësishme për t’u zgjidhur. Kjo për faktin se raporti që ke me nënën mund të ndikojë edhe në mënyrën se si i përgjigjesh dhunës së bashkëshortit.
 
Ti thua se në vitet e tua të martesës ka pasur shumë tentativa ikje-kthim, dhe nëse kjo përsëritet shpesh, tregon se me kalimin e kohës krijohet një lloj varësie e cila mund të të “ftojë” prapë të kthehesh, pavarësisht ambientit të dhunshëm që të pret. E tillë marrëdhënie mund të zhvillohet edhe me nënën në situatën e re të krijuar në familjen e prindërve të tu.
 
Që kur jemi të vegjël krijojmë mënyrat tona të atashimit (ngjitjes) të cilat janë të shëndetshme ose jo. Shpesh ato mund të jenë lidhje varësie që shfaqin nevojën tonë për garanci (stabilitet) nga të tjerët, e cila përcaktohet shumë herët në jetë. Teoria e atashimit në fëmijëri tregon se kujdestarët tanë të parë (në të shumtën e herëve nënat) janë përgjegjës për formën që i japin mënyrës se si përgjigjemi ndaj të tjerëve. Ky model, sapo zë vend, mbetet aty dhe na shoqëron në çdo fazë të rritjes tonë.
 
Në fakt marrëdhënia jote me nënën duket se ka mbetur në të njëjtin stad si dikur fëmijë, dhe kjo mënyrë e atashimit të pasigurtë ka ndikuar gjithashtu edhe në lidhjen e pasigurtë me bashkëshortin tënd. Sigurisht nëna është një figurë e shenjtë dhe fëmija është gjithnjë në ndjekje të kësaj figure ndaj ti duket se e kërkon me ankth konfirmimin e saj. Çështja është se nëna ka pritur të shohë tek ti modelin e vajzës që ajo ka dashur në jetë. Kjo nuk do të thotë se modeli që ti ke krijuar për veten është i gabuar, por nuk është ai që nëna jote ka projektuar për ty.
 
Për këtë ti thua se “asnjëherë nuk ke dashur t’i ngjash” dhe je munduar që përmes sjelljeve të tua t’i tregosh asaj që ti je ndryshe. Por në fakt, duke u martuar me një burrë që gjithashtu ka ushtruar dhunë ndaj teje (ashtu si modeli që ke parë dikur tek nëna jote) ti dashur pa dashur ke ndjekur modelin e saj. Pavarësisht faktit që nëna të kritikon dhe duket e pakënaqur me vendimin tënd, unë mendoj se ajo gjithashtu është e revoltuar dhe e mërzitur që ti ndoqe të njëjtin model si ajo (duke u martuar me një burrë të dhunshëm). Ndoshta e ka të vështirë të shprehet por zemra e saj e di se sa mund të vuajë kur sheh se e bija po kalon të njëjtat peripeci. Reagimi i saj ndaj teje mund të jetë përgjigje e pamundësisë apo paaftësisë për të të ndihmuar.
 
Mos harro se nëna jote mund të jetë rritur me një frymë tjetër mentaliteti. Zakonet dhe kultura e asaj kohe mund t’i kenë rrënjosur asaj sisteme të tilla besimi që gruaja duhet të jetë e nënshtruar. Vështirësitë që ajo ka pasur në martesë (duke pranuar dhunën si diçka të mirëqenë) mund ta kenë ashpërsuar paksa natyrën e saj prej nëne. Por unë besoj se sidomos kur bëhet fjalë për nënën e ka gjithmonë një rrugë që të çon në zemrën e saj. Nëse nuk arrin të kesh sukses, do t’ju sugjeroja të takonit një profesionist të fushës, që t’ju ndihmonte ta gjeni fijen e cila ka shkëputur lidhjen tuaj.
 
E dashur L, ti je shumë e re dhe thua se ke pasur një jetë intensive, por nuk arrij të kuptoj se çfarë fshihet pas vajzës 25 vjeçare që shkruan këtë letër? Në këtë moshë të gjithë kanë shumë ëndrra, dhe shumë prej moshatareve të tua mund të jenë akoma në shkollë, mund të jenë duke bërë plane për një karrierë, apo të zhvillojnë pasionet e tyre. Do kisha dashur të më shkruaje për to në letrën tënde. A është kjo një pjesë e rëndësishme e jetës tënde gjithashtu? Ndoshta duke u fokusuar tek ëndrrat e tua që mund t’i kesh lënë në harresë mund të zbulosh plot mundësi të reja për të rifilluar jetën nga fillimi?
 
Shumë gra e vajza ndihen të pashpresa pas një “dështimi” në jetë dhe mendojnë se e kanë humbur shansin për të një mundësi të dytë. Unë mendoj se ti ke plot mundësi të tilla. E them këtë duke pasur parasysh sa e sa raste të suksesshme të cilat pas një “dështimi” janë ringritur edhe më të forta. Vështirësitë që ke kaluar në të kaluarën mund t’i kthesh në leksione të mëdha që të ndihmojnë për t’i bërë ballë jetës në të ardhmen. Vendimi për të ecur përpara, me apo pa personazhet e të shkuarës, të takon vetëm ty. Dhe me forcën që lexoj brenda teje jam e sigurt se do jesh në gjendje të ringrihesh sërish dhe të bëhesh modeli i vajzës që ti ke dashur gjithnjë duke e bërë të ndihet krenare edhe nënën tënde gjithashtu.
 
Në fjalinë e fundit thua “...ndonjëherë dhuna është e keqja më e vogël që zgjedhim për të mbijetuar në këtë realitet kaq të eger rreth nesh”. Unë mendoj se realitetin ku jetojmë e zgjedhim vetë, dhe vetëm ne mund ta ndryshojmë atë. Mos u dorëzo!

Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print) 17.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)