Nëse “Fausti” i Gëtes është vlerësuar për shumë kohë si një nga veprat e përhapura më shpejt dhe me tirazhin fillestar më të madh në historinë europiane, së paku katër vargje të saj nuk i shqiten nga mendja edhe çdo lexuesi të sotëm: “Mos luaj me dhimbjen tënde/Që të shqyen jetën si një skifter./Edhe shoqëria më e keqe të bën të kuptosh/Që je një njeri si gjithë njerëzit e tjerë”. Privilegjin e këtyre vargjeve në botën letrare, ndokush e ka përmendur për të shpjeguar, se vetmia nuk shfaqet si instikt fillestar, por zhvillohet tërthorazi dhe shkallë – shkallë, jo pa luftë kundër shtysës së natyrshme sociale dhe këshillave rastësore mefistofeliane.

Ndërsa dikush tjetër i citon ato sa herë bie fjala për gjendjen e polarizuar të shoqërisë në vende të varfëra, rradhëve të të cilave nuk u është përjashtuar Shqipëria as gjatë dy dekadave të fundit. Vështruar në një plan tjetër, përmbajtja e vargjeve të cituara merr vlera të dyfishta: si një farë ngushëllimi e shprese për ata që rrezikohen t’i mbytë dëshpërimi në gjendjen e vështirë dhe përçmuese që kalojnë, dhe njëkohësisht si një lloj thirrjeje e përgjegjësie sidomos për ata individë, që duke rrëmbyer pushtet të pamerituar jetojnë mes luksit dhe dëfrimit dhe që pas shkëputjes shpirtërore nga njerëzit e zakonshëm nxitojnë drejt veçimit fizik ose kufizimit të kontakteve shoqërore, çka sipas tyre do t’ua dallonte superioritetin ekonomik apo intelektual.

Por, koha dhe jeta gjithnjë e më shumë kanë kërkuar të drejtën e vet, për t’i emancipuar njerëzit, që krahas zhvillimit të ndjekin pa mëdyshje principet e drejtësisë sociale, t’i konkretizojnë ato me bindjen se kështu konsolidojnë demokracisë dhe shtetin e së drejtës. Është kjo përvojë e admirueshme që ka karakterizuar veçanërisht pas Luftës II Botërore jetën e shumë vendeve në Perëndim, ajo që i nxiti disa popuj të Europës Qëndrore dhe asaj Lindore, për t’u shkëputur nga vargonjtë e prapambetjes së të kaluarës së tyre, që i kishte izoluar në fatkeqësitë individuale dhe kolektiviste, në dallim prej elitave zyrtare të regjimeve totalitariste. Në rrugen drejt së ardhmes, disa prej këtyre popujve shpejtuan ritmet e tyre. Ndërsa të tjerë, veçmas ata që jetojnë në hapësirat e ngushta të Ballkanit Perëndimor, deri në ditët tona janë ndeshur dhe ndeshen me pengesa serioze të ngritura prej stimulimit dhe kultivimit të ndjenjave individualiste për pasuri dhe pushtet, duke përvijuar më së shumti kontraste të thella në jetën ekonomike dhe sociale.

Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri. Të mos zgjatemi me shumë episode, të cilat me rëndesën e tyre negative shpesh herë kanë krijuar në Perëndim përfytyrime të atilla, që gjithsesi nuk i përshtaten fizionomisë së popullit tonë. Sidoqoftë, le t’i kthejmë sytë vetëm 3 vjet më parë, pikërisht atëhere kur nisi seria e përmbytjeve masive të Nënshkodrës, duke e çuar vendin në prag të një katastrofe kombëtare. Mijëra banorë me gjakun ujë dhe vetëm kokën mbi pellgje e lumenj, të vetmen shpresë të shpëtimit e mbanin te sytë nga qielli, sepse pushtetarët bënin sehir, duke u justifikuar me kapacitetet e ulta, të kufizuara dhe të cunguara të qeverisjes së korruptuar të tyre. Sa për “bujarinë” e bashkëqytetarëve, e vetmja që e tregoi këtë me një ekzaltim sa cinik, aq edhe idiotesk ishte kryeparlamentarja e atëhershme, së cilës Shkodra loce nën “çmendurinë” e lumenjve dhe përrenjve i kujtonte Venecien e bukur të mbushur me gondola.

E pra, ndodhi kështu për rreth një vit rresht, ndonëse prej shumë kohësh është kuptuar dhe provuar që në bashkësi me të tjerët individi mund të bëjë shumë, kur nxitet te ai shtysa për të marrë pjesë në shoqëri pro parte virili, duke arritur të shijojë me të drejta të plota përfitimet që vijnë prej saj.
Tani, ende pa u mbushur as 6 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme të karakterizuara për herë të parë si “të lira dhe të ndershme”, madje ende pa u numëruar as 100 ditë të qeverisjes të re, erëra të ngrohta parashikohen dhe ndjehen të fryjnë, për të mos e lënë as kohën të rrjedhë në boshllëkun tradicional të sherreve dhe zënkave politike. Konsiderata optimiste të kësaj fryme të gjallë, nuk mbetën pa u dhënë edhe nga pothuaj të gjithë ministrat e Jashtëm të Shteteve Anëtare të BE (afro një e treta e të cilëve mbështetën dhe lobuan për dhënien Shqipërisë të statusit zyrtar të vendit kandidat të Unionit), që duke hyrë këtë të martë në Mbledhjen e shumëpritur të Këshillit të tyre në Bruksel u shprehën, se arritjet e Shqipërisë brenda një kohe shumë të shkurtër i kishin tejkaluar edhe parashikimet e tyre. Pavarësisht që vlerësimi përfundimtar për akordimin e këtij statusi u shty për në 6 mujorin e ardhshëm, pa u kërkuar ndërkohë plotësimi i ndonjë kriteri të shtuar.

Në këtë situatë me të mirat, por edhe me vështirësitë e veta, me një entusiazëm rinor, por edhe me arkë të zbrazura, me fillimin e reformave të reja, por edhe nën presionin e një opozite të vjetëruar, disa nisma humane kanë lindur, të cilat në përçuarje të solidaritetit evropian  mund të rriten e zhvillohen në kushtet e një sërë nismash të tjera komplekse. Kështu, për shembull, askush nuk do ta besonte më parë që një ministër shqiptar do të promovonte nismën e quajtur “Shqipëria dhuron”, duke vënë para 4-5 ditëve pagën e vet mujore në dispozicion të një shtëpie të moshuarish, çka pritet të pasohet prej një furie vullnetarizmi konkret të një mase të madhe qytetarësh në këtë drejtim.

Por, sidoqoftë, nuk do të ishte e mjaftueshme që predispozitat në fushën sociale t’i liheshin një rendi rastësor, pa e kanalizuar këtë rend në hullitë legjislative dhe në kontrollin e zbatimit, siç i lihet rrugë këtij kanalizimi edhe në rastin e hartimit të ligjit të buxhetit të shtetit për 2004-rën, ku parashikohet veç të tjerash edhe aplikimi i parimit të taksimit progresiv, sipas të cilit, kush fiton më pak – paguan më pak, sikurse anasjelltas: kush fiton më shumë – paguan më shumë. Dhe, siç shprehet në Pjesën 3 të saj Preambula e Deklaratës Universale, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB plot 65 vjet më parë (Dhjetor 1948): “është thelbësore...që të drejtat e njeriut të mund të mbrohen nga një regjim ku sundon ligji”.

E pra, falë përpjekjeve energjike të Qeverisë qysh me fillimin e ushtrimit të mandatit të saj u bë e mundur që në harkun kohor të 3 muajve Ajo të arrijë të sigurojë dhe shpërndajë asistencën e akorduar për personat me aftësi të kufizuara, kur 94 për qind të fondit financiar të këtij viti Kabineti i mëparshëm e pati rrafshuar abuzivisht gjatë procesit elektoral, për të fituar, apo më saktë, për të grabitur edhe një mandat të tretë; që të planifikohen për vitin e ardhshëm llogari të veçanta në formën e ndihmës ekonomike për familjet kujdestare ku do të strehohen dhe mirërriten fëmijët e braktisur; që në vijim të masave ligjore humane të ndërmarra nga Qeveria theksi është vënë edhe te parashikimi vjetor në buxhetin e shtetit të shumave dhjetra miljonëshe posaçërisht për arsimimin dhe vaksinimin e afro 200 mijë fëmijve të familjeve në nevojë etj, etj.

A e shpejtojnë edhe këto nisma integrimin europian të Shqipërisë? Sigurisht, sepse vetë BE i ka hedhur themelet e tij si një komunitet vlerash, për të kapërcyer luftën, racizmin dhe nacionalizmin. Është e vërtetë që me kalimin e kohës, ky komunitet u zhvillua kryesisht në formën e një bashkësie ekonomike. Por, sidomos gjatë dy dekadave të fundit ai u shndërua në një Union Europian, sepse duhej të ktheheshin në plan të parë vlerat reale.

Pikën kulmore të njohjes së këtyre vlerave e përbën i ashtuquajturi “Katalog i të Drejtave Themelore”. Pa dyshim, pikën kulmore të tyre, aq sa edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë (me seli në Luksemburg) në vendimet e saj për shumë çështje i referohet pikërisht këtij Katalogu, duke e vështruar atë de facto si një bazë vlerash të Bashkimit Europian, si një bazë që shpreh qartë edhe principin e mos diskriminimit dhe atë të solidaritetit, në drejtim të një Unioni social më shumë se sa të një komuniteti ekonomik të orientuar drejt kapitallit.           
 
    Shkrimi u publikua sot (18.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)