SHIJAK- Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana i ka drejtuar një letër të hapur skuadrës së volejbollit, Erzeni pak para ndeshjes në Milano. Arbana thotë se djemtë e skudrës kanë ndihmuar në rikthimin e entuziazmit pas vështirësive që po kalon Shijaku pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Ai thotë se nuk mundet t'i shoqërojë për shkak të situatës së vështirë në vend, teksa i jep kurajo për të arritur një rezultat sa më të mirë, për të ndihmuar sadopak rikthimin në jetën e përditshme.
Letra e plotë
Të nderuar çuna!
Ju na bëtë të ndjehemi krenar për aty ku keni arritur deri sot, me vullnet, punë dhe këmbëngulje.
Ju na ndihmuat të na rikthehet entuziazmi pas vështirësive që po kalojmë në Shijak për shkak të tërmetit.
Na u trondit jeta nga themelet sapo po zbardhte mëngjesi i 26 Nëntorit. Në ato momente pashë dhe ndjeva frikë në sytë e fëmijëve të mi. Për fat në Shijak nuk pati asnjë të dëmtuar, përveçse dëmeve të shumta materiale, pallateve të rrënuara, njerëzve të pastrehë.
Për sa kohë jemi këtu dhe jemi gjallë jemi me fat, sepse gjithçka zëvendësohet, jeta jo.
Me një impenjim maksimal timin dhe stafit i kemi qëndruar afër njerëzve të pastrehë, pasi jemi në gjendje të jashtëzakonshme.
Dikush më tha se më ra të kryeja detyrën time si kryebashkiak në ditë të vështira.
Po, është e vërtetë, po unë nuk trembem nga sfidat, madje në çdo moment në të mirë e në të keq dëshiroj të jap më të mirën për shijaksit e mi.
Me zemër unë jam aty me ju, por për sa ju shpjegova më lart, ndjej detyrim moral të jem këtu, në gadishmëri të përditshme ndaj atyre që më besuan.
Mos harroni se ju nuk përfaqësoni vetëm Shijakun, por gjithë shpirtin e shqiptarit dhe ne në momente të ndryshme kemi treguar se ja dalim mbanë.
Pavarësisht se ky muaj na erdhi ndryshe, dhjetori është muaji i festave, i reflektimit, i shpresës për të ndryshuar jetën pozitivisht.
Tashmë gjithçka kishim në dorë po e bëjmë, na mbetet vetëm të themi, Zot na bëj të ndjehemi të sigurtë në tokën tënde.
Psikologjikisht askush nuk ishte i përgatitur për të menaxhuar botën që dridhet nën ne. Por kjo nuk duhet të na sjellë izolim social. Sporti na motivon të ecim përpara, përmes jush dhe përmes gjithë solidarizimit që treguan shqiptarët ndaj njëri-tjetrit! Na duhet të tregojmë fortësinë e themeleve tona: Humanizmin!
Të ndihmojmë të gjithë nga pak dhe të shpresojmë t'i rikthehemi jetës së përditshme!
Zoti na ndihmoftë miqtë e mi!
Ju presim me fitore!
Forca çuna!
Përzemërsisht,