Zakonisht protesta në Shqipëri shndërrohet në një garë tymi dhe flakë, ku njëra palë rrit dozën e zjarrit, tjetra shton përqindjen e gazit, njëra hedh molotovë, tjetra përgjigjet me lotsjellës, njëra kërkon përmbysje të pushtetit, tjetra kërkon shpërndarje të turmës.
Berisha synon molotovë dhe mjete piroteknike përherë e më të fortë, Rama gaz lotsjellës çdoherë dhe më të skaduar. Vetëm kujdes! As molotovi dhe as lotndjellësi nuk lindën dje, sepse të dy kanë një histori, një biografi një të shkuar që duhet ditur dhe njohur.
Lotndjellësi i parë nuk ishte kimik, por sentimental. Nuk ishte as më shumë dhe as më pak vetëm se një letër dashurie që të lagte syrin nga malli, pastaj letra u bë anonime dhe vijoi si denoncim, i kthyer në spiunllëk. Pra, një fjali e hedhur në errësirë që të dërgonte në hetuesi. Prej aty kaloi në shpallje mbi shtyllë, turp publik, izolim, frikë.
Sot është kapsulë metalike, ka datë skadencë, manual përdorimi dhe kamerë që e filmon, por funksioni mbetet i njëjtë: të turbullojë, të shpërndajë, të mpijë.
Edhe molotovi ka nisur si llastiqe kalamajsh që gjuanin zoq, pastaj pushkë druri në zborre, fishekë manovre që bënin zhurmë pa vrarë, më tej plumb dhe zjarr i vërtetë.
Molotovi i sotëm nuk është gjë tjetër vetëm se një shishe që kërkon të transmetohet live, në mënyrë që flaka të marrë kuptim politik dhe të prodhojë një ligjërim dramatik.
E thënë me fjalë të tjera, çdo gjë evoluon, madje edhe mjetet e konfliktit, molotovët dhe lotndjellësat, por vetëm kultura që i prodhon mbetet e njëjtë, nuk ndryshon.
Nëse vijohet kështu nuk do të jetë e largët dita kur protestuesit të dalin me bomba në xhepa, ndërsa policët me shkopinj druri në duar.
Të parët duke ëndërruar përmbysjen e madhe, të dytët duke administruar normalitetin që lind nga molotovi dhe vijon me lotndjellësa./Tema
Komente










