Në fillim, narkotrafikantët përdornin vetëm furgonë të zakonshëm pick-up. Më pas filluan t’u shtonin mbrojtje për t’u përballur me rivalët ose forcat e sigurisë. Hapi tjetër ishte prodhimi i mjeteve të blinduara artizanale, të quajtura “përbindësha”. Së fundi, ka ardhur risia më e fundit: një mitraloz i vendosur në çatinë e SUV-ëve, i komanduar nga distanca me anë të një kamere.
Të paktën dy prej këtyre mjeteve janë identifikuar dhe filmuar nga dronët në Teocaltiche, në shtetin e Jalisco-s, baza e njërit prej karteleve më të militarizuara dhe më agresive, kartelit “Nueva Generación” të drejtuar nga El Mencho. Kriminelët i kanë përdorur këto mjete në rrugët e qytetit gjatë një prej sulmeve të tyre.
Sipas burimeve të policisë – të cituara nga faqja Dominio Pubblico – mitralozët e përdorur u japin atyre mundësinë të mbajnë një vëllim të lartë zjarri.
Fenomeni i mjeteve të specializuara është rritur paralelisht me ashpërsimin e betejës për kontrollin e korridoreve të trafikut të drogës dhe zonave të kontestuara. Banditët kishin nevojë për diçka që t’u mundësonte të arrinin objektivat e tyre, të përballeshin me armikun, të zinin në pritë ose të kapnin konvojet e organizatave rivale. Për këtë qëllim, ata kanë punësuar teknikë që kanë zhvilluar lloje të ndryshme “përbindëshash”. Këto mjete janë të pajisura me turela, hapësira për qëllim, dhe shtysa metalike për të thyer barrikada.
Pas përdorimit të gjerë të mjeteve të blinduara, njerëzit e armatosur kanë rritur arsenalin e tyre për të neutralizuar këto mjete. Kanë shfaqur bomba artizanale, hedhës granatash të tipit RPG, dronë të aftë të lëshojnë bomba të vogla. Një rrëshqitje e ngadaltë dhe e pandalshme drejt formave të vërteta guerile.
Nga njëra anë, përdorimi i mjeteve të pazakonta është pjesë e një strategjie propagandistike të bosëve për të treguar fuqinë e tyre; nga ana tjetër, nënvizohet qartë përmasat e sfidës. Një kërcënim që shfaqet çdo ditë përmes atentateve, lidhjeve me politikën, trafikut të drogës dhe një brutaliteti pa kufij.
Në këtë kuadër ka pasur edhe një zhvillim të rëndësishëm hetimor. Para pak javësh, një killer vetëm 17 vjeç vrau kryetarin e bashkisë së Uruapanit, Carlos Manzo, një figurë e njohur për fushatën e tij kundër krimit dhe kritikat ndaj qeverisë. Krimi shkaktoi shumë reagime. Dje autoritetet arrestuan José Armando N., i njohur si “El Licenciado”, i akuzuar si organizatori i vrasjes. Thuhet se ai ka drejtuar planifikimin dhe ekzekutimin e atentatit duke përdorur sisteme të koduara komunikimi – një vrasje e frymëzuar nga karteli i Jalisco-s.
Lajmet nga jugu i kufirit amerikan tërheqin shumë vëmendje – jo vetëm tani – në Uashington, ku qarqet politike të së djathtës kërkojnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të SHBA, të ngjashme me atë të kryer dikur në Karaibe. Donald Trump ka autorizuar shërbimet e inteligjencës të ndjekin kontrabandistët, i ka ofruar ndihmë Meksikës dhe ka ushtruar presion mbi autoritetet meksikane, të cilat megjithatë kanë përsëritur “jo”-në e tyre për çdo shkelje të sovranitetit kombëtar.
Për momentin, nuk ka hapësirë për ndërhyrje apo sulme amerikane në territorin meksikan./ Corriere della Sera
Komente









