Shkrimtari nga Kosova Gëzim Aliu u shpall fitues i çmimit “Jakov Xoxa” në Letra, në një ceremoni të mbajtur mbrëmjen e së enjtes.

Sipas Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit çmimi synon promovimin e autorëve të rinj të letërsisë shqipe pas viteve ’90 dhe forcimin e vazhdimësisë së krijimtarisë letrare në hapësirën mbarëkombëtare.

“Një shtresë e rëndësishme e palimpsestit tonë letrar ështe pikërisht edhe Jakov Xoxa. Kritika e ka vlerësuar për përmasën mbarë kombëtare të veprës së tij, e ka cilësuar për përmasën romantike, në një kohë që nuk ishte dhe aq e preferuar. E ka veçuar për aftësinë e interpretimit psikologjik të thellësisë së njeriut, në një kohë që shkrimtari në përgjithësi ende nuk e kishte përmasën e psikologut që ka sot. E ka përmendur kritika sidomos për pasurinë e gjuhës, e cila sidomos në kohën e sotme është një model i jashtëzakonshëm për t’u marrë në konsideratë.”, tha drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku.

Në këtë edicion pas vlerësimit të mbi 35 krijuesve që plotësonin kriteret e përcaktuara u nominuan autorët: Andreas Dushi, Arian Leka, Adil Olluri, Gëzim Aliu dhe Selajdin Saliu.

Nisma mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, si dhe nga institucione kulturore në Kosovë, përfshirë Ministrinë e Kulturës dhe Universitetin e Tetovës. Në edicionin e kaluar fituese u shpall shkrimtarja Majlinda Rama. Çmimi përfshin një shpërblim financiar dhe botimin e një vepre të pabotuar, duke vijuar traditën e tij si një nga vlerësimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Në fjalën e tyre, përfaqësues të institucionit theksuan rëndësinë e figurës së Jakov Xoxës si një urë lidhëse mes brezave letrarë dhe si pjesë e kujtesës kulturore.

Këtë vit juria drejtohej nga Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta të mërkurën e 23 prillit, dhe me anëtarë Ali Aliun, Shaban Sinanin, Xhevahir Spahiun, Bardhosh Gaçen dhe Natasha Lakon.

Çmimi “Jakov Xoxa” – në Letra vazhdon të mbetet një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare në hapësirën mbarëkombëtare.