AK Invest njofton, me hidhërim të thellë, ndarjen nga jeta të z.Ilir Adili, themelues, aksionar dhe Drejtor i Përgjithshëm i AK INVEST, si pasojë e komplikacioneve nga Covid-19.
Ilir Adili lindi më 07.09.1961 në Tiranë dhe u diplomua si ekonomist. Pas diplomimit, ai zhvilloi një karrierë të suksesshme në disa institucione shtetërore dhe financiare, për të vijuar, pas vitit 1996, me angazhimin në biznesin privat në fushën e shërbimeve financiare.
Ai ishte një sipërmarrës i guximshëm, inovator dhe vizionar, aftësi këto që u mishëruan më së miri në themelimin e AK INVEST, si një institucion financiar modern dhe i suksesshëm në Shqipëri.
Ilir Adili ishte një ndër sipërmarrësit dhe drejtuesit e shquar të sistemit financiar shqiptar, me një eksperiencë të lavdërueshme, prej më shumë se tre dekadash.
Me ikjen e parakohshme nga jeta të Ilir Adili, familja humbi bashkëshortin dhe babain e përkushtuar, të afërmit njeriun e tyre të dashur e të dhembshur, miqtë shokun e tyre të rrallë, partnerët dhe kolegët sipërmarrësin, profesionistin dhe drejtuesin e talentuar e inkurajues, ndërsa shoqëria intelektualin, qytetarin dhe bamirësin model.
Largimi i parakohshëm nga jeta i Ilir Adili është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për të gjithë, por AK - INVEST shpreh bindjen e plotë se do të vijojë të ecë në rrugën e suksesit, që ai hapi dhe krijoi me shumë mund, talent e përkushtim.
AK - INVEST i shpreh familjes, të afërmve dhe miqve të Adili ngushëllimet më të thella e të sinqerta. Gjejmë rastin të shprehim respekt dhe mirënjohje të vecantë për të gjithë angazhimin, punën e palodhur, si dhe kontributin e tij të vecantë në sistemin financiar dhe shoqërinë shqiptare.
"Ilir, do të na mungosh gjithmonë! Qoftë i përjetshëm kujtimi yt! AK - INVEST" - thuhet në mesazhin e shërbimeve financiare.
R.I.P.
Përgjigju