Avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar Servet Pëllumbin, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 89-vjeçare, si një person me kontribut të veçantë në politikën shqiptare.
Komentet Ngjela i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se Pëllumbi jo vetëm që e kishte drejtuar Kuvendin e Shqipërisë shumë mirë, por sipas avokatit, ai ishte objektiv dhe i ekuilibruar.
“Servet Pëllumbi ishte person pozitiv për politikën shqiptare. Nuk ishte hakmarrës, nuk ishte agresiv, ishte i kulturuar. E ka mbajtur shumë mirë Parlamentin. Ishte nga të rrallët, kishte aftësinë e ekuilibrit. Është e vështirë që ta ketë njeriu aftësinë e ekuilibrit. Sepse janë nxitjet e brendshme, që nuk janë logjike, por instiktive më shumë. Dhe ai që nuk i ka frenuar këto, nuk mund të jetë objektiv. Pra ai ishte objektiv. Historia e kishte sjellë që ai ishte objektiv. Dhe Kuvendin e drejtoi shumë mirë. Brenda asaj fuqie që kishte, ai mbajti ekuilibrin mirë. Që ishte i majtë i nivelit të lartë, jo i majtë i zakonshëm. Ishte socialist me bindje”, tha mes të tjerash Ngjela.
Më tej Ngjela foli edhe për politikën shqiptare në përgjithësi, e cila sipas tij, është e ndikuar nga doktrina komuniste.
Ngjela tha se për shkak se në Shqipëri nuk ka pasur shkollë politike, politikanët tanë e kanë politikën eksperiencë dhe jo dije.
“Ne nuk e kemi shumë balancën në politikë. Nuk kanë shkollë politike. E kanë politikën eksperiencë, jo dije. Prandaj nuk e njohin ekuilibrin. Mos-mbajtja e ekuilibrit shpëton partinë. Mirë që shpëton partinë, po ty çfarë të ka bërë? Mund të kesh rënë në krime. Por nga na ka ardhur kjo? Na ka ardhur nga Partia e Punës. Kjo është doktrina komuniste, partia mbi të gjitha. Dhe këta kanë qenë”, tha mes të tjerash Ngjela.
Komente










