Ndërgjegjësohuni! Epidemia nuk është thjesht një ëndërr e keqe! Artistët nga karantina risjellin veprat e mëdha

Ndërgjegjësohuni! Epidemia nuk është thjesht një ëndërr e keqe! Artistët nga karantina risjellin veprat e mëdha

Tashmë mesazheve të drejtpërdrejta, vendin ua ka zënë arti.

Nëpërmjet tij, artistët me forma të ndryshme po përcjellin mesazhet se jeta është e shenjtë, andaj koronavirus nuk duhet të merret si një ëndërr e keqe kalimtare, pasi mungesa e ndërgjegjësimit mund të bëjë që kalimtarë të jemi ne!

Të frymëzuar nga këngët e viteve të kaluara dhe letërsia shqiptare e ajo e huaj, artistët kanë sjellë nga shtëpitë e tyre copëza shprese dhe momente të bukura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:09
Fëmijët e 'Zyber Hallulli' i bashkohen Luan Zhegut dhe Mariza Ikonomit, këndojnë 'Si zogj në cicërima'

Tingujt dhe vargjet e "Si zogj në cicërima" kanë bashkuar në një duet virtual Luan Zhegun dhe Mariza Ikonomin. Së bashku me fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve "Zyber Hallulli" ata kanë interpretuar kolonën zanore të 'Kur xhirohej një film', e cila përcjell emocione te çdokush, sidomos ata që janë rritur me filmat e viteve '80, për të na e kujtuar se sa e çmuar është shtëpia, qyteti dhe kujtimet e fëmijërisë, veçanërisht këto ditë kur duhet t’i japim shpresë njëri-tjetrit.

Ora 18:50
Artistët e rinj sjellin këngën e 32 viteve më parë, interpretojnë "Nuk e harroj" të motrave Libohova

Me zërin e bukur të artistes së re Gerona Hyska dhe nën shoqërinë e instrumentistëve Bledar Sejko, Viktor Rushiti, Besnik Gace, Xhino Daja etj, vjen nga karantina "Nuk e harroj" një nga këngët më te bukura të motrave Libohova.
Grupi i artistëve kanë vendosur të sjellin për të ngritur peshë zemrat e shqiptarëve me këngën triumfuese të Festivalit të Këngës në RTSH, në vitin 1987. Megjithatë edhe pas më shumë se 32 vitesh, kjo këngë vazhdon të pëlqehet e të kujtohet plot nostalgji.

Ora 18:48
'Maskën e kemi mbajtur çdo ditë, thjesht nuk kishte këtë formë', nën zërin e Olta Dakut vjen mesazhi: Mos harro të marrësh frymë!

Covid-19 ndryshoi shumë gjëra brenda pak kohësh. Ndryshoi stilin e të jetuarit, të përditshmen, por edhe mënyrën sesi tashmë po i shohim gjërat.
Nëpërmjet një video mesazhi me tekst të Raelva Shabanaj, regji të Edlira Bahollit dhe lexuar nga aktorja me zërin kumbues Olta Daku mund të kuptojmë se ajo qe duam në këto momente është dëshira për të qenë të lirë, për të dalë fitimtarë ndaj kësaj lufte.

Ora 18:45
Artisti Alban Nimani momente relaksi para se...të pastrojë shtëpinë

Artisti Alban Nimani ka dhuruar disa momente relaksuese për të gjithë ndjekësit e tij në rrjetet sociale gjatë ditëve të karantinimit, duke luajtur në kitarë "Better call soul".
"Tu u follirat para se me shku me pastru shpinë", shkruan artisti.

Ora 18:43
I riu lexon 'Murtajën': Nga një 'ëndërr' e keqe në tjetrën, kalimtarë janë njerëzit...epidemitë janë të pamundshme!

Njerëz që vdesin të ndarë nga të afërmit e tyre dhe pa ndonjë ceremoni të veçantë...Duket sikur po flasim për situatën që ka krijuar koronavirus, por në fakt po flasim për "Murtaja" të Albert Kamy, një nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Nga karantina, i riu Kevi Kuçi ka lexuar një pjesë të këtij libri, historia e të cilit zhvillohet në një qytet algjerian i cili përballet me vdekje të njëpasnjëshme, të vetmuar, e që duket sikur i shkon kaq mirë përshtat asaj me të cilën bota po përballet sot.
"Epidemia nuk u përgjigjet përmasave të njeriut, i cili rrjedhimisht mendon se epidemia nuk është reale, se është një ëndërr e keqe që do kalojë. Por jo gjithmonë kalon, dhe nga një ëndërr e keqe në tjetrën, kalimtarë janë njerëzit..." lexon ndër të tjera nga karantina i riu.

Ora 18:40
'Gomari i Babasatit' i Gjergj Fishtës frymëzon Vlashent Satën

I frymëzuar nga poema dramatike "Gomari i Babasatit" e Gjergj Fishtës muzikanti Vlashent Sata ka sjellë këngën 'Me jetu' nga karantina.
Kjo këngë, teksti i së cilës është përshtatur nga Arben Bajraktaraj, ka si mesazh atë që në fakt edhe vetë Fishta donte të përcillte kritikën ndaj keqbërësve dhe nëpërkëmbjes së vendit.

Ora 17:57
Balerini Dion Gjinika vallëzon në karantinë monologun "Egoja" të “Carmina Burana”

Monologu “Egoja”, shkëputur nga “Carmina Burana” me koreografi të Yuri Vamos, në mungesë të ndriçimit dhe efekteve speciale, mbërrin e mbështjellë nga dashuria e balerinit Dion Gjinika për publikun.

I mbyllur në shtëpi, për shkak të situatës së krijuar nga Covid -19, balerini i njohur ka ndryshuar disa detaje për shkak të hapësirës së limituar, në karantinë .

Performanca soul e Dion Giinikës është realizuar për sezonin online të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndrësa balerini është pjesëtar i trupës në këtë institucion.

Koreografi Youri Vamos shpreh idetë e tij në lidhje me konceptin skenik të baletit “Carmina Burana”. Tema qendrore e koreografisë së tij është qëndrimi i njeriut ndaj ligjeve të natyrës. Ai që ngrihet kundër harmonisë që jeton në të, është i destinuar të dështojë. Kjo premierë është ngjitur në TKOB katër vjet më parë, por mesazhi i kësaj vepre merr një vlerë aktuale në situatën e krijuar nga pandemia COVID -19, e sidomos ku detyrohesh të vallëzosh brenda mureve të shtëpisë si Dion Gjinika.

 

Ora 16:25
Kevin Lila, vallëzim për të ardhmen dhe ëndrrën e lirisë nga shtëpia e tij

Balerini Kevin Lila ndihet i përkëdhelur nga fati përgjatë karantinës me vendndodhjen e shtëpisë së tij. I rrethuar nga natyra, atij i jepet mundësia të vallëzoj jashtë, duke shprehur ndjenjat e lirisë dhe shpresës. Në një performancë  me shumë vlerë për sezonin artistik online të Teatrit të Operës dhe Baletit, Kevin Lila shpreh mesazhin për një të ardhme më të mirë se ç’po kalon njerëzimi.  

Kevin Lila është nga talentet e reja të baletit shqiptar, i zbuluar nga mjehstri i koreografisë, i ndjeri Agron Aliaj, i cili e përzgjodhi në moshën 18-vjeçare për rolin kryesor të premierës së baletit shqiptar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, që u dha tetë vjet më parë. Aktualisht Kevin Lila është pjesë e trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.  

Ora 15:13
Genc Tukiçi me të bijën, nostalgji nga Parisi, perfomojnë arien e bukur shkodrane

Pianisti i njohur Genc Tukiçi nga shtëpia e tij në Paris, ndërsa qëndron i mbyllur për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19, shpreh nostalgjinë për kulturën e vendit të tij. Tukiçi shoqëron të bijën Nadia Tukiçi në piano, e cila këndon arien e njohur shkodrane, “Për mue paska ken kësmet”. Të dy artistët e kanë realizuar videon bardhë e zi për ta vendosur në kontekstin e kohëve të vjetra këtë këngë të vështirë për t'u interpretuar por shumë të dashur për shqiptarët  

Genc Tukiçi është një nga pianistët, kantautorët  dhe muzikantët më të njohur shqiptaro-francezë, i cili e trashëgoi talentin në muzikë nga familja pasi babai, Ibrahim Tukiçi dhe i vëllai David Tukiçi, janë ndër muzikantë më të shquar shqiptar.

Pianisti i njohur ka përfunduar studimet në Konservatorin e Tiranës dhe arriti të marrë diplomën solist nga Ecole Normale de Musique në Paris.

Karriera e tij ndërkombëtare e ka çuar Gencin në sallat më prestigjioze të globit në koncerte si “Sommets Musicaux de Gstaad” në Zvicër, në sallën “Gaveau” dhe “Cortot” në Paris, në Antikën e Arteve të ORA apo CAMI HALL në New York.

Përgjatë karrierës së tij, Genc Tukiçi ka punuar dhe inçizuar në orkestra të ndryshme që nga ajo e TKOB në Tiranë e deri te orkestra e Çajkosvkit në Rusi. Ndërsa e bija Nadia Tukiçi, edhe pse është e lindur në Francë dhe e ka nënën japoneze, është shumë e lidhur me gjuhën shqipe dhe traditat e vendlindjes së babait të saj.  

Ora 14:04
Aktorët korçarë, skeç për karantinën, plot batuta e humor për situatën e krijuar nga Covid -19 (VIDEO)

Aktorët e Teatrit “ A. Z. Çajupi”, të Korçës qëndrojnë në shtëpi për t’u mbrojtur nga Coronavirusi,  por ata dinë të realizojnë shfaqje të bukura duke mbajtur distancën pas dyerve të mbyllura, e duke punuar për sezonin e shfaqjeve online. Një nga shfaqjet më të  bukura që është realizuar këto ditë është një skeç kushtuar situatës së Covid 19 interpretuar nga Guri Koço, Albano Prodani, Vjollca Prodani e Aleks Prodani!

Teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” i drejtuar nga Zamira Kita po mundohet të jetë sa më aktiv me shfaqjet online, ku nuk mungojnë interpretimet e gjinive të ndryshme, që nga teatri, tek poezia e sidomos humori, për të cilin shqiptarët e mbyllur në karantinë kanë më shumë nevojë se kurrë. Një ngjarje e veçantë është përfshirja për pak çaste në këtë skeç e aktores Vjollca Prodani, që njihet si një aktore e shkëlqyer e humorit shprehen për të kolegët e saj.   

D.M./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki