Ndërkombëtarët kundër KQZ
për censurimin e mediave

Kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar Kuvendit, për kontrollin dhe censurimin e portaleve, gazetave dhe televizioneve, para dhe gjatë fushatave zgjedhore, nuk gjen mbështetje në asnjë prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR, për ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Kërkesa e KQZ për aplikimin e kufizimeve mbi mediat, pa afate kohore, rezulton një shpikje tërësisht e KQZ, pa një analizë paraprake dhe ekspertizë për pasojat e propozimit. Misioni i OSBE/ODIHR-it, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, ka bërë 23 rekomandime, me qëllim për të përmirësuar më tej zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Për mediat, OSBE/ODIHR ka vetëm një propozim, më konkretisht, rekomandimin numër 17, ku kërkon shfuqizimin e nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me transmetimin nga mediat të materialeve të gatshme që servirin partitë politike.

Edhe ky rekomandim, nuk bën pjesë tek rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, por të ato dytësore. Në asnjë pikë të raportit, OSBE/ODIHR nuk flet për domosdoshmërinë e kontrollit të mediave, sikundër KQZ i kërkon Kuvendit. Po ashtu, nga 20 rekomandime në total, 9 rekomandime KQZ i ka vetëm për kufizimin e mediave, thua se mediat përbëjnë problematikën kryesore zgjedhore në Shqipëri. Misioni i OSBE/ODIHR-it kërkon të adresojë probleme të mprehta që kanë njollosur proceset zgjedhore, siç janë komisionerët partiakë, financimet e errëta të partive, garantimi i votës për grupe të caktuara etj., ndërsa për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve problemi kryesor mbetet media.
fax

Rekomandimet e OSBE/ODIHR për ndryshimin e Kodit Zgjedhor
A. Rekomandime prioritare
1. Autoritetet duhet të ndërmarrin një reformë zgjedhore përfshirëse, të zhvilluar në kohë dhe të mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti dhe raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it.

2. Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.

3. Qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit. Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe paszgjedhore.

4. Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

5. Kufizimet e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të hiqen. Duhet të ndërpritet heqja automatikisht e zgjedhësve të moshës 100 vjeç apo më shumë nga listat e zgjedhësve, dhe detyrimi për të verifikuar të dhënat e këtyre zgjedhësve duhet të vendoset mbi shtetin.

6. Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen duke u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile të hartuara për të rivendosur në vend reputacionin e dëmtuar.

7. Për të forcuar transparencën, ligji duhet të garantojë të drejta të njëjta për të gjithë vëzhguesit dhe të përcaktojë qartë se të gjithë vëzhguesit kanë të drejtë të marrin kopje të tabelës së rezultateve.

8. Shteti duhet të garantojë të drejtën për të bërë një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar se për kë synojnë të votojnë zgjedhësit apo për kë kanë votuar.

B. Rekomandime të tjera
9. Për të forcuar kapacitetet profesionale të komisioneve zgjedhore, KQZ-ja mund të ofrojë rregullisht trajnime me certifikim për anëtarë të mundshëm të KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, dhe të krijojë një regjistër me personat e certifikuar.

10. Duhen bërë përpjekje për nxitjen e përfaqësimit të baraspeshuar gjinor në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore, përfshirë pozicionet vendimmarëse.

11. Për të siguruar zbatim të njëtrajtshëm të rregullave dhe trajtim të barabartë të zgjedhësve, ndryshimet në rregullat e votimit nuk duhet të bëhen ditën e zgjedhjeve, përveç se në rastet e një force madhore.

12. Duhen intensifikuar përpjekjet për të siguruar saktësinë e të dhënave për të gjithë zgjedhësit, përfshirë caktimin e kodeve të sakta të adresave dhe zgjidhjen e çështjes së të dhënave të shumëfishta.

13. Për të forcuar më tej transparencën dhe besimin në proces, duhet t’i kushtohet vëmendje dhënies së mundësisë aktorëve zgjedhorë për të vëzhguar drejtpërdrejt verifikimin e nënshkrimeve mbështetëse të kandidatëve. Procesi duhet të përkufizohet qartë dhe të përfshijë hapat që duhet të ndiqen në rast se ka ankime.

14. Mund t’i kushtohet vëmendje forcimit të masave të posaçme ekzistuese për rritjen e pjesëmarrjes politike të grave, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo mund të përfshijë detyrimin për alternimin e kandidatëve burra dhe gra në lista, si dhe parashikimin dhe zbatimin e sanksioneve të efektshme dhe proporcionale, përfshirë mosregjistrimin e listave, për mosrespektim të këtyre masave.

15. Autoritetet dhe partitë politike duhet të konsiderojnë marrjen e hapave më të vendosura për të siguruar që të mos ushtrohet presion mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë dhe qytetarët e tjerë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës apo për të votuar në një mënyrë të caktuar.

16. Duhet të harmonizohen rregullat për financimin e fushatës dhe duhet të hartohen akte nënligjore me qëllim që të sigurohet një metodologji solide dhe qasje në informacionin e plotë mbi financimin e fushatës për ekspertët financiarë dhe zgjedhësit para dhe pas ditës së zgjedhjeve. Mund t’i kushtohet vëmendje përcaktimit të afateve për përfundimin e auditimeve paszgjedhore.

17. Për të siguruar pavarësi editoriale të medias, duhet konsideruar shfuqizimi i nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor dhe ndalimi në mënyrë të qartë i transmetimit në lajme të reklamave politike.

18. KQZ-ja dhe aktorë të tjerë mund të organizojnë programe edhe më përfshirëse për edukimin e zgjedhësve në nivel personal të përshtatura sipas nevojave të pakicave kombëtare Rome dhe Egjiptiane.

19. Ligji duhet të përcaktojë qartë përgjegjësitë për ankimet përpara ditës së zgjedhjeve, sipas objektit të tyre të kërkesës, me qëllim që të sigurohet zgjidhje efektive. Procedurat e ankimit mund të thjeshtohen dhe afatet për zgjidhjen e ankimeve mund të shkurtohen.

20. Partive politike dhe zgjedhësve të cilëve u preken drejtpërdrejt të drejtat apo interesat nga akte të administratës zgjedhore duhet t’u njihet legjitimimi për t’i apeluar këto akte në një organ gjyqësor. Afatet ligjore për shqyrtimin e apelimit mund të shkurtohen.

21. Për të garantuar të drejtë të barabartë vote për personat me aftësi të kufizuar, autoritetet duhet të marrin masa të vendosura për lehtësimin e pjesëmarrjes së pavarur të tyre në procedurat e votimit dhe të sigurojnë që mjediset dhe materialet të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të lehta për t’u përdorur.

22. Procesverbali i mbylljes së qendrës së votimit dhe tabelat e rezultatit të zgjedhjeve duhet të përmbajnë numrin e zgjedhësve të regjistruar në qendrën e votimit. Procedurat e rakordimit duhet të zbatohen me rreptësi gjatë numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.

23. Planvendosja dhe sistemimi praktik i mjediseve të VNV-ve duhet të lejojnë që të gjithë vëzhguesit të ndjekin në mënyrë të mirëfilltë të gjitha aspektet e procedurave të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve. 

d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur