Ndërron jetë nga një sëmundje e rëndë legjenda e basketbollit Arben Fagu  

Ndërron jetë nga një sëmundje e rëndë legjenda e basketbollit Arben Fagu  

Arben Fagu

Legjenda e basketbollit shqiptar, Arben Fagu ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 65-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Profesor Arben Fagu njihet për karrierën e tij të suksesshme në drejtimin e ekipit të meshkujve të Dinamos, por edhe Partizanit. Arben Fagu ishte i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani, vëllai i legjendës së ‘koshit’ Agim Fagu.

Arben Fagu mbaroi Institutin e larte ILKF “Vojo Kushi” dhe pasi la karrierën e tij si basketbollist u bë trajner dhe deri në momentin e fundit drejtonte ekipin e meshkujve të Partizanit.

Ngushëllimet për Arben Fagun janë shprehur edhe basketbollistët në rrjetet sociale.

 “Mengjesi sot erdhi me nje lajm te trishte e te kobshem e te pabesueshem. Nje nga ikonat e Partizanit por edhe basketbollit shqiptar si sportist por sidomos si trajner mjeshtri i madh Arben Fagu ka ndërruar jete pas nje semundje qe erdhi pa pritur per ta ndare profesorin nga ne e per  te na lene keshtu pa fjale e zemerthyer te qofte dheu i lehte prof Beni, boshlleku qe na le nuk do mbushet  kurre. E paharuar puna dhe vepra jote përjetë”, shkruan Tirana Eagles Basket.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:26
Ndarja nga jeta e Arben Fagut, Meta: Të gjithë ne që e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë

1612535287_14632733437397208360741626609757069422434858n.jpg

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të basketbollistit Arben Fagu, ndarje të cilën e quan një humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin.

Në vijim të mesazhit të tij ngushëllues Meta shkruan se të gjithë ata që e njohën nga afër, humbëm një mik të sinqertë.

“Ndarja e parakoshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij. Lojtar virtuoz i “Dinamos”, “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve.

Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm. Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij. Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar! Lamtumirë Kampion”, shkruan Meta.

Ora 13:05
Humb jetën parakohe miku i tij, reagon Rama: Kujtoj me mallëngjim të qeshurën, nuk e besoj dot që Ben Fagu s'është më

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të basketbollistit Arben Fagu.

Si ish-basketbollist, kreu i qeverisë ka kujtuar më mallëngjim veprën dhe figurën e Ben Fagut, siç edhe e quan.

'Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.

Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve shqiptare dhe magjepsi çdo kundërshtar e trainer të huaj, që vinte nga bota tjetër për t'u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës. Hija e Gimit qe shtypëse për këdo që luante në kampionatin e basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha dhe duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, në kohën kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi!

Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit - çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.

Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s'është më!

As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm!

Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!'- shkruan Rama.

Ora 12:25
Ndarja nga jeta e Arben Fagut, Duka: Pinjoll i një familjeje që ka nxjerrë kampionë

Kreu i FSHF-së, Armando Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arben Fagut duke thënë se sporti ka humbur një mjeshtër dhe ikonë, që i ka dhënë shumë basketbollit

“I tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Arben Fagut. Sporti shqiptar humbi një ikonë dhe një mjeshtër, që ka dhënë shumë ndër vite qoftë si basketbollist e më pas si trajner e pedagog, duke edukuar sa e sa breza. ArbenFagu ishte pinjoll i një familjeje të madhe të sportit shqiptar, që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj. Përveçse një personalitet, Beni ishte edhe një mik i mirë e njeri i dashur. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fagu për këtë humbje të madhe. Do të na mungojë të gjithëve! U prehtë në paqe!”, shkruan Duka.

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës