TIRANË, 26 Shtator/ATSH/Z.Tosku- Policia e Shtetit ka evidentuar vetëm gjatë muajit të fundit 711 raste të ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin , për të cilat janë proceduar penalisht 717 shtetas.
Sipas një njoftimi për shtyp, për 45 shtetas, të cilët kryesisht janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte pa leje në tokë publike, tokë shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë.
Ndërkohë 657 shtetas të tjerë, autorë të ndërtimeve të paligjshme, janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë dhe 15 shtetas janë shpallur në kërkim. Policia ka bërë me dije se në çdo rast të konstatuar janë kryer veprimet procedurale përkatëse, duke bërë dhe pezullimin e punimeve në objektin e ndërtuar në mënyrë abuzive.
"Zbatimi i masave të posaçme do të vijojë me vendosmëri nga strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, përmes kontrollit të territorit e grumbullimit të informacioneve", theksohet  në njoftimin për shtyp./m.m/