Saranda nuk gjen qetësi pas skandalit të’ Copacabanës’ beach-barit që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit. Mbrëmjen e djeshme, një aksion policor u zhvillua me urdhër të Prokurorisë së Sarandës kundër ndërtimeve pa leje në bregdet nga ku u lëshuan 12 masa sigurie, 4 prej të cilave të ekzekutuara deri më tani.
Në pranga kanë rënë 3 efektivët Kristofor Shkrepa e Kastriot Sotka, për të cilët është caktuar masa ‘arrest me burg’ si dhe Blerim Tafçiu në ‘arrest shtëpie’. Të gjithë akuzohen për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ të kryer më shumë se njëherë, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në pranga ka rënë dhe pronari i hotel ‘Oasis’ Alqi Papa. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajo. Beach- bari ‘Copacabana’, që tashmë është shembur nga IMT, çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Sarandës për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.
Bashkë me pronarët e Copacabana, në kërkim rezultojnë edhe kreu i IMT-së së Sarandës, Eduart Veli dhe 3 punonjësit Ilia Gjika, Romelio Kadëna dhe Elvis Memushi.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










