Lezhë - Gjykata e Apelit ka ashpërsuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për disa prej personave të vënë nën akuzë në lidhje me ndërtimet pa leje dhe legalizimin e tyre në zonën e Ranës së Hedhur, në Shëngjin.
Për ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Gentian Malotaj, si dhe për përgjegjësin dhe ish-përgjegjësin e legalizimeve, Artmir Maxhuni dhe Artur Shabaku, janë vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Ndërsa për inxhinierët Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës nga masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Ndërkohë, për dy ish-drejtuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, Flori Gjini dhe Kol Malaj, janë lënë në fuqi masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Gjithashtu, është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për Pjetër Tuçin, i cili akuzohet për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Ashpërsimi i masave të sigurisë u kërkua nga prokurorja e çështjes, Iva Harka, e cila ankimoi vendimin e Gjykatës së Lezhës në lidhje me tetë personat e vënë nën akuzë.
Ata dyshohet se janë implikuar në një rast të ndërtimit të paligjshëm në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku hetimet e Prokurorisë së Lezhës, në kuadër të procedimit penal nr. 135 të vitit 2025, kanë zbuluar se janë kryer ndërtime pa leje dhe më pas janë legalizuar në kundërshtim me ligjin.
Deri në këtë fazë të hetimeve, janë vënë nën sekuestro preventive katër objekte, ndërsa veprimet e organit të akuzës vijojnë për dokumentimin e rasteve të tjera të kësaj natyre në zonën turistike të Shëngjinit.
Komente










