Për juristin Kreshnik Spahiu, protesta kombëtare e PD para Kryeministrisë pasditen e sotme, sipas tij u bë për të larguar lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’ të Adratik Lakajt nga Bulevardi, aty ku proteston prej disa ditësh dhe Ervin Salianjin nga partia.

I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, ai tha se Berisha arriti kulmin e rënies politike pas dështimit të foltoreve, ku sipas tij, pjesëmarrja ishte e ulët.

Sipas Spahiut, Berisha nisi protesta kur Salianji nisi takimet me demokratët dhe Lapaj nisi protestë para Kryeministrisë.

‘Qëllimi i protestës ishte për të larguar Adratik Lapajn nga Bulevardi dhe Salianjin nga partia. Berisha preku fundin e vet me foltoret sepse mblidhte 200 persona dhe kur këtë protagonizëm ja mori Ervin Salianji me takimet që po bënte dhe kur Lapaj po dilte aty tek Kryeministria Berisha ose do të dorëzonte çelësat e partisë, ose do të bënte përpjekjen e tij përfundimtare. Sot kishte më shumë njerëz, ishte masive, por çdo protestë suksesi apo dështimi me atë që vjen pas saj’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Spahiu: Kauzën antikorrupsion e fitoi SPAK, jo opozita! Populli konsideron hajdutë qeveri-opozite

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se kauza antikorrupsion në Shqipëri nuk është fituar nga opozita politike, por nga Prokuroria e Posaçme, e cila sipas tij gëzon besimin e qytetarëve.

Sipas Spahiut, mungesa e pjesëmarrjes qytetare në protestat politike tregon një krizë të thellë besimi ndaj partive. 

‘Edhe Altin Dumani do të mblidhte më shumë në shesh se Berisha. Pse nuk ka popull në shesh partitë politike, ose ky popull nuk i cilëson skandale ose si beson këtyre liderëve politikë sepse s’ka rrugë të mesme. Unë s’dua ta besoj se populli i pranon korrupsionin. Tirana zien, populli është i skandalizuar me këto që dëgjon. Çdo shqiptarë sot janë të bindur se prokuroria speciale nuk është e varuar nga qeveria dhe nuk komandohet politikisht nga Rama. Popull nuk ka, këtu është kriza më e madhe politike. Populli i beson institucioneve të drejtësisë, ka besim të plotë që SPAK do të zgjidh më mirë se opozita këtë situatë me protestë nuk zgjidhet gjë. Kauzën antikorrupsion e fitoi SPAK, jo opozita’, tha ai.

Ora 22:00
Ironia e Spahiut: Vetëm opozita shqiptare e shtyn revolucionin pas festave të gjelit të detit

Juristi Kreshnik Spahiu, teksa ka komentuar protestën e PD, tha se qeveritë nuk rrëzohen me molotovë, ndërsa theksoi se opozita shqiptare, e ka shtyrë “revolucionin” pas festave të fundvitit. 

Duke e krahasuar me protesta kur në krye të PD ishte Lulzim Basha, ai theksoi se tubimi i Berishës nuk arriti as nivelin e protestave të drejtuara nga Lulzim Basha. 

Sipas Spahiut, qëllimi real i protestës ishte përpjekja për të çfaktorizuar Adriatik Lapajn dhe Ervin Salianjin.

‘Pritshmëria ishte e lartë por nuk rrëzohet me kapsolla qeveria, por opozita e shtyn revolucionin pas festave të fundviti, nuk ka vazhdimësi dhe s’ka të nesërme. Kur çdokush që mund të pyes thonë a po bie Edi Rama ça ndodh po ndodh zjarrëfikësi, sepse populli pret që nga skandalet e Ramës të bie qeveria, kur ti nxjerr 5mijë persona pa brohoritje. Këta donin që të improvizonin dhunë po nuk ishin të gatshëm që të shkonin tek Kryeministria dhe të konfrontohet. Nuk ka as sasi dhe as qëndrueshmëri, si ka ndodhur në ‘97, ‘98 apo në kohën e Lulzim Bashës, sepse janë më të mëdha se të Bashës. Berisha nuk po arrinë as nivelin e Lulit. Ai arriti që të çfaktorizonte Lapajn dhe Salianjin. Ai nuk rrëzon dot këta dhe jo më Ramën. Ata 20 veta të Lapajt rezistojnë më shumë se ata të PD’, tha ai.