'Shumë të mirë', kështu e ka cilësuar sulmuesi Indrit Tuci atmosferën në Kombëtare para dy ndeshjeve të nëntorit. Kuqezinjtë e Sylvinhos luajnë më 13 nëntor kundër Andorrës në udhëtim dhe më 16 nëntor në Tiranë vjen Anglia, për sfidën e fundit kualifikuese të Grupit K të Kupës së Botës 2026.
Nëse Shqipëria fiton në Andorra dhe Serbia humbet në Angli, atëherë janë kuqezinjtë e Sylvinhos që edhe matematikisht do siguronin vendin e dytë të grup dhe do merrnin të drejtën për të qenë në play-off e Botërorit.
Nga Barcelona, aty ku Kombëtarja vijon e grumbulluar prej të hënës, sulmuesi i Kayserispor, Indrit Tuci, ka thënë se Andorra është sfida më e rëndësishme dhe nuk duhet neglizhuar. I rikthyer pas një viti në ekip, Tuci shpreson që të marrë minuta për të dhënë më të mirën në fushë.
"Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam në Kombëtare. Të jesh këtu është një arritje e madhe për çdo futbollist, veçanërisht kur jemi në garë për një vend në Botëror.
Do jap maksimumin tim dhe djemtë më kanë pritur shumë mirë. Shpresoj që të bëjmë më të mirën në dy ndeshjet e radhës. Atmosfera është e mirë, të gjithë shoqërohemi me njëri-tjetrin, ka harmoni dhe përgatitjet janë shumë të mira për Andorrën.
Fokusi është vetëm te Andorra, pasi të kalojmë këtë rival do mendojmë për Anglinë. I kemi parë në analiza se çfarë mund të bëjnë ata. Dëshirat që ka trajneri duhet t'i realizojmë në fushë dhe mos ta zhgënjejmë.
Rivalët - Ndeshja kundër Andorrës është më e rëndësishme. Nuk duhet t'i nënvlerësojmë, sepse ata të penalizojnë pasi kanë lojën e tyre që nuk i pëlqen asnjë ekipi, janë gjithë kohën në mbrojtje", tha Tuci.
Këtë paradite ekipi vijoi përgatitjet në palestër, me të gjithë lojtarët që ishin të gatshëm, përfshi edhe Strakoshën, Bajramin apo Dakun që u bashkuan me ekipin dje në orët e pasdites. Edhe Gjimshiti me Hoxhën kanë qenë të gatshëm për stafin teknik.
Komente




